AKTUALITET

Niko Peleshi pas sulmit të agjentëve rusë: Mirënjohje dy ushtarakëve që mbrojtën objektin strategjik të Gramshit

07:14 - 21.08.22 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Ministri i Mbrojtjes Niko Peleshi ka shprehur mirënjohjen ndaj dy ushtarëve shqiptarë që mbrojtjën objektin e Uzinës së Armëve në Gramsh teksa u sulmuan nga tre shtetas rusë të cilët dyshohet se janë agjentë të shërbimit sekret.




Përmes një postimi në rrjetet sociale, Peleshi shkruan se dy ushtarakëve iu është garantuar mbështetja e Ministrisë së Mbrojtjes. Ndërsa u ka uruar shërim të shpejtë.

Postimi i plotë:

Mirënjohje dy ushtarakëve tanë që sakrifikuan për të ruajtur një objekt strategjik siç është uzina e Gramshit. Bisedova me ta dhe u garantova mbështetjen e pakursyer timen dhe të Ministrisë së Mbrojtjes. Pranë dy ushtarakëve shkoi edhe Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të FA, gjeneral brigade Arben Kingji.

Shërim të shpejtë dy efektivëve tanë!

Sipas Ministrisë së Mbrojtjes ngjarja në uzinën e armëve në Gramsh, ku tre rusë tentuan të futen ka ndodhur rreth orës 17:40. Sipas njoftimit, roja ka vënë re lëvizjet e dyshimta rreth objektit dhe menjëherë ka njoftuar përgjegjësin, se një person ka hyrë brenda territorit.

Sipas ministrisë, të dy efektivët që mbetën të plagosur nga përleshja kanë zbatuar rregullat ushtarake me qëllim për të ndaluar personin, duke i bërë fillimisht thirrje.

Shtetasi i huaj, i cili është rus është kundërpërgjigjur duke përdoruar spray neoparalizues ndaj dy ushtarakëve për të shpëtuar, por dy rojet ushtarake kanë bërë ndalimin e tij.

“Ndërkaq janë vërejtur edhe dy persona të tjerë jashtë rrethimit të Uzinës, një femër dhe një mashkull që shoqëronin këtë shtetas. Ndaj personeli i Policisë Ushtarake ka njoftuar menjëherë Policinë e Shtetit, e cila ka bërë ndalimin edhe të dy personave të tjerë jo shumë larg nga uzina”, thuhet në reagim.

Informacion i ministrisë se Mbrojtjes mbi ngjarjen e ndodhur në Uzinën e Gramshit

Rreth orës 17:40 të ditës së sotme (e shtunë 20 gusht), roja në Uzinën Ushtarake të Gramshit ka vënë re lëvizje të dyshimta rreth objektit. Menjëherë ai ka njoftuar përgjegjësin e rojeve se një person ka hyrë brenda territorit dhe ka tentuar të bëjë fotografi. Të dy efektivët kanë zbatuar rregullat ushtarake me qëllim ndalimin e personit, duke i bërë fillimisht thirrje të ndalojë. Pavarësisht thirrjes së rojes dhe përgjegjësit të ruajtjes së Uzinës, personi ka tentuar të largohet, por falë reagimit të shpejtë të dy efektivëve është bërë ndalimi i tij. Në këtë moment personi është kundërpërgjigjur duke përdoruar spray neoparalizues ndaj dy ushtarakëve për të shpëtuar, por dy rojet ushtarake kanë bërë ndalimin e tij.

Menjëherë pas njoftimit policia ka bërë shoqërimin e shtetasit rus, M. Z., 24 vjeç, në ambientet e Komisiaratit të Policisë Gramsh, për veprime të mëtejshme.

Ndërkaq janë vërejtur edhe dy persona të tjerë jashtë rrethimit të Uzinës, një femër dhe një mashkull që shoqëronin këtë shtetas. Ndaj personeli i Policisë Ushtarake ka njoftuar menjëherë Policinë e Shtetit, e cila ka bërë ndalimin edhe të dy personave të tjerë jo shumë larg nga uzina.

Shërbimet e Policisë bënë të mundur që në afërsi të kësaj zone të konstatojnë dhe të bllokojnë automjetin tip “Chevrolet”, me të cilin udhëtonin shtetasja ruse S.T. 33 vjeçe dhe shtetasi ukrainas F. A., 25 vjec, të cilët janë shoqëruar për veprime të mëtejshme.

Të tre personat aktualisht janë të shoqëruar nga policia, e cila në bashkëpunim me institucionet e tjera po vijon hetimet mbi ngjarjen e ndodhur

Në vendngjarje ndodhen edhe përfaqësues të Policisë Ushtarake dhe Agjencisë së Inteligjencës dhe Sigurisë së Mbrojtjes dhe në bashkëpunim me Departamentin e Policisë Kriminale dhe Drejtorisë së Antiterrorit në Policinë e Shtetit po koordinojnë veprimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.

Ndërsa dy ushtarakët e dëmtuar pas ndihmës së parë mjekësore janë transportuar në Tiranë për ndihmë mjekësore më të specializuar dhe ndodhen nën kujdesin e mjekëve jashtë rrezikut për jetën.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.