EKONOMI

Depozitat ngadalësohen, por fillojnë të rriten kursimet në monedhën vendase!

10:16 - 28.10.22 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Kursimet e individëve dhe bizneseve kanë vijuar rritjen edhe në muajin shtator, ndonëse me ritme të ngadalësuara në krahasim me gushtin, periudhë kur ka gjithnjë zgjerim të depozitave për shkak të prurjeve të emigrantëve. Sipas Bankës së Shqipërisë, në shtator stoku total i depozitave arriti në 1.26 trilionë lekë (gati 11 miliardë euro), me një rritje të lehtë prej 0.07% në krahasim me muajin e mëparshëm. Në gusht depozitat ishin zgjeruar me 24 miliardë lekë (+2%), ritmet më të larta që nga dhjetori i 2021-t, por këto janë dy periudha sezonale, që shoqërohen gjithnjë me shtim të kursimeve në banka për shkak të efekteve të turizmit dhe sidomos të ardhurave të emigrantëve.




Ndryshe nga muajt e kaluar, kur rritja e kursimeve ka ardhur nga valuta, në shtator u zgjeruan depozitat në monedhën vendase, me rreth 2.3 miliardë lekë (+0.4%), e ndikuar nga kursimet pa afat të individëve.Cikli në rritje i interesave duket se po i tërheq sërish kursimtarët drejt bankave. Banka e Shqipërisë, që nga muaji shkurt e ka rritur tre herë normën bazë, duke e çuar në 1.75%, nga minimumi historik prej 0.5% që zbriti si rrjedhojë e uljeve gjatë dekadës së fundit, kur banka ndoqi një politikë monetare lehtësuese. Kjo rritje e normës bazë është shoqëruar me të njëjtën tendencë dhe me interesat e depozitave në lekë.

Ndërkohë një alternativë tërheqëse për kursimtarët në lekë janë bërë dhe bonot e thesarit, Yield-i (interesi) i të cilave ka arritur në rreth 5% për maturimin vjetor. Në të kundërt, kursimet në valutë shënuan një rënie të lehtë me -1.5 miliardë lekë (-0.4) në shtator, në raport me muajin e mëparshëm, megjithëse ato ndikohen dhe nga efekti i kursit, teksa të dhënat raportohen në lekë.

Me bazë vjetore (shtator 2022/shtator 2021), depozitat në total u rritën me 79 miliardë lekë (+6.3%). Gati 90% e kësaj rritjeje ka ardhur nga kursimet në valutë që janë zgjeruar me 9%, ndërkohë që ato në lekë u rritën me vetëm 2%. Kjo tendencë ka bërë që pesha e kursimeve në valutë të rritet edhe më tej. Në fund të shtatorit, pesha e kursimeve në monedhë të huaj ishte 57.1%, nga 55.2% në të njëjtën periudhë të një viti më parë./monitor


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.