BOTA

Mbërrijnë në SHBA udhëtarët e parë kinezë pas rihapjes së kufijve

22:55 - 14.01.23 a.d
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Pekini ka raportuar se vendi tani ka kaluar “kulmin e përhapjes” së virusit Covid-19. Të dhënat e fundit që shteti komunist raportoi ishin se gati 60 mijë njerëz kanë vdekur nga Covid-19 nga fillimi i dhjetorit, ndonëse kjo shifër nuk përfshin personat e infektuar që mund të kenë vdekur në shtëpi. Kufijtë e Kinës u hapën për herë të parë së fundmi, që nga fillimi i pandemisë dhe disa nga qytetarët e saj janë nisur drejt Shteteve të Bashkuara, në udhëtimin e tyre të parë jashtë vendit. Korrespondentja Elizabeth Lee sjell përshtypjet e disa prej udhëtarëve të parë kinezë që kanë ardhur në SHBA.




Udhëtarët kinezë në SHBA po i gëzohen lirisë për të udhëtuar.

“Ndjej lehtësim të madh këtu”, tha Jenna, banore kineze e Los Anxhelosit.

Ajo nuk e jep mbiemrin, një gjë jo e pazakontë pasi qytetarët kinezë që flasin për media kanë frikë nga qeveria kineze. Ajo është këtu për të pritur motrën e saj, Nina, e cila sapo ka ardhur nga Kina. As Nina nuk e jep emrin e saj të plotë.

“Dua të shijoj qëndrimin tim dhe të shoh foshnjën e sapolindur të motrës sime”, thotë Nina pasi arrin në Los Anxhelos.

Jenna mbërriti në nëntor ndërsa ishte shtatëzënë. Ajo udhëtoi ndërsa Kina vazhdonte politikën e saj të ashpër kundër përhapjes së virusit “Covid-19”.

“Pasi mbërrita në SHBA, ishte hera ime e parë që dola jashtë pa maskë. Unë po e mbaj maskën në aeroport sepse këtu ka shumë njerëz, por kur erdha këtu shijova ajrin e pastër për herë të parë në tre vjet”, tha më tej Jenna. Këta janë disa nga qytetarët e parë kinezë që mbërrijnë në SHBA pasi Pekini ndryshoi politikën e tij dhe filloi të lëshojë përsëri pasaporta. Me hapjen e kufijve të Kinës, disa vende, përfshirë SHBA-në, filluan të kërkojnë teste negative për Covid-19 për udhëtarët kinezë. Rregullat e udhëtimit të vendosura nga vende të ndryshme nxitën Kinën të reagojë, edhe pse udhëtarët e huaj që hyjnë në Kinë duhet gjithashtu të paraqesin një test negativ për COVID-19.

“Ne u bëjmë thirrje edhe një herë vendeve që të vendosin masa mbështetur në fakte dhe në shkencë. Ata nuk duhet të përfshihen në manipulime politike; masat nuk duhet të jenë diskriminuese”, tha zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme kineze, Wang Wenbin.

Mungesa e transparencës së Kinës me të dhënat e saj mbi COVID-19 motivoi SHBA-në që të kërkoi një test negativ nga udhëtarët kinezë.

“Ne duhet të shohim shumë më tepër të dhëna për të kuptuar se çfarë virusesh qarkullojnë. Gjëja tjetër që nuk kemi parë janë të dhënat për shtrimet në emergjencë. Mungesa e këtyre informacioneve vonon identifikimin e varianteve të virusit dhe më pas i lë zyrtarët tanë të shëndetit publik më pak të përgatitur për t’iu përgjigjur varianteve të reja që mund të lindin”, tha Nahid Bhadelia nga Ekipi i Shtëpisë së Bardhë për Covid-19.

Studentja Li Hao thotë se testimi para fluturimit për në Uashington ishte i mundimshëm.

“Është e papritur. U desh një ditë shtesë për të bërë testin, por mbase aktualisht është e nevojshme”, tha zoti Li.

Me të arritur në SHBA, disa kinezë thonë se do të marrin vaksinën kundër COVID-19.

“Kam marrë tre vaksina në Kinë dhe do të bëj edhe një në SHBA”, tha Lily, kinezja që udhëtoi nga Hong Kongu në Uashington.

Disa nga udhëtarët kinezë thonë se nuk janë të shqetësuar se mos sëmuren në SHBA pasi dendësia e popullsisë amerikane është më e ulët se në Kinë./VOA


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.