LAJMI I FUNDIT

Aksioni opozitar, nga Elbasani në SPAK/ Protesta e qytetarëve zhvendoset sot në kryeqytet!

08:58 - 12.10.22 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Me qindra qytetarë në Elbasan fikën për rreth një orë automjetet e tyre në bulevardin kryesor të Elbasanit në shenjë proteste kundër rritjes abuzive të çmimit. Drejtuesve të automjeteve iu bashkuan edhe qindra qytetarë të tjerë që vendosën të ngrinin zërin kundër keqqeverisjes së mazhorancës aktuale.




Në një prononcim për mediat, një qytetare e cila kishte dalë në bulevard u reagoi kundër rritjes së çmimeve. Ajo u shpreh se shteti nga njëra anë bën sikur u indekson pensionet nga ana tjetër rrit taksat vendore ndërkohë që rritja e çmimeve të produkteve vështirëson jetesën e tyre.

“Çmimet janë shumë të larta, s’kanë ku të vejnë më. Nuk përballohen. Me pensionet që kemi ne s’bëjmë dot asgjë. Gjoja na e shtuan pensionin me 6% por në fakt na e morën më përpara sepse na rritën taksën vendore të bashkisë. Rritja u bë pa asnjë lajmërim. Tani u kemi hyrë në hak fëmijëve”, tha ajo.

Ndërkohë, në protestë ishin edhe pedagogë të universitetit të Elbasanit. Një prej tyre u shpreh se rritja e çmimit të naftës ka sjell një efekt zinxhir në të gjithë produktet.

“Kemi çmim karburantesh më të shtrenjtin në Europë, ndërkohë që jemi nga më të varfrit. Kjo është kauzë për çdo shqiptar, pavarësisht numrave. Unë jam pedagog në Universitetin e Elbasanit dhe kam dalë për të protestuar. Rritja e karburantit ka një efekt zinxhir të rritjes së produkteve të tjera. Ne konstatojmë në numrin e regjistrimeve të të rinjve. Janë duke u larguar çdo ditë e më shumë”, tha ai.

AKUZAT

Protesta ishte thirrur nga Partia Demokratike dhe nënkryetari i PD-së, njëkohësisht drejtuesi politik i kësaj force në qytetin e Elbasanit Luçiano Boçi u shpreh se Elbasani ishte vetëm fillimi i protestave pasi ato do të shtrihen në të gjithë Shqipërinë. Sipas Boçit, rritja e çmimeve është abuzive pasi qeveria synon që të mbledh para për të blerë votat për zgjedhjet lokale.

“Nuk është vetëm çështja e rritjes së naftës, është rritur pasiguria, e shpopullimit dhe duhet reagim ndaj qytetarëve. Të parët sot janë qytetarët e Elbasanit. Krahas asaj urtësisë klasike Elbasani ka edhe pjesën e revoltës. Rritja e çmimit të naftës është një vjedhje e hapur. Bordi është antikushtetues dhe qeveria sa herë ka nevojë për para që i përdor për luksin e saj ua rrëmben shqiptarëve në forma të ndryshme, një nga këto forma është edhe përmes karburantit. Nuk ka paketa ndihme ndaj krizës, nuk ka ndihmë për studentët, shtresat në nevojë. Situata bëhet më revoltuese kur çmimet në burse bien në mënyrë progresive, ndërsa në Shqipëri rriten në mënyrë të menjëhershme. Ka një situatë zgjedhore përpara dhe qeverisë i duhen para për të blerë votat. E nisëm këtu nga Elbasani si shkëndijën e parë, për ta shtrirë në gjithë Shqipërinë. Nuk ka më kohë për të humbur, është shkelur ekonomia jonë, por edhe dinjiteti ynë. Le të shërbejë për të gjitha revoltat që do shpërthejnë në gjithë Shqipërinë”, tha ndër të tjera Boçi.

Ai dënoi sjelljen jo profesionale të Policisë së Elbasanit që sipas tij përtej interesit të qytetarëve për të protestuar, zgjodhën t’i binden urdhrave politikë për të bllokuar protestuesit t’i bashkohen tubimit paqësor.

Ndërkohë, protesta e radhës do të jetë sot në Prokurorinë e Posaçme kundër korrupsionit.

“Thirrje për protestë! Thuajse 3 vjet nga shembja kriminale e Teatrit Kombëtar dhe SPAK hesht. Heshtja është bashkëfajësi. Qytetarët kërkojnë drejtësi! Nesër(sot) në ora 10:00, përpara godinës së SPAK-ut”, njoftoi dje PD-ja.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.