EKONOMI

Rritja e normave të interesit në tregun financiar tkurr përsëri fondet e investimit!

07:11 - 11.11.22 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Rënia e tregut të fondeve të investimit është thelluar më tej në tremujorin e tretë të këtij viti. Të dhënat nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare tregojnë se vlera e aseteve neto të tregut ra në 53.7 miliardë lekë, 30.8% më krahasuar me fundin e vitit të kaluar.




Rënia e tregut të fondeve të investimit këtë vit është e lidhur kryesisht me ciklin e rritjes së shpejtë të normave të interesit, që ka ndikuar negativisht në vlerën e drejtë të portofolit të investimeve ekzistuese të fondeve.

Kjo është reflektuar në rënie të kthimeve, duke i bërë fondet më pak tërheqëse për investitorët, në raport me alternativat e tjera që ofron tregu financiar. Të dhënat nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare (AMF) tregojnë se blerjet e individëve në tregun primar të bonove dhe obligacioneve u rritën me 138% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Kjo shifër shpjegon në një masë të caktuar edhe rënien e vlerës së aseteve të fondeve të investimit. Investitorët kanë preferuar të tërheqin asetet e mbajtura në fondet e investimit dhe t’i investojnë paratë direkt në instrumentet e borxhit të qeverisë shqiptare.

Inflacioni i lartë dhe rritja e shpejtë e normave të interesit është reflektuar në një rritje të shpejtë të yield-eve të titujve të borxhit qeveritar. Për instrumentet me frekuencën më të shpeshtë të emetimit, bonot 12-mujore, yield-i mesatar i ponderuar është rritur me pothuajse katër pikë përqindje në harkun e një viti.

Tregu dominohet nga fondet e investimit në lekë, që i investojnë kuotat e anëtarëve kryesisht në obligacione dhe bono të qeverisë shqiptare. Në fund të muajit shtator, fondet në lekë përbënin më shumë se 90% të aseteve neto të tregut. Nga ana tjetër, rritja e normave të interesit ka dhënë një efekt të ngjashëm negativ edhe tek fondet e investimit në valutë të huaj.

Tendenca e daljes së investitorëve nga fondet duket qartë edhe nga rënia e numrit të anëtarëve. Në fund të shtatorit, numri i anëtarëve në fondet e investimit ra në pak më shumë se 34 mijë, 14.6% më pak krahasuar me fundin e vitit 2021. Burimet nga tregu bëjën të ditur se kjo tendencë e tërheqjes së investitorëve po vijon edhe gjatë tremujorit të katërt.

Sidoqoftë, drejtuesit e shoqërive administruese të fondeve mendojnë se efekti negativ nga rritja e normave të interesit do të jetë afatshkurtër.

Rritja e yield-eve në emetimet e reja do të krijojë hapësira që kthimet e fondeve të rriten gradualisht në një periudhë afatmesëm dhe afatgjatë. Për këtë arsye, ata këshillojnë që investitorët të ndjekin një horizont afatgjatë në zgjedhjet e tyre të investimit.

Në treg aktualisht veprojnë 11 fonde investimi të menaxhuara nga pesë shoqëri administruese. Fondet e administruara nga shoqëria administruese Raiffeisen Invest ngelen dukshëm dominuese, me pothuajse 95% të aseteve neto të tregut.

Nga 11 fonde aktiveve, shtatë prej tyre dhe kryesisht ato më të mëdha kanë pësuar rënie të vlerës së aktiveve. Vetëm katër prej fondeve kanë vijuar rritjen në këtë periudhë, por pesha e tyre kundrejt totalit të tregut është shumë e vogël./monitor


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.