AKTUALITET

Dalin dokumentat/ Si u përfshinë zyrtarët e Doganës në kontrabandimin e 2 kamionëve me mallra të vjedhura!

08:59 - 23.07.22 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Thellohet skandali me zyrtarët e doganave shqiptare që po gjykohen për vjedhje kontrabandë dhe grup të strukturuar kriminal në Greqi.




Sipas dokumenteve të Gjykatës së Apelit në Janinë, Artur Sejati, me detyrë drejtor i hetimit doganor dhe vartës direkt dhe i drejtorit të Përgjithshëm, Genti Gazheli, është kapur në flagrancë së bashku me zyrtarët e tjerë të doganave, duke kontrabanduar dy kamionë me mallra të vjedhur.

Në aktet e gjykatës thuhet se të akuzuarit nga data 29 maj 2016 e në vazhdim, duke vepruar së bashku, kanë formuar me dashje një grup kriminal të strukturuar, me më shumë se tre persona, duke kryer vjedhje dhe grabitje.

KUSH ISHTE NË KRYE TË GRUPIT

Në krye të grupit, sipas drejtësisë greke, ishte vete drejtori i hetimit doganor, Artur Sejati, i cili më 30 qershor 2016 po shoqëronte dy kamionë me mallra të grabitura, duke i hapur rrugën me një fuoristrade me targa shqiptare. Në rrugën dytësore Konicë-Janinë, në afërsi me kampin ushtarak të Kalpaqizit, Sejatit i është bërë shenjë për të ndaluar nga patrulla e Policisë, për kontroll të automjetit.

Urdhrit të Policisë, shtetasi i mësipërm nuk i është bindur. Sipas akuzës greke, zyrtarët e doganës shqiptare kanë bërë çmos që t’i shmangen Policisë helene, madje me veprimet e tyre kanë tentuar që tërheqin vëmendjen nga kamionët me mallra të vjedhura. Të pandehurit janë mbajtur tri ditë të ndalur në Greqi e më pas hetimi ndaj tyre ka vazhduar në gjendje të lirë.

Çështja ndaj tyre është zbardhur nga katër dëshmitarë, që janë punonjës Policie. Por pavarësisht akuzës së rëndë mbi zyrtarët e doganës shqiptare, drejtori Genti Gazheli ka menduar t’i promovojë ata. Personi i cili drejton hetimin doganor Shqipëri, akuzohet në Greqi, një vend anëtar i Bashkimit Europian, për kontrabandë.

Ndërsa gjatë këtij viti, tre zyrtarët e tjerë janë promovuar me poste kyçe po me urdhër të Genti Gazhelit. Klandi Malaj, nga specialist hetimi është emëruar në 20 prill të këtij viti përgjegjës i zyrës së Hanit të Hotit. Po në 20 prill të këtij viti, Elton Gishti nga specialist hetimi është emëruar përgjegjës i zyrës mjaft të rëndësishme të sheshit të trageteve ne Durrës.

Ndërsa Mirel Beshiku me urdhër të Genti Gazhelit, më 27 qershor të 2022 nga përgjegjës sektori te Drejtoria e Tarifës ka kaluar specialist te Zyra e Mbikëqyrjes së Magazinave Fiskale në Fier. Prej kohësh, doganat shqiptare janë përfshirë në shkelje dhe abuzime të mëdha.

“News 24” disponon një dosje të plotë të evazionit në dogana, që bëjnë përgjegjës drejtorin Genti Gazeli, dhe do të vazhdojë ta bëjë transparente që nga e hëna e në vazhdim.

Kreu i qeverisë i del në mbrojtje drejtorit të Doganave

Kryeministri Edi Rama ka marrë në mbrojtje politike drejtorin e Doganave, Genti Gazhelin. Në ditën e dytë të botimit të dokumenteve zyrtare që faktonin se drejtori i Doganave kishte promovuar disa persona me probleme me ligjin në poste më të rëndësishme në institucionin që ai drejton, reagoi kreu i qeverisë.

Ky i fundit në postimin e parë të bërë në “Twitter” nuk komentoi përmbajtjen e dokumenteve të një shteti të bashkimit evropian, por u mor me faktin se përse mediat nuk botonin postimet e drejtorit të doganave në adresën e tij personale të “Facebook”-ut.

“Si luftohet me shpifjen apo qoftë edhe me akuzat legjitime në këtë vend, kur jo vetëm media që shpif apo akuzon, po edhe mediat e tjera s’ia japin të drejtën e fjalës personit publik të akuzuar, nëse ky i fundit flet hapur për një shantazh nga një pronar mediash?!”, shkroi Kryeministri Rama në “Twitter”.

REAGIMI I DYTË

Më vonë, sërish përmes adresës zyrtare në “Twitter” kreu i qeverisë reagoi pas qëndrimit të “News 24” mbi deklaratën e tij për drejtorin e Përgjithshëm të Doganave, Gent Gazheli.

“News 24” publikoi një investigim mbi emërimet në Doganën shqiptare të personave të dënuar në Greqi për vjedhje, grabitje, kontrabandë e grup kriminal, si dhe dokumente që implikojnë drejtorin e Përgjithshëm të Doganave, Genti Gazheli, në emërime të personave me precedentë penalë në sektorë kyçë të doganave, gjë që solli reagimin e Kryeministrit. Rama shkruajti se nuk ka mbajtur anë, por se kush

është viktimë e një shpifjeje apo shënjestër e një akuze legjitime, duhet të ketë të drejtën minimale të publikimit të opinionit të vet. Ai deklaron se Dogana shqiptare mund dhe duhet të bëjë sqarimet e saj zyrtare.

POSTIMI I PLOTË

Unë u shpreha qartë pa marrë anë. Përkundrazi, thashë se kush është viktimë e një shpifjeje apo shënjestër e një akuze legjitime, duhet të ketë të drejtën minimale të publikimit të opinionit të vet!

Dhe siç shihet edhe këtu, kjo nuk ndodh, po vazhdon avazi! Madje unë s’fola thjesht për këtë grup mediatik që nxjerr “fakte” të 2016-s pasi pronari i tij gjobitet për fshehje të konsiderueshme të ardhurash në biznesin e tij!

Po fola për të gjitha mediat, sepse kjo liria e medias pa të drejtë replike për ato vetë mban erë të keqe shumë! Sa për “faktet” në thonjëza apo pa thonjëza, sigurisht që Dogana shqiptare mund dhe duhet të bëjë sqarimet e saj zyrtare, por tjetër një denoncim legjitim i fakteve tjetër sulmi personal ndaj drejtuesit të institucionit, direkt pas marrjes së një ndëshkimi ligjor për evazion!

Asgjë personale, po vetëm logjike dhe parimore. Ligj për shpifjen jo! Ligj për fyerjet e mediave jo! Gjyqe me media e me gazetarë jo! Reagime siç e meritojnë shqip fare në këto raste jo! Po as ankesa për të drejtën e publikimit të qëndrimeve pas një sulmi?! Më duket e çuditshme./Panorama


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.