Kosova

Asnjë marrëveshje për targat/ Albin Kurti akuza përfaqësuesit të lartë të BE-së: Josep Borrell iu përshtat më shumë qëllimit të Serbisë!

11:52 - 23.11.22 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, e ka akuzuar përfaqësuesin e Lartë të Bashkimit Evropian për politikë të jashtme, Josep Borrell, se në takimin e para dy ditëve, i është përshtatur më shumë qëllimit të Serbisë për çështjen e targave ilegale.




Në mbledhjen e Qeverisë të mërkurën, Kurti ka thënë se ndërmjetësit kanë hequr nga agjenda e takimit me presidentin e Serbisë çështjen që ‘me urgjencë të kishte përqendrim në propozimin evropian për normalizim të marrëdhënieve’, raporton Koha.net.

“Në të tretin thirrej për nisje të menjëhershme për propozimin e BE-së në nivel të lartë për të arritur marrëveshje para marsit të vitit 2023”, ka thënë Kurti duke shtuar se e ka mirëpritur propozimin.

“Pas takimit që patëm atje, Borrelli fatkeqësisht e ndryshoi premisën e negocimit. Në kundërshtim nga parimi i propozuar nga vetë ai, filloi të insistojë në marrëveshje që adreson vetëm masat e mirëbesimit, pezullimin e gjobave për targat. Qëllimi i madh u hoq nga agjenda. Nevoja urgjente për propozimin evropian me mbështetje franko-gjermane u zhduk nga tavolina, duke iu përshtatur qëllimit të Serbisë, presidenti i së cilës kishte ardhur në Bruksel jo për propozimin e BE-së, por për targat”, ka thënë Kurti.

Ai ka thënë se fillimisht propozimi ka qenë vetëm që Kosova të pezullojë fazën e dytë të vendimit për gjobitje të atyre që bartin targa ilegale. Megjithatë, Kurti ka shtuar se Kosova u pajtua që t’i jepte hapësirë propozimit, ashtu që Serbia të ndalte regjistrimin e veturave me targa ilegale. “Propozimi u pranua dhe besoj se ishte e arritur e rëndësishme e takimit”, ka thënë Kurti.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.