EKONOMI

Yield-i i Bonove 12 mujore rritet më tej në 4.74%, qeveria nuk plotëson shumën e kërkuar!

07:28 - 05.10.22 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Yield-et e Bonove të Thesarit vijuan prirjen rritëse edhe në ankandin e parë të muajit tetor. Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, në ankandin e ditës së martë yield-i mesatar i ponderuar i Bonove me maturim 12 mujor arriti në 4.74%, nga 4.53% që kishte qenë në ankandin e fundit të muajit shtator. Shifra e shënuar sot shënon një rekord të ri të yield-eve të Bonove 12-mujore për nëntë vitet e fundit.




Kërkesa e intensive e qeverisë shqiptare për huamarrje në javët e fundit ka shkaktuar një tkurrje të likuiditetit të lirë në treg dhe kërkesës së investitorëve në ankande. Nga 7.5 miliardë lekë që kishte qenë shuma e shpallur për financim, në ankand u paraqitën kërkesa totale për vetëm 5.5 miliardë lekë.

Ministria e Financave pranoi kërkesa për vetëm 3.9 miliardë lekë, pothuajse sa gjysma e shpallur për financim para anakndit. Ky vendim, me sa duket, është marrë për shkak të yield-eve të larta të kërkuara nga një pjesë e investitorëve.

Yield-i maksimal i pranuar në ankand shënoi vlerën në 5.32%, ndërsa yield-i maksimal i kërkuar nga investitorët arriti edhe në 5.5%. Nëse Ministria e Financave do të kishte pranuar më shumë kërkesa, yield-i mesatar i ponderuar i ankandit do të kishte rezultuar edhe më i lartë.

Rritje të mëtejshme shënoi edhe yield-i mesatar i ponderuar i Bonove me maturim 3-mujor, që arriti në 2.78%, nga 2.25% në ankandin e mëparshëm. Yield-et e instrumenteve të borxhit po rriten me ritme të shpejta. Në harkun e një viti, yield-i mesatar i ponderuar i bonove 12 mujore është rritur me pothuajse 3 pikë përqindje.

Të mërkurën Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë do të zhvillojë mbledhjen e radhës për vendimmarrjen e politikës monetare. Të gjitha gjasat janë që norma bazë e interesit të rritet më tej nga niveli prej 1.75%, duke parë sinjalet që ka dhënë Banka e Shqipërisë në mbledhjet e mëparshme dhe nivelet ende në rritje të inflacionit. Sipas Instat, në muajin gusht inflacioni shënoi një rekord të ri në afërsisht 25 vjet dhe preku nivelin 8%.

Por, ndërsa inflacioni ende nuk po ndalet, nga ana tjetër, rritja e shpejtë e normave të interesit mund të bëhet një problem serioz për të gjithë huamarrësit, duke filluar nga më i madhi, qeveria shqiptare. Nëse Banka e Shqipërisë do të rrisë sërish normën bazë të mërkurën, yield-et e Bonove do të shënojnë rritje të mëtejshme.

Kjo do të nënkuptojë rritje të mëtejshme të kostove për qeverinë shqiptare, por edhe për të gjithë huamarrësit privatë që kanë kredi në lekë me interesa të ndryshueshme. Rritja e kostos së borxhit, kombinuar me inflacionin e lartë, do të përkthehet në ulje të konsumit të familjeve, duke frenuar më tej kërkesën e brendshme, të goditur tashmë nga rritja e ccmimeve.

Pasojat mund të jenë më komplekse për bizneset. Rritja e kostos së borxhit mund të kërkojë një axhustim në rritje të marzheve dhe rritje të mëtejshme të ccmimeve të konsumit. Nga ana tjetër, me normat e interesit në rritje investimet e reja në ekonomi pritet të pësojnë një frenim drastik, duke prekur edhe komponentin e dytë më të madh të shpenzimeve në ekonomi dhe duke kompromentuar edhe më shumë potencialet e rritjes.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.