AKTUALITET

Takimi Kurti-Vuçiç në Ohër, Bashkimi Europian publikon pikat e diskutimit për të cilat u negociua për më shumë se 10 orë

19:03 - 19.03.23 E.D
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Bashkimi Europian ka publikuar aneksin e diskutimeve të zbatimit të marrëveshjes mes Kosovës dhe Serbisë.




Sipas BE-së Kosova dhe Serbia ranë dakord për të respektuar të gjitha nenet e marrëveshjes dhe këtë aneks bisedimesh, si dhe të zbatojnë të gjitha detyrimet përkatëse.

Kujtojmë se ditën e djeshme kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti serb, Aleksandër Vuçiç u takuan në qytetin e Ohrit në Maqedoninë e Veriut, ku diskutuan për më shumë se 10 orë mbi zbatimin e planit europian për dy vendet (planit franko-gjerman).

Reagimi i BE:

Kjo shtojcë përbën një pjesë integrale të Marrëveshjes.

Kosova dhe Serbia angazhohen plotësisht të respektojnë të gjitha Nenet e Marrëveshjes dhe këtë Aneks, dhe të zbatojnë të gjitha detyrimet e tyre përkatëse që rrjedhin nga Marrëveshja dhe ky Aneks në mënyrë të përshtatshme dhe në mirëbesim.

Palët kanë parasysh se Marrëveshja dhe Aneksi i Zbatimit do të bëhen pjesë integrale e proceseve përkatëse të anëtarësimit të Kosovës dhe Serbisë në BE. Palët vënë në dukje se menjëherë pas miratimit të Marrëveshjes dhe këtij Aneksi, ndërmjetësuesi i BE-së do të fillojë procesin për të ndryshuar standardet e Kapitullit 35 për Serbinë, për të pasqyruar detyrimet e reja të Serbisë që rrjedhin nga Marrëveshja dhe ky Aneks. Agjenda e Grupit Special të Kosovës për Normalizim do të pasqyrojë në mënyrë të barabartë obligimet e reja të Kosovës që rrjedhin nga Marrëveshja dhe ky Aneks.

Palët bien dakord të miratojnë Deklaratën për Personat e Zhdukur, siç është negociuar në kuadër të Dialogut të lehtësuar nga BE-ja, si çështje urgjente.

Për të zbatuar nenin 7, Kosova fillon menjëherë negociatat në kuadër të dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja për vendosjen e anganzhimeve dhe garancive specifike për të siguruar një nivel të duhur të vetë-menaxhimit për komunitetin serb në Kosovë, në përputhje me marrëveshjet e mëparshme përkatëse të Dialogut siç përcaktohet nga ndërmjetësuesi i BE-së.

Palët bien dakord të krijojnë një Komitet të Përbashkët Monitorues, të kryesuar nga BE-ja, brenda 30 ditëve. Zbatimi i të gjitha dispozitave do të sigurohet dhe mbikëqyret nga Komiteti i Përbashkët i Monitorimit.

Për të zbatuar nenin 9, BE-ja do të organizojë një konferencë donatorësh brenda 150 ditëve për të krijuar një paketë investimi dhe ndihme financiare për Kosovën dhe Serbinë. Asnjë disbursim nuk do të ndodhë përpara se BE-ja të përcaktojë se të gjitha dispozitat e marrëveshjes janë zbatuar plotësisht.

Kosova dhe Serbia pajtohen që të gjitha nenet do të zbatohen në mënyrë të pavarur nga njëri-tjetri.

Rendi i paragrafëve të kësaj shtojce nuk cenon rendin e zbatimit të tyre.

Kosova dhe Serbia pajtohen të mos bllokojnë zbatimin e asnjë prej neneve.

Të gjitha diskutimet në lidhje me zbatimin e marrëveshjes do të zhvillohen në kuadër të Dialogut të ndërmjetësuar nga BE.

Kosova dhe Serbia pranojnë se çdo mosrespektim i obligimeve të tyre nga marrëveshja, ky Aneks ose Marrëveshjet e Dialogut të kaluar, mund të ketë pasoja të drejtpërdrejta negative për proceset e tyre përkatëse të anëtarësimit në BE dhe ndihmën financiare që marrin nga BE-ja.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.