Qysh në fillim të korrikut të sivjetmë, rekordet për temperaturën më të lartë mesatare në botë u thyen tri herë brenda një jave. Rekordi i ri u vendos më 7 korrik, kur bota ishte për 0.31 gradë Celsius më e nxehtë sesa në gusht të vitit 2016, kur ishte vendosur rekordi i mëparshëm.
Ndër shkaqet që kanë çuar në këto temperatura të larta është sasia e madhe e dyoksidit të karbonit në atmosferë. Në këtë sasi kontribuojnë edhe Kosova dhe vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor më së shumti Serbia. Sipas agjencisë për klimën në Administratën Kombëtare Oqeanike dhe Atmosferike (NOAA) të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, sasia e rritur e dyoksidit të karbonit në atmosferë shkakton “ngritjen e temperaturës globale”.
“Duke shtuar më shumë dyoksid të karbonit në atmosferë, njerëzit janë bërë katalizatorë të efektit serrë”, thuhet në ueb-faqen e kësaj agjencie. Ndërkaq, Agjencia Kombëtare Aeronautike dhe Hapësinore (NASA) e SHBA-së pohon se efekti serrë është “proces që ndodh kur gazrat në atmosferën e Tokës e mbajnë brenda nxehtësinë e Diellit”, dhe shkaktohet nga “djegia e lëndëve djegëse fosile, si thëngjilli dhe nafta”.
Ndonëse vendet e Ballkanit Perëndimor nuk janë ndotësit më të mëdhenj të ambientit me dyoksid të karbonit, edhe ato kanë ndikuar në përkeqësimin e situatës ndër vite. Serbia është vendi që emeton ndjeshëm më shumë dyoksid të karbonit nga të gjitha vendet e rajonit brenda një viti, e ndjekur nga Bosnje e Hercegovina dhe Maqedonia e Veriut.
UNFCCC-ja parashikon që përditësimi i sistemit të ngrohjes të Serbisë do të “eliminonte rreth 252.270 tonë dyoksid karboni, të emetuar gjatë tridhjetë vjetëve”.
Por, rreth 31 milionë tonët e dyoksidit të karbonit që emetohen nga Serbia nuk janë shumë, në krahasim me ndotësit më të mëdhenj në botë: Kina, SHBA-ja, India dhe Rusia. Këto shifra paraqesin vetëm emetimin e dyoksidit të karbonit, por jo të të gjithë gazrave serrë, si metani, oksidi nitrik, hidrofluorokarbonet, e të tjera. Pamja, po ashtu, ndryshon ndjeshëm, kur merret parasysh madhësia e popullsive të vendeve të ndryshme.
Edhe pse Serbia mbetet sërish vendi që liron më së shumti dyoksid të karbonit në atmosferë, nga vendet e rajonit, dallimi mes saj dhe vendeve të tjera të Ballkanit Perëndimor është dukshëm më i vogël. Përderisa në rajon radhitet e treta, Kosova është e 92-ta, nga gjithsej 197 shtete të botës, në listën e vendeve që emetojnë më së shumti dyoksid të karbonit për kokë banori.
Në Kosovë, rreth 95 për qind e energjisë elektrike prodhohet nga thëngjilli. Kjo varësi mbetet problematike, pasi që Kosova synon të jetë e dekarbonizuar deri në vitin 2050, ndërsa mëton që deri më 2031 ta rrisë kapacitetin e energjisë së prodhuar nga burimet e ripërtërishme në 35 për qind./rel