Kryesore

“Polonia ju bëri nder”, De Biazi beson te kualifikimi: Ja pse Shqipëria ka shanse për vendin e parë (E PLOTË)

13:51 - 23.06.23 E.P
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

 




Dy fitoret kundër Moldavisë dhe Ishujve Faroe, vendi i dytë në grup dhe kriza e Polonisë kanë ndezur ëndrrën e Shqipërisë për të shkuar sërish në Europian. Rruga është ende e gjatë, por jo e panjohur. Shtatë vite më parë, me Xhani de Biazin në krye, kuqezinjtë ia dolën të shkruanin historinë. Tani, ndoshta edhe nga dëshira e madhe për të qenë sërish në një kompeticion kaq të rëndësishëm, kanë nisur t’i kërkojnë Silvinjos atë që bëri De Biazi: kualifikimin në “Euro 2024”. A janë shanset për ta bërë këtë? Xhani de Biazi thotë “po”.

 

Në një intervistë ekskluzive për “Panorama Sport”, italiani thotë se Shqipëria i ka kartat në rregull, që jo vetëm të kualifikohet, por edhe të zërë vendin e parë në grup. “Ia thashë Dukës që kur ishim bashkë në hedhjen e shortit në Frankfurt se patën fat. Natyrisht, nuk prisja që Polonia të pengohej kaq herët, por ama i thashë se me këtë grup mund të dilni të parët ose të dytët”, është batuta e De Biazit që në start.

De Biazi, a e keni ndjekur Shqipërinë?

Kam parë një pjesë të madhe të ndeshjes kundër Moldavisë. Ndaj Ishujve Faroe nuk e ndoqa dot direkt, por pashë disa pjesë dhe natyrisht golat.

Si do ta vlerësonit këtë ecuri të Kombëtares?

E pritshme. Brenda normales. Shqipëria ka një grup të mirë, mendoj më të favorshëm se ai në 2016, por ndërkohë ka edhe një grup lojtarësh cilësorë që mund të bëjnë surprizën.

Për çfarë surprize e keni fjalën?

Që mund të renditet edhe e para në grup.

Vërtetë?

Po, vërtetë. Grupi i Shqipërisë nuk është më i vështiri në botë… Portugalia, Danimarka dhe Serbia janë më të vështira se këto që keni sot. Me gjithë respektin për Moldavinë dhe Ishujt Faroe, por nuk mendoj se janë në nivelin e Shqipërisë. Ndërkaq, nëse Polonia i bën nder Shqipërisë dhe humbet me Moldavinë, atëherë unë mendoj se ky është një avantazh goxha i madh…(qesh). Ia thashë Dukës që kur ishim bashkë në hedhjen e shortit në Frankfurt se patën fat.

Çfarë i thatë?

I thashë se me këtë grup mund të dilni të parët ose të dytët dhe e kisha seriozisht.

Sipas jush, kemi më shumë shanse tani?

Padyshim që po. Asokohe m’u desh më së pari të gjeja lojtarët e duhur, të formonim një grup cilësor, por mbi të gjitha të bashkuar rreth një qëllimi dhe më pas të luftonim për një mision që nuk ishte përmbushur kurrë. Ia dolëm të gjithë bashkë, me mbështetjen e federatës, me dëshirën dhe sakrificat e atyre djemve që dhanë kontribut dhe me një staf që iu përkushtua me të gjitha energjitë dhe kohën një ëndrre të madhe. Tani është pak më e lehtë, jo vetëm sepse rruga është e shkelur, por sepse lojtarët luajnë në nivele të larta. Keni futbollistë në Itali që kanë luajtur në Champions, në Premier Ligë, në Spanjë, etj.

Shpesh pasardhësit tuaj kanë “vuajtur” faktin që shpesh i krahasonin me De Biazin dhe arritjen e tij të madhe në “Euro 2016”… A mund ta penalizojë kjo gjë Silvinjon?

Jo, krahasimet në futboll nuk vlejnë. Së pari, nuk mendoj se Reja me përvojën që kishte mund të vuante një presion si ky. Ai kishte kaluar shumë gjëra në karrierën e tij, le ta themi hapur këtë. Sa i përket Silvinjos, nuk mendoj se do të ketë një pengesë të tillë, sepse edhe falë punës që ka bërë Reja së bashku me federatën, ai ka fatin që të ketë në dispozicion një grup lojtarësh cilësorë që mund të luajnë si të barabartë me këdo.

A mund të bëhen krahasime mes skuadrës që shkoi në Europian me ju dhe kësaj që tani po synon të përsërisë suksesin?

Nuk mund të bëhen krahasime, sepse janë periudha të ndryshme dhe lojtarë të ndryshëm. Për fat të mirë tani skuadra juaj ka futbollistë të një niveli të tillë që mund të luajë futboll cilësor dhe të gjejë zgjidhje nga më të ndryshmet.

A keni ndonjë këshillë miqësore për Silvinjon? Çfarë duhet të bëjë tani e tutje, ndoshta edhe në aspektin e menaxhimit të grupit, për të siguruar kualifikimin?

Unë nuk mund t’i jap këshilla Silvinjos. Natyrisht, unë i uroj me shpirt që të kualifikohen. Nuk jam një ziliqar që të bëhem keq pse të tjerët arrijnë gjëra të mëdha. Absolutisht jo. I uroj me shpirt Shqipërisë që të kualifikohet në Europian dhe kam besim se do t’ia dalin.

Për mënyrën se si Silvinjo po menaxhon grupin, se çfarë klime po krijon me skuadrën, tifozët dhe median, duket sikur ai po vepron si De Biazi. Nuk është imitim, por ka një qasje të ngjashme me atë që kishit ju për të krijuar një atmosferë sa më të mirë…

Shikoni, unë nuk e njoh Silvinjon as si njeri dhe as si trajner për të qenë i sinqertë. Unë njoha pak ndihmësin e tij, Doriva, sepse ka qenë dikur te Sampdoria. E takova kur isha herën e fundit aty në mars. M’u duk një djalë i mirë dhe mendoj se është një grup i mirë njerëzish që po punojnë mirë për të realizuar diçka të rëndësishme. Ndërsa sa i përket mënyrës së menaxhimit, që mund të jetë e ngjashme me atë timen, çka mund të jetë edhe thjesht një perceptim juaji në fakt, atëherë mendoj se e ka mënyrë pune. Pra, nuk është e thënë që më “kopjon” mua, sepse ai nuk ka nevojë të kopjojë askënd, por vepron ashtu sepse mendon se kjo mund ta ndihmojë në marrëdhënien që krijon me lojtarët dhe me presidentin e FSHF-së.

A ju mungon Shqipëria, mister?

Shikoni, unë jam trajner i Azerbajxhanit dhe natyrisht që përpiqem me të gjitha mënyrat që këtë skuadër ta përmirësoj sa më shumë. Natyrisht, jam tifoz edhe i Shqipërisë dhe uroj shumë që të shkoni në Europian, por unë jam trajner dhe tifoz i Azerbajxhanit.

grupi e

JETMIR HALILAJ – PANORAMASPORT.AL


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.