LAJMI I FUNDIT

Ndeshja ndaj Argjentinës/ Modriç nuk iu frikësohet amerikanojugorëve: Kemi besim dhe një mentalitet shumë të fortë

11:47 - 13.12.22 a.d
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Luka Modriç e di se sytë dhe shpresat e gjithë Kroacisë sot janë te këmbët dhe mendja e tij. Kapiteni do të përpiqet të udhëheqë kombëtaren e tij te finalja e dytë radhazi në Botëror, një arritje që pakkush e kishte parashikuar në nisje të këtij edicioni, përveç vetë 37-vjeçarit, siç ka treguar ai në një intervistë për spanjollen “RTVE”.




Ai rrëfehet nga mentaliteti i fortë i ballkanasve deri te përjetimet dhe pritshmëritë që ka nga sfida me Argjentinën dhe dueli me Mesin.

PRITSHMËRITË – “Është impresionuese të jesh përsëri në një gjysmëfinale Botërori, është diçka e pabesueshme ajo që po arrin kjo kombëtare. Është normale që askush nuk na konsideronte favoritë për të mbërritur deri këtu, pasi të gjithë shikojnë skuadrat e mëdha, por ne nuk kemi asnjë problem me këtë. Nuk na prish punë që të tjerë të konsiderohen favoritë dhe ne të jemi në hije, është diçka që nuk mund ta kontrollojmë. Ajo që na takon ne është të japim gjithçka dhe të konkurrojmë në maksimum”.

PARASHIKIMI – “Para se të largohesha në grumbullimin me kombëtaren, e kemi biseduar disa herë në dhomat e zhveshjes së Realit të Madridit si do të shkonte dhe gjithmonë i kam paralajmëruar ta kishin kujdes Kroacinë. Shikoja një ekip shumë të mirë, të pjekur dhe me të rinj që kishin sjellë shumë energji dhe cilësi. Që prej Europianit kemi humbur vetëm 1 ndeshje nga 22 të tilla dhe këtë nuk e dinim derisa na i përmendi trajneri. Është fantastike, do të thotë që kemi luajtur shumë ndeshje të mira dhe të jemi në gjysmëfinale përsëri pas katër vitesh është diçka e madhe. Mund të them që kemi të njëjtën ADN si Real Madridi, nuk dorëzohemi asnjëherë dhe u shkojmë gjërave deri në fund”.

MENTALITETI – “Po tregojmë besim dhe një mentalitet shumë të fortë. Gjithmonë shfaqet dikush në momente të caktuara ashtu si ndodhi herën e fundit me portierin tonë dhe më bëhet shumë qejfi për të, pasi ka treguar që është super në rolin e tij. Penalltitë me Japoninë i pashë nga stoli dhe është shumë herë më keq se t’i përjetosh në fushë edhe pse përgjegjësia e goditjes është e madhe. Duhet të jesh i qetë dhe me shumë besim në atë rast.

EPISODI ME RODRIGON – “Rodrigo ëhstë një djalë i mrekullueshëm, e dua shumë dhe kemi një raport shumë të mirë. Më vjen keq që ishte ai përballë nesh që u eliminua, por jam shumë i lumtur për vendin tim, doja vetëm ta inkurajoja pas ndeshjes, pasi kam qenë në të njëjtën situatë në Europianin e 2008-ës dhe e di që nuk është e lehtë, edhe pse mund të të forcojë për të ardhmen”.

RIVALËT – “Kur na mundi Maroku ndeshjen e parë të gjithë në Kroaci na kryqëzuan, por shikoni ku janë tani. Ishin rival i vështirë. Argjentina është skuadër e madhe, me shumë dëshirë për të luajtur dhe për të fituar. Sigurisht që Mesi është lojtari më i mirë prej tyre dhe do të kemi shumë vështirësi për ta ndalur, por do të japim gjithçka. Do të tentojmë të bëjmë ndeshjen më të mirë të turneut dhe jetës sonë. Shpresoj që të jetë e mjaftueshme për të arritur në finale, ku sigurisht që nuk kam preferenca për rivalin”.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.