Kryesore

Çiljeta në shesh për hapjen e negociatave, si e ironizoi Rama për koncertin e anëtarësimit në NATO

10:24 - 27.07.22 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

8 vite më parë, Çiljeta Xhilaga u gjend mes sherrit politik për shkak se kishte kënduar në koncertin e anëtarësimit të Shqipërisë në NATO. Festa u bë në sheshin Nënë Tereza.




Një nga momentet kulminante të koncertit ishte kur Berisha kryeministër hipi në skenë dhe bashkë me këngëtaren e njohur ngritën sy gishtat lart, në tingujt e muzikës që ushtonte në sheshin Nënë Tereza.

Demokratët dolën në opozitë në 2013. Një vit më pas, Shqipëria mori statusin e vendit kandidat. Ishte një rast për të festuar. Por jo me Çiljetën.

Me emrin e saj, kryeministri Edi Rama thumboi kundërshtarët politikë. Në një konferencë me komisionerin Stefan Fyle, Rama u shpreh “më vjen keq për Çiljetën dhe këngëtarët e tjerë që mund ta kishin ndryshe këtë ditë, po të ishin të tjerë në qeveri”.

Duke premtuar një festë dinjitoze, por modeste Rama tha “Çiljeta nuk do të këndojë, por do të ftojmë ata që duhen ftuar, edhe Sali Berishën”.

Përgjigjen e parë, e mori nga vetë këngëtarja, që atëherë ishte ende anëtare e Partisë Demokratike: “Jam krenare që kam kënduar për hyrjen në NATO, ndërsa ti gjejë strehim të vullnetarët e Enverit”, shkruajti Çiljeta Xhilaga në rrjetet sociale.

As Berisha nuk e shmangu këtë temë. Në parlament ai i tha Ramës se nuk kishte as 1% të performancës së Çiljetës.
“Kryetari juaj eurosocialist tha se nuk do të festojmë për marrjen e statusit, por kjo sepse është i vetmi që shprehet se e ka marrë statusin dhe kapet me këngëtaren e artisten e nderuar, Çiljetën. Të kishte 1/100 e performancës artistike të Çiljetës, do ishte piktor shumë më i suksesshëm se sot sepse nuk ka shitur kurrë një pikturë” tha Berisha.

Komenti i ish-kryeminsitrit shkaktoi te qeshura në sallë. Diskutimi për Çiljetën u vazhdua edhe nga deputeti i PS-së, Taulant Balla, i cili i tha Berishës “Çiljeta e ka lënë me kohë (skenën), por kam frikë se do e lësh dhe ti.”

Tre herë e përmendur brenda 10 ditëve, Çiljeta u shpreh nëpërmjet një deklarate se ndihej e vlerësuar nga ish-kryetari i Partisë Demokratike.

“Falenderoj kryeministrin Berisha për komplimentin që më bëri për parlament. Të përmendesh nga një figurë historike shqiptare, të të vlerësojnë artistikisht mbi një kryeministër, të komentohesh nga 140 deputetë në sallë dhe të bëhesh lajm i faqeve të para është vërtetë kënaqësi. Sidomos kur e gjitha kjo ndodh gjatë kohës që unë jam në shtëpi me çunin për qejfin tim. Faleminderit që më nxirrni në skenë edhe kur nuk e kërkoj atë” ishte komenti i këngëtares, që u duk se për sa kohë socialistët të ishin në pushtet, ajo nuk do të dilte në skenat e eventeve qeveritare.

Por me kalimin e viteve, socialistët ndryshuan. Ndryshoi edhe Çiljeta. Mbështetjen për socialistët ajo e ka shprehur hapur gjatë fushatës për zgjedhjet e 25 Prillit. Këngëtarja mori pjesë në disa takime elektorale, ku ishte i pranishëm drejtuesi politik për Tiranën dhe kryebashkiaku, Erjon Veliaj.

Pas hapjes zyrtare të negociatave, socialistët do të festojnë. Veliaj njoftoi në rrjetet sociale se Çiljeta do të jetë pjesë e koncertit për hapjen e negociatave në Tiranë, në 28 Korrik.

“Mora vesh që Ciljeta Xhilaga do jetë në sheshin Skënderbej në 28 Korrik. Di gjë ti? Do festojmë dy ngjarje historike: -vjetorin e marrëdhënieve SHQIPËRI-SHBA si edhe hapjen e negociatave me Bashkimin Evropian!” shkruan Veliaj.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.