


Trajneri legjendar i Kroacisë, Mirosllav ‘Çiro’ Blazheviç, ka ndërruar jetë sot në Zagreb, në moshën 87-vjeçare. Lajmi është dhënë nga familjarët dhe Federata Kroate e Futbollit.
Blazheviç konsiderohet në Kroaci si trajneri i të gjithë trajnerëve. Ai e ka drejtuar kombëtaren kroate në periudhën 1994-2000, duke e çuar skuadrën e kampionëve të mëdhenj, si Davor Shuker, Zvonimir Boban dhe Robert Prosineçki në një gjysmëfinale historike në pjesëmarrjen e parë në një Botëror, në Francë 1998. Kroacia e mbylli Botërorin në vend të 3-të.
Blazheviç ka qenë edhe një mik i madh i shqiptarëve. Gjatë karrierës së tij ai ka drejtuar edhe Prishtinën dhe gjithmonë e ka shprehur hapur se në Kosovë është ndjerë më mirë se askund tjetër, falë dashurisë së njerëzve.