Kryesore

Jetimët e “Zyber Hallulli-t” më pak ushqim nga sa thotë ligji, Xhixho: Të mblidhen urgjent “Miqtë e fëmijëve”

18:47 - 30.09.22 K.K
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Deputeja e Partisë së Lirisë, Erisa Xhixho bën me dije se i ka drejtuar një kërkesë kryetares së Kuvendit Lindita Nikolla në lidhje me raportin auditues të Kontrollit të Lartë të Shtetit mbi abuzimin skandaloz me fondet e ushqimit të fëmijëve të jetimores “Zyber Hallulli”.




Me anë të një postimi në rrjetet sociale, Xhixho thekson se është i “domosdoshëm informimi në detaje nga drejtuesit e institucioneve përgjegjëse të evidentuar në raportin e KLSH dhe adresimin e këtij shqetësimi alarmant”.

Reagimi:

Pas publikimit të raportit auditues të Kontrollit të Lartë të Shtetit mbi abuzimin skandaloz me fondet e ushqimit të fëmijëve të jetimores “Zyber Hallulli”, ju bëj me dije se i jam drejtuar me një letër kryetares së Kuvendit, me anë të së cilës i kërkoj mbledhjen urgjente të grupit të deputetëve “Miqtë e fëmijëve”, për të analizuar gjetjet e raportit.

Si nënkryetare e këtij grupi, e konsideroj të domosdoshëm informimin në detaje nga drejtuesit e institucioneve përgjegjëse të evidentuar në raportin e KLSH dhe adresimin e këtij shqetësimi alarmant.

Këta fëmijë që fati i ka privuar nga prindërit janë përgjegjësi e të gjithëve ne

Letra e plotë:

E nderuar zonja Kryetare,

Një raport i përpiluar nga Kontrolli i Lartë i Shtetit, pas auditimit të kryer në Shtëpinë e Fëmijës “Zyber Hallulli”, nxjerr në pah situatën tronditëse në të cilën gjenden fëmijët e kësaj strehe.

Prej të paktën 4 vitesh, jetimët në këtë qendër konsumojnë më pak ushqim se sa është përcaktuar në ligj.

Sipas KLSH-së , vlera në lekë e përcaktuar për kuotën ditore për fëmijët jetimë. nuk i përgjigjet të njëjtës sasi ushqimore që duhet të konsumojnë fëmijët.

Është alarmante dhe skandaloze kjo që ndodh në institucionin, që me ligj merr përsipër rritjen e shëndetshme dhe edukimin e këtyre fëmijëve të pambrojtur.

Prandaj, si deputete e Kuvendit të Shqipërisë dhe nënkryetare e grupit të deputetëve “Miqtë e Fëmijëve”, bazuar në pikën 1.6 të Rregullores së Brendshme të grupit, kërkoj mbledhje urgjente me këtë rend dite:

1 – Debat lidhur me gjetjet të raportit të KLSH-së për jetimoren “Zyber Halluli” dhe shkeljet flagrante të ligjit dhe të drejtave të fëmijëve;

2 – Informimin nga drejtuesit e institucioneve përgjegjese të evidentuar në raportin e KLSH, institucioneve të shërbimit social dhe përfaqësuesit e KLSH-së , të cilë t kanë kryer auditimin.

Me besim të plotë te ndjeshmëria juaj ndaj të drejtave të fëmijëve, le të bëjmë hapin e parë për të zbardhur plotësisht atë që ndodh në të vërtetë në këto institucione.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.