EKONOMI

Rritja e yield-eve, për 9-mujorin individët investuan mbi 30 miliardë lekë në bono dhe obligacione

07:31 - 25.10.22 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Individët investuan një shumë rekord prej 30.2 miliardë lekësh ose rreth 258 milionë eurosh në borxhin e ri të emetuar nga qeveria shqiptare në tregun e brendshëm financiar për nëntë muajt e parë të këtij viti. Të dhënat nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare (AMF) tregojnë se blerjet e individëve në tregun primar të bonove dhe obligacioneve u rritën me 138% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.




Bonot e thesarit vazhdojnë të dominojnë investimet e individëve dhe këtë vit po shënojnë ritme shumë të larta të rritjes. Statistikat tregojnë se individët investuan 23.3 miliardë lekë në ankandet e bonove të thesarit, shumë kjo 228% më e lartë krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Bonot përbënin rreth 77% të blerjeve totale në tregun primar.

Ndërkohë, vlera e investimit në obligacione për nëntë muajt e parë të këtij viti arriti në pothuajse 7 miliardë lekë, 24% më shumë krahasuar me një vit më parë. Obligacionet përbënin rreth 23% të investimeve totale të individëve në tregun primar të letrave të borxhit qeveritar për periudhën 9-mujore.

Në mënyrë të tërthortë, shifrat tregojnë se rritja e shpejtë e yield-eve të instrumenteve të borxhit të qeverisë këtë vit ka sjellë një rritje të ndjeshme të investimeve të individëve në to. Kjo tendencë është veçanërisht e dukshme te bonot e thesarit, ku rritja e yield-eve ka qenë edhe më e shpejtë. Po të kemi parasysh edhe rritjen shumë të ngadaltë të depozitave bankare në lekë deri tani gjatë këtij viti, mund të arrijmë në përfundimin se rritja e yield-eve dhe thellimi i diferencës mes tyre dhe interesave bankare të paktën pjesërisht ka bërë që individët të preferojnë gjithnjë e më shumë bonot dhe obligacionet e qeverisë shqiptare. Një zhvillim i tillë mund të rrisë gradualisht presionin mbi sektorin bankar për të rritur me ritme më të shpejta normat e interesit të depozitave.

Paralelisht, ky është edhe një tregues i zgjerimit të horizontit të atyre individëve që zotërojnë kursime apo të ardhura në vlera të konsiderueshme. Nëse deri para pak vitesh kthimet më të larta kërkoheshin kryesisht përmes fondeve të investimit, tashmë më shumë individë po zgjedhin të marrin pjesë vetë në ankandet e tregut primar, përmes ndërmjetësve të licencuar financiarë, që janë zakonisht bankat tregtare. Në fillim të këtij muaji, Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë vendosi anullimin e vendimit të mëparshëm për mbylljen e aktivitetit të ndërmjetësimit të investimit të personave fizikë në bonot e thesarit nëpërmjet Bankës së Shqipërisë. Kjo nënkupton se pjesëmarrja në ankandet e bonove do të vazhdojë të bëhet edhe nëpërmjet sporteleve të bankës qendrore, duke iu dhënë individëve më shumë alternativa.

Mbështetur në të dhënat e Ministrisë së Financave, individët mbanin rreth 17.65% të stokut të borxhit të brendshëm publik në mesin e vitit 2022. Në vlerë, kjo përkthehet në afërsisht 120 miliardë lekë./monitor


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.