EKONOMI

Pak pjesëmarrje në ankandin e obligacioneve 10-vjeçare, yield-i arrin në 7.48%!

07:44 - 12.10.22 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Rihapja e ankandit të obligacioneve 10-vjeçare që u zhvillua të martën tregoi një rënie të ndjeshme të pjesëmarrjes së investitorëve dhe rritje të mëtejshme të yield-eve. Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, nga dy miliardë lekë obligacione të nxjerra në shitje nga qeveria, në ankand u paraqitën kërkesa totale për një vlerë prej vetëm 931 milionë lekësh.




Në fund, Ministria e Financave ka pranuar kërkesa totale për vetëm 765 milionë lekë, me qëllim për të mbajtur të ulët yield-in uniform të obligacioneve. Ky yield-shënoi nivelin 7.48%, në rritje të ndjeshme nga ankandi i mëparshëm i obligacioneve 10 vjeçare, që ishte zhvilluar në muajin korrik. Në atë rast, yield-i uniform dhe kuponi i obligacionit kishte qenë 6.25%. Në harkun e më pak se tre muajve, yield-et e kërkuara nga investitorët janë rritur ndjeshëm, madje yield-i maksimal i kërkuar në ankandin e të martës arriti deri në 10%.

Pjesëmarrja ndjeshëm më e ulët në ankandin e obligacioneve 10-vjeçare mund të lidhet me një kthim në pozita pritëse të investitorëve, pasi Banka e Shqipërisë hodhi një hap të ri drejt shtrëngimit monetar javën e kaluar, duke e rritur normën bazë me 0.5 pikë përqindje dhe duke e çuar në 2.25%, niveli më i lartë prej vitit 2014. Vendimmarrja, por edhe orientimi i dhënë për tregjet për vijimësinë e normalizimit monetar, duket se kanë forcuar pritshmëritë se normat e interesit do të vazhdojnë të rriten me ritme të shpejtë. Kjo tendencë ka qenë e dukshme sidomos gjatë tremujorit të dytë të këtij viti.

Vendimi i Bankës së Shqipërisë iu ka dhënë ndërkohë një hov të mëtejshëm yield-eve të instrumenteve afatshkurtra. Bonot me maturim 6-mujor u emetuan sot me një yield-mesatar të ponderuar prej 3.83%, në rritje me pothuajse një pikë përqindje në raport me ankandin e mëparshëm të këtyre instrumenteve, që ishte zhvilluar në fund të muajit gusht. Në këtë ankand, shuma e shpallur për financim ishte një miliardë lekë, ndërsa Ministria e Financave e rriti në 1.15 miliardë lekë, duke kompensuar pjesërisht shumën e paplotësuar nga obligacionet 10 vjeçare.

Ashtu siç pritej, rritja e normës bazë të interesit po sjell rritje të shpejtë edhe në kostot e huamarrjes për qeverinë. Javën e ardhshme, do të zhvillohet edhe ankandi i radhës i bonove 12-mujore, ku pritet një rritje e mëtejshme e yield-eve. Ky efekt gradualisht po përcillet edhe në normat e interesit të huave me interes të ndryshueshëm të sektorit privat.

Rritja e shpejtë e normave të interesit pritet të shtojë ndjeshëm shpenzimet e familjeve dhe bizneseve, duke ulur konsumin dhe investimet e reja në ekonomi. Rritja e shpejtë e normave të interesit, e gërshetuar edhe normat e larta të inflacionit, është një faktor që pritet të japë ndikim të ndjeshëm negative në rritjen ekonomike gjatë viteve në vazhdim.

Nga ana tjetër, rritja e normave të interesit do të rrisë gradualisht kthimet nominale nga investimi i kursimeve, duke e ngushtuar hendekun e normave të interesit me inflacionin. Kjo vlen për depozitat bankare, ashtu si për investimin direkt në bono dhe obligacione apo për kuotat në fondet e pensioneve dhe të investimit./monitor


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.