EKONOMI

BSH: Yield-et e bonove 12-mujore vazhdojnë rritjen, arrijnë në 5.74%!

07:13 - 02.11.22 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Yield-et e bonove të thesarit shënuan një rritje të mëtejshme në ankadin e ditës së sotme. Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, yield-i mesatar i ponderuar i bonove me maturim 12 mujor arriti në 5.74%, nga 5.26% që kishte qenë në ankandin e fundit. Yield-i bonove 12 mujore ka shënuar një rekord të ri për nëntë vitet e fundit, duke prekur vlerën më të lartë që prej majit të vitit 2013. Pavarësisht yield-eve në rritje, Ministria e Financave vendosi të rrisë vlerën e bonove të shitura në pothuajse 12 miliardë lekë, nga 10.5 miliardë lekë që kishte qenë shuma e shpallur për financim. Ashtu siç ka ndodhur edhe në ankande të tjera në të shkuarën, Ministria e Financave po tenton të kompensojë me borxh afatshkurtër shumat e paplotësuara nga ankandet e mëparshme, sidomos nga ato të obligacioneve. Rritje të fortë shënoi edhe yield-i mesatar i ponderuar i bonove me maturim 6-mujor, që arriti në 4.57%, nga 3.83% që kishte qenë në ankandin e mëparshëm të muajit tetor.




Yield-et e bonove të thesarit po rriten duke ndjekur lëvizjet e politikës monetare të Bankës së Shqipërisë. Banka e Shqipërisë ka rritur katër herë normën bazë të interesit këtë vit, ndërsa pritet të vendosë një rritje të pestë ditën e mërkurë. Ndërkohë, inflacioni i lartë dhe sinjalet e bankës qendrore kanë krijuar pritshmëri të forta se rritja e normave të interesit do të vazhdojë. Edhe për këtë arsye, yield-et e instrumenteve afatshkurtra po rriten me ritme më të shpejta se norma bazë e interesit. Ndërkohë që në periudhën mars-tetor norma bazë e interesit është rritur me 1.75 pikë përqindje, yield-i mesatar i ponderuar i bonove me maturim 12 mujor është rritur mbi dy herë më shumë, me 3.95 pikë përqindje. Përballë inflacionit të lartë, që tashmë ka kaluar nivelin e 8%, investitorët po përpiqen të ngushtojnë hendekun negativ në normat reale të interesit që përfitojnë për të financuar borxhin e qeverisë shqiptare.

Rritja e yield-eve po shton shpenzimet e qeverisë shqiptare për interesa të borxhit. Sipas të dhënave nga Ministria e Financave, për nëntë muajt e parë të vitit buxheti ka shpenzuar 21.1 miliardë lekë për interesa të borxhit të brendshëm, shumë kjo 7% më e lartë krahasuar me 9-mujorin e vitit të kaluar. Rritja pritet të vazhdojë edhe gjatë vitit të ardhshëm. Shpenzimet për interesa në buxhetin 2023 parashikohen në vlerën 60.9 miliardë lekë, në rritje me 20% krahasuar me vitin 2022.

Por, pasojat e rritjes së yield-eve do të jenë gjithnjë e më të prekshme edhe për huamarrësit që kanë kredi me interesa të ndryshueshme në lekë, që zakonisht ndërtohen bazuar mbi yield-in e bonove 12-mujore plus një marzh fiks. Në harkun e një viti, yield-i bonove 12-mujore është rritur me afërsisht 4.1 pikë përqindje, rritje që do të përcillet automatikisht për huamarrësit që kanë rivlerësimin periodik të këstit të kredisë në lekë gjatë muajit nëntor. Kjo nënkupton një rritje me afërsisht 45% të këstit për një hua tipike për blerje banese të marrë në monedhën lekë. Rritja e shpenzimeve për interesat e kredisë do të jetë goditje e mëtejshme për buxhetet familjare, të prekura tashmë edhe nga inflacioni më i lartë në 24 vjet. /monitor


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.