AKTUALITET

Samarxhi: Pashka ngjalli shpresë dhe ndriçoi krijesën e gjinisë njerëzore

10:00 - 17.04.23 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Nga FERDINAND SAMARXHI – NDER I KOMBIT / O Zot, eja ndiz llambadën dhe vizito vreshtin që e ke mbjellë me dorën tënde!




Në vend të prologut………

O Zot, eja vizito vreshtin që e ke mbjellë me dorën tënde!

Psalt hyjnor. Kisha universale botërore fton Zotin të vizitojë këto ditë gjininë njerëzore. Ta gëzojë krijesën e saj, dhuratë Perëndie, që e krijoi si një qenie njerëzore, edhe pse shkenca marksiste nuk e pranon njeriun si krijesë ekzistenciale kozmike hyjnore, por si një hop të madh të historisë të teorisë evolucioniste të Carls Darvinit, që njeriu është zhvillim evolucionar i qenies së më të zhvilluar dhe të ngjashëm llojit majmun, të tipit neolit të hershëm dhe më vonë të tjerëve në histori, të konceptit evolucionist, që nga puna, majmuni u bë njeri.

Perëndia krijoi besimin si ekzistencë hyjnore të jetës. Krijoi njeriun, si zëvendë shyjnor të Zotit në tokë, për ta menaxhuar universin, për ta soditur vreshtin e mbjellë me dorën e saj, për ta bërë atë që të lumturojë krijesën e saj njerëzore.

Krijesa njerëzore, duke adhuruar Zotin, me besim tek ai është udhëhequr dhe ka motivuar jetën e saj.

Zot i besimit e ka udhëhequr atë për të besuar Perëndinë.

Perëndia krijoi universin për ta soditur e vaditur atë.

Krishti dërrmoi pushtetin e vdekjes.

Ndriçoi gjininë njerëzore.

Ecurinë e botës, perspektivën dhe dinamikën e jetës…

…Le të ndriçohemi nga e kremtja e ndritshme, ngazëllyese e Pashkës.

Katedrale e Shën Palit. Vigjilje Pashke. Kënga “Exsultet”,psalt hyjnor, vazhdon dhe bëhet elektrizues në liturgjinë e Pashkës hyjnore.

Sonte, në këtë natë të errët, vigjilje Pashke, kemi ndezur zjarrin e ri. Dëshiroj që ky zjarr, kumton Arqipeshkvi Metropolitan, Shkëlqesia e tij, Imzot Arjan Dodaj, t’ju japë shpresë. Në këtë natë të dritës së vogël, por fitimtare të qiriut të Pashkëve, të ndjekim Jezusin të bashkuar që na paraprin.

Në vigjiljen e Pashkës, përjetojmë shpërthimin e britmës plot gëzim sepse është mundur vdekja, vuajtja është shëlbuar dhe çdo lot është fshirë. Kjo vigjilje është paraprirë nga heshtja e të Shtunës së Madhe, ku dhe dhimbja e vdekjes së Jezusit është transformuar në heshtje, në heshtjen e lutjes për shpëtim. Është kjo heshtje që na ka përgatitur për të mirëpritur këtë britmë gëzimi. Ky është gëzimi i Pashkëve, jo gëzim që e fshin ose injoron dhimbjen, por gëzim që bëhet i fortë kur kalon nëpërmjet përvojës së dhimbjes që përjeton mbarë bota, ashtu siç Jezusi kalon nëpërmjet vdekjes që kushtëzon ekzistencën njerëzore dhe sjell në të gëzimin e Ringjalljes. Ja, pra, në heshtjen e kësaj nate të bekuar, këndojmë së bashku “Aleluja” si persona plot shpresë në Krishtin e Ringjallur, të aftë për të shoqëruar edhe shumë e shumë persona të tjerë, që ndoshta në këtë natë nuk kanë forcën të këndojnë Aleluja, pasi dhimbja e tyre vazhdon të jetë akoma shumë e madhe dhe britma e tyre e paaftë që të gjejë një përgjigje shprese.

Ne hyjmë në Pashkën e Zotit. Premtimi i Zotit për ne është që asgjë nuk do të humbasë nga mirësia e zemrës tënde, përkundrazi, do të mbesë në amshim. Gjithçka që kemi bërë e përjetuar në përvojën e dashurisë, të bamirësisë dhe të dhuratës së vetes sonë, gjen në Zotin një dimension të pavdekshëm, ndonëse para syve të njerëzve mund të duket e kotë. Ky është premtimi që na bën edhe ne Jezusi sonte, ndërsa ndan bukën me ne dhe çdo herë që shpërndajmë këtë bukë Eukaristike mes nesh, atëherë në emrin e Tij thyejmë logjikën e së keqes, pushtetit, egoizmit dhe dhunës. Kjo është buka e Paqes, e kungatës së re në kungimin e Korpit të Krishtit!

 

“Të lutemi Zot, që ky qiri i ofruar në nder të emrit tënd për të ndriçuar errësirën e kësaj nate, të shndrisë prej një drite që kurrë nuk fiket, kumton arqipeshkvi metropolitan, Shkëlqesia e tij, Imzot Arjan Dodaj.

…… Sot është ditë e ngjalljes, ndriçohu o popull! Pashka e Zotit, Pashka. Se Krishti, Perëndia ynë, na shpuri drejt vdekjes te jeta, prej dheut në qiell, duke kënduar këngën e fitores: “Krishti u ngjall së vdekurish”.

….kjo është fitorja, shkruan Apostull Joan, që mundi botën, besimi ynë!

Sot gëzohet dhe ngazëllohet e tërë krijesa, se u ngjall Krishti dhe ferri u robërua. Ejani të ngazëlloheni me Zotin.

Ku është gjembi yt o vdekje, ku është fitorja jote o Hadh. U ngjall Krishti dhe ti u munde.

…Le të thërrasë me gëzim te Zoti i tërë dheu! Këndojini emrit të tij, jepini lavde lavdimit të tij. I gjithë dheu le të falet e le të lëvdojë Ty! Le të lëvdojë emrin tënd. Që të mund të njohim udhët e tua mbi dhe, dhe shpëtimin tënd në tërë kombet.

Ndriçohu, ndriçohu, qytet i ri, Jerusalem, si lavdia e Zotit, përmbi ty është ngjallur sot! Vallëzo tani dhe gëzohu o Sion dhe ti o Hyjlindëse e pastër, dëfrehu në ngjalljen e birit tënd.

Pashka e Zotit do të na ndriçojë. Kjo është dita që Zoti e ka bërë, le të gëzohemi dhe të ngazëllohemi me të!

Pashka ndriçoi Galilenë. Krishti i ngjallur ngazëllen me gëzim çdo zemër njerëzore, të lënduar, të shkurajuar, të errësuar.

Kisha përmes himnologjisë së shenjtë të Pashkës, na fton në një kalim vendimtar: Pashka me gaz le të përqafojmë njëri-tjetrin. Oh, Pashka na çliron prej hidhërimit.

Hidhërimi dhe gëzimi kumton Kryespiskopi Anastas, gjenden përkrahë njeri-tjetrit në jetën njerëzore. Të gjithë të jetojmë me frymën e Pashkës, me Krishtin e ngjallur.

Përpara Pësimit, gjatë Darkës Mistike, Krishti ua bëri të qartë nxënësve: “Kështu dhe ju, pra, tani keni hidhërim, por kur përsëri do t’ju shoh dhe zemra juaj do të gëzohet dhe askush nuk do t’jua marrë gëzimin”.

Kur Krishti i Ngjalluar iu shfaq për herë të parë nxënësve të tij, Ungjillor Joani thotë se ata “u gëzuan kur panë Zotin”.

 

Gëzimi i Pashkës, kumton Kryepiskopi Anastas, buron brenda dhimbjes së shumëtrajtshme që i kishte paraprirë: tradhtia, mohimi, shpërfillja, vdekja në kryq. Pashka kryqngjallësore të çliron nga çdo lloj hidhërimi: ngjallja e Krishtit vërteton fitoren e së vërtetës ndaj gënjeshtrës, të dashurisë ndaj urrejtjes, ngadhënjimin e jetës mbi vdekjen. Krishti i Ngjallur zhduk çdo gjurmë të Hadhit. Trondit pushtetin e vdekjes që sjell dhuna, krenaria, padrejtësia.

…Në çastet më të vështira të jetës përpiqemi të jetojmë me ungjillin. Edhe pse të lënduar, edhe pse të vuajtur, përsëri besimi tek ungjilli, Zoti i ngjallur na jep forcë, na jep shpresë. Fuqia e Zotit te ne ngjallet. Himnet troparet në kishë na ftojnë në gëzimin Paskal se pavdekësia nuk mbaron të Premten e Zezë, por me ringjalljen e tij. “Mos keni frikë! Ja unë jam me ju, gjatë ditëve të jetës tuaj (Math 28:20)

Ngjallja, dritë, vjen si simfoni jetëdhënëse që mposht errësirën, mposht urrejtjen!

Që siç u ngjall Krishti prej së vdekurish me anë të lavdisë së të Atit, kështu edhe ne ecim në jetë të re!

“Jemi të munduar nga çdo anë, por jo të ligështuar; jemi të pështjelluar, por jo të dëshpëruar; përndiqemi, por nuk jemi të braktisur; na kanë hedhur tej, por nuk kemi marrë fund” (2 Kor. 4:8-10). “… jemi të hidhëruar, por gjithmonë të gëzuar; jemi të varfër, por pasurojmë shumë veta; nuk kemi asgjë, por në të vërtetë kemi gjithçka” (2 Kor. 6:6-11).

… “Unë mund të bëj gjithçka, na siguron Apostuli i Kombeve, përmes Krishtit që më forcon” (Filip. 4:13).

Siguria e gëzimit ngjallësor kumton Kryepiskopi Anastas, mbështetet mbi themele të forta, së pari te siguria që na dha Krishti.

“M’u dha çdo pushtet në qiell dhe në tokë” (Mt. 28:18).

Së dyti nga siguria që dha Krishti i ngjallur, “Unë do të jem me ju të gjitha ditët, deri në fund të kohërave” (Mt. 28:20).

Dhe së treti: “Gëzimi Paskal shumëfishohet kur dhuron gëzim aty ku urrejtja është me tepri, aty ku dëshpërimi të merr frymën.

Pashka, me gaz le të përqafojmë njëri-tjetrin,

Oh, Pashka, na çliron prej hidhërimit”.

Prandaj, Apostulli korife e thekson me këmbëngulje: “Gëzohuni gjithnjë në Zotin. Përsëri ju them: Gëzohuni!” (Filip. 4:4, 1 Thes. 5:16).

Drita e të Ringjallurit kurrë nuk fiket, nata është mundur, por ne jemi akoma të thirrur ta jetojmë këtë fitore në formën e thellë të shpresës, me kurajën e atij që është i aftë të ndezë qiriun e vet në çdo natë të shoqërisë sonë, për t’i lejuar dritës së Krishtit të Ringjallur të transformojë jetën tonë dhe ta bëjë të aftë dhe ngushëlluese për vuajtjen e shumë vëllezërve.

Pashka ngjall te njeriu besimin, ndjesinë e vlerës së tij shpirtërore dhe morale.

 

Mendimi teologjik filozofik ka theksuar si veçori të ikonës hyjnore të kuptuarin, ndërgjegjen vullnetin. Dinjiteti njerëzor bazohet në atë që njeriu është krijuar sipas “ikonës së Perëndisë” (Gjen.1:26-27,5:1) dhe i është dhënë mundësia të ecë drejt “ngjashmërisë”, duke përdorur elementin “llojit hyjnor”, i cili ekziston brenda natyrës njerëzore.

Vlera e njeriut, dinjiteti ynë, plotësohet dhe përsoset në rrugën tonë për t’u bërë “pjesëmarrës të natyrës hyjnore” (2 Petr.1:4). SHën Grigor Theologu e përkufizon njeriun si “një qenie që, ndërsa jeton këtu, udhëton për në një vend tjetër dhe qëllimi i misterit është të hyjnizohet, si pasojë e thirrjes së Perëndisë” (Migne 36:632). Me ngjarjet e Pashkës, Krishti “vuan si i vdekshëm dhe nëpërmjet pësimit, të vdekshmin e vesh me hijeshinë e paprishjes”(Shën Joan Damaskinoi).

 

 

“Ejani pra, të ngazëllohemi me Zotin që ndriçoi gjininë njerëzore, të bëhemi pjesë e atij tropari të shenjtë hyjnor, mbizotërues në jetën tonë! O Zot, eja vizito vreshtin që e ke mbjellë me dorën tënde.

Drita që nuk perëndon e ngjalljes së Krishtit shkëlqen brenda krijimit të dukshëm, në mbarë botën. Çdo njeri, çdo besimtar, ftohet të marrë dhe ta transmetojë dritën paskale, të ndezë dhe ai llambadën e saj, që Perëndia të na vizitojë të na soditë, si vreshtin e saj gjininë njerëzore, ta vaditë atë gjithnjë me hirin e Perëndisë. Dhe psaltët t’i japin tonin kësaj thirrjeje: “U ndriçua gjithësia me ngjalljen tënde o Krisht”.

“Ejani merrni dritë nga drita që nuk perëndon” …Është koha për ndriçim… eja dhe ndiz llambadën tënde, llambadën e gëzimit.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.