AKTUALITET

“Merrte pagë 6 mijë euro në muaj”/ Zbardhen hetimet e SPAK: Alqi Bllako punësoi babanë e tij drejtor kantieri në shoqërinë koncesionare!

13:45 - 16.11.22 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Emri i ish deputetit socialist Alqi Bllako ka dalë edhe në hetimet e fundit të SPAK në lidhje me aferën e Inceneratorëve. SPAK ka bërë me dije në një njoftim zyrtar se gjatë hetimeve ka rezultuar se gjatë kohës që ka mbajtur postin e sekretarit të përgjithshëm në Ministrinë e Mjedisit dhe më pas atë të drejtorit të AKU, Bllako ka favorizuar një shoqëri koncesionare duke përfituar shumë 14,964,900 lekë.




Sipas prokurorisë së Posaçme, kjo shumë parash është marrë si pagë nga ana e babit të tij Edmond Bllako i cili ka pasur detyrën e drejtorit të kantierit te shoqëria koncesionare me një pagë mujore 6 mijë euro në muaj nga tetori i vitit 2018  deri në janar 2020.

PJESË NGA NJOFTIMI I SPAK:

Nga hetimet e kryera  kanë rezultuar të dhëna se nga ana e shtetasit Alqi Bllako, gjatë kohës që ka shërbyer  në fillim me funksionin e lartë shtetëror, Sekretar i Përgjithshëm i Ministrisë së Mjedisit dhe më pas Drejtor i Përgjithshëm i Agjencisë Kombëtare Ujësjellës Kanalizime dhe Infrastrukturës së Mbetjeve (AKUM), është favorizuar shoqëria koncesionare “Integrated Technology Waste Treatment Fier” sh.p.k., kundrejt propozimit dhe marrjes në mënyrë të tërthortë të përfitimit të parregullt në shumën prej 14,964,900 (katërmbëdhjetë milion e nëntëqind e gjashtëdhjetë e katër mijë e nëntëqind) lekë. Kjo vlerë përfitimi është siguruar në trajtën e pagës së dhënë babait të tij, Edmond Bllako, duke e paraqitur si i punësuar “Drejtor Kantieri” tek shoqëria koncesionare e ndërtimit të Inceneratorit të Tiranës “Integrated Energy BV SPV” sh.p.k, në pagën mujore 6000 (gjashtë mijë) euro, pagesa të realizuar për periudhën tetor 2018 deri në janar 2020.

Rezulton se administratorët e shoqërisë koncesionare “Integrated Energy BV SPV” (ku edhe këtu shtetasi Alqi Bllako ka patur rolin e tij në funksionin e Sekretarit të Përgjithshëm të Ministrisë së Mjedisit) nëpërmjet veprimeve të kundraligjshme të tyre, e kanë pasqyruar si të punësuar shtetasin Edmond Bllako, duke bërë pagesa fiktive për shtetasin Edmond Bllako, ndërkohë që rezulton e provuar se këto pagesa janë përfitime të parregullta nga shtetasi Alqi Bllako.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.