DOSSIER

“Enverit, po deshe, çoj një divizion në Pogradec, mua këtu, m’i zhduk rojet, kur të bëhesh kryeministër ti m…, mbaj një regjiment në Durrës…”/ Sherri i Mehmet Shehut, me komandantin e Gardës, në ’67-ën

14:10 - 24.09.23 a.d
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Nga Dashnor Kaloçi  




Memorie.al / Ka qenë paraditja e datës 11 gusht të vitit 1967, kur qindra pushues që ndodheshin përgjatë bregdetit në plazhin e Durrësit, kryesisht te zona “Iliria” dhe “Hekurudha”, mbetën të habitur dhe nuk u besonin syve, kur para tyre në bregun e detit, panë të kalonte qetë qetë, kryeministrin e Shqipërisë, Mehmet Shehun, bashkë me bashkëshorten e tij, Fiqretin, duke bërë xhiro të zakonshme, si gjithë qytetarët e tjerë që frekuentonin atë plazh. Shumë prej plazhistve që ndodheshin atë ditë gushti, ngulmonin se; ai nuk mund të ishte kryeministri, por ndonjë sozi e tij, apo një ngjashmëri e rastit, askush nga durrsakët e vjetër që frekuentonte atë plazh që nga mbarimi i Luftës në vitin 1945, nuk mbante mënd që aty, të kalonte ndonjë nga udhëheqja e lartë, e aq më shumë, vetë kryeministri i vendit, Mehmet Shehu, madje pa pasur grup shoqërimi me vete. Por ato hamendje u shkërmoqën në çast, pasi kryeministri Mehmet Shehu dhe bashkëshortja e tij, ndalonin herë pas here gjatë xhiros së tyre e bisedonin me njerëz të ndryshëm, madje duke i ftuar ata; “që t’ju kthenin vizitën”! Pra, që të frekuentonin pa asnjë problem, edhe plazhin e “Bllokut” të vilave qeveritare, pasi sipas tyre, aty nuk ishte më gardhi me tela, e as rojet e Gardës, sepse; “udhëheqjen e ruante vetë populli”!

Lajmi që kryeministri Mehmet Shehu me bashkëshorten e tij, Fiqretin, kishin bërë xhiro bregut të detit, madje, pa grup shoqërimi, mori dhenë dhe për ditë të tëra, u bë kryefjala e bisedave të plazhistëve durrsakë e atyre të ardhur nga Tirana, me hamendje dhe shpjegime nga më të ndryshmet…?! Por askush nga ata nuk guxoi, as të tentonte të merrte rrugën, për t’u afruar te muri dhe gardhi rrethues me tela, që ndante plazhin publik, me zonën e plazhit brenda “Bllokut” të vilave qeveritare, që shtrihej nga fundi i zonës “Iliria”, deri te muri rrethues i Konvaleshencës së Ministrisë së Punëve të Brendshme, tek Plepat e Durrësit. Nuk u mor vesh dhe mësua kurrë, se përse kishte ndodhur ajo “shfaqje” e papritur e kryeministrit, duke bërë xhiro bregut të detit, gjë e cila nuk u përsërit më, asnjëherë të vetme…?! E vërteta e asaj “vizite” të papritur të kryeministrit Shehu dhe bashkëshortes së tij, mbeti një mister për t’u mësuar në shtatorin e vitit 1983, kur në ambientet e Burgut 313 në Tiranë, do të zhvillohej gjyqi ndaj të ashtuquajturit; “Grupi armiqësor i Kadri Hazbiut”, ku mes një grupi të madh dëshmitarësh, që ishin thirrur të dëshmonin në atë gjyq, ndodhej edhe ish-komandanti i Gardës së Republikës, Feti Smokthina, i cili në deponimet e tij, në përballjen e ballafaqimin me ish-ministrin, Kadri Hazbiut, tashmë i pandehur, tregoi me hollësi rreth ngjarjes së 11 gushtit 1967, për “vizitën” e Mehmet Shehut, jashtë territorit të Bllokut të vilave qeveritare dhe sherrin e madh që kishte pasur, si me ish-kryeministrin Shehu, ashtu dhe me ministrin, Hazbiu.

Për më shumë rreth kësaj, etj. na njeh dokumenti në fjalë që është pjesë e një dosje të voluminoze (të nxjerrë nga arkivi i Autoritetit për Informimin e Dokumenteve të ish-Sigurimit të Shtetit), e cila publikohet për herë të parë bashkë me faksimilet përkatëse, nga Memorie.al

DOKUMENTI ME PROCES-VERBALIN E SEANCËS GJYQËSORE NË NGARKIM TË KADRI HAZBIUT, KU DEPONON DËSHMITARI, FETI SMOKTHINA, ISH-KOMANDANT I GARDËS SË REPUBLIKËS, ME GRADËN KOLONEL

Kryetari, Aranit Çela: Kalojmë në administrimin e provave, lidhur me këto akuza. Të thirret dëshmitari, Feti Smokthina. Feti, mbiemri?

Feti Smokthina: Feti Hazbi Smokthina.

Kryetari: Emri i babait?

Fetiu: Hazbi.

Kryetari: Emri i nënës?

Fetiu: Fato.

Kryetari: Çfarë datëlindje je?

Fetiu: 1920.

Kryetari: Je anëtarë Partie?

Fetiu: Po, anëtarë i PPSh-së.

Kryetari: Je dënuar ndonjëherë?

Fetiu: Jo. Nga fashizmi po, nga gjyqi fashist në Elbasan, jam dënuar me vdekje.

Kryetari: Nga gjykata fashiste je dënuar me vdekje. Të kemi thirrur si dëshmitar, lidhur me çështjen që po shqyrtohet, po gjykohet këtu, dhe që u përket të pandehurve; Feçor Shehu, Kadri Hazbiu, Llambi Peçini, Gani Kodra, Ali Çeno, Mihallaq Ziçishti dhe Xhavit Ismailaga. I njeh këta ti? Gani Kodrën e njeh, po Ali Çenon, e njeh?

Fetiu: Të gjithë i njoh.

Kryetari: Ke ndonjë farefisni ti me këta?

Fetiu: S’kam asnjë fisni.

Kryetari: Po ndonjë konflikt, apo ndonjë hasmëri, a gjë?

Fetiu: Kurrgjë, përkundrazi për Kadri Hazbiun, kam pasur respekt si ministër i Brendshëm dhe si anëtar i Byrosë Politike. Kam pasur një grindje për çështje pune me Llambi Peçinin, të cilën e sqaroj partia.

Kryetari: Gjykatë të ka thirrur të dëshmosh dhe të thuash të vërtetën, në lidhje me fakte që ti i di, natyrisht. Çdo thënie e rreme, ti e kupton se ka përgjegjësi penale, në bazë të nenit 202, të Kodit Penal. E ke të qartë ti këtë. Të kemi thirrur konkretisht për dy probleme. Ç’di ti, lidhur me problemin e Kadri Hazbiut, në Konferencën e Tiranës? Po mbështetem gjithmonë lidhur me dëshminë që ke bërë ti në hetuesi, prandaj ta bëj pyetjen konkrete, dhe e dyta, lidhur me problemin që të ka lindur, për heqjen e rojeve në Bllokun e udhëheqjes në Durrës. Për këto dy gjëra do na dëshmosh.

Fetiu: Unë në Konferencën e Partisë së Tiranës, kam qenë si delegat i Shkollës së Bashkuar të Ministrisë së Punëve të Brendshme. Atje Kadri Hazbiu, ishte si anëtar i Komitetit Qendror, rrinte përposh me ata, unë isha sipër, siç ishte ajo estrada, në kinemanë e estradës, dhe neve si në të gjithë konferencat atje mendonim, nuk na ishte thënë ndonjë gjë, s’na ishte thënë asnjë sinjalizim, ashtu siç u zhvilluan punimet në Konferencë, siç doli më vonë. Kisha pranë Kopi Nikon dhe Asaf Kondin, duke biseduar, kur një i rinisë, ishte sekretar i rinisë ai atëhere, ai foli për Mehmet Shehun në kombinat, dinte dhe për fustanet dhe rrobat e familjeve të udhëheqjes, e ku ta di unë, e kritikoi, jo për makinat, jo për njërën dhe tjetrën. Të gjithë duartrokitën, unë nuk duartrokita, jo se dija ndonjë gjë kështu, por më erdhi keq, d.m.th., se kisha qenë atje në shërbimin e udhëheqjes, edhe e dija, edhe atë që bënte udhëheqja, krahasime me popullin dhe si trajtoheshin në atë kohë që ishte.

Kopi Nikua ishte atje pranë mua dhe ai Asafi, bile Asafi ishte mbas dhe më ranë mua me këmbë këtej, nga mbrapa, unë u revoltova një çikë, kupton, se kishim dhe një çikë nerva kështu, nuk kam qenur ashtu shumë i urtë, d.m.th., në disa drejtime të tilla, e më thanë mua; pse duartroket ti, thanë, apo merr atje në Bllok, se merrnin disa funksionarë dhe unë kisha një makinë atje, që vinte e Shkollës ajo. Ja them këtë Kadri Hazbiut, kur duallëm përjashta, kështu, kështu, i thashë unë dhe më duket i thashë unë, se edhe pyetje janë bërë shumë në këtë drejtim, a ishte dita e dytë, apo e tretë, nuk më bie ndërmend. Shoku Enver, s’kish ardhur akoma. Më tha; thuaj Zoi Themelit këtë një, dhe më porositi; ki kujdes, se mos bësh ndonjë të pabërë këtu, dhe tha ku rri ti, i thashë rri sipër unë, hajde dhe rri këtu përposh, tha, – plus asaj tha, – këtu kemi demokraci tha, se i thashë unë, shumë pyetje po bëhen shoku ministër dhe neve, çfarë duhet të themi neve të tjerët, edhe duhet të flisni juve i thashë unë, ose ndonjë nga shokët e udhëheqjes, që i di këto çështje, – tha përfaqësues këtu Partia – ka dërguar Beqir Ballukun, tha, se ai ishte i deleguar atëhere, dhe s’ka nevojë për të tjerët, – tha këtu ka demokraci – tha edhe në Parti – tha, flitet sipas statutit, këto më tha, mire, ika unë kështu.

Ditën e dytë pasdite se si ndodhi, unë udhëtoja me dy tre shokë, nga Konferenca për të vajtur në shtëpi, mirë po m’u poftis një atje, ishte një sekretar i organizatës, nuk ja di emrin, se si quhesh, më vonë u internua ai në Tepelenë, dhe më thosh; do më tregosh historinë se si e ke rrahur ti atë atje, se pata bërë një skandal unë në Hotel “Dajti”, kisha qëlluar një me pëllëmbë, i thashë atij, çe do ti këtë histori, m’u qep ai, një nga ata shokët e tjerë që ishte me mua, i tha; mos u merr me këto, i thanë dhe kur u ndamë atje, ai m’u poftis prapë, deri tek Sahati, i thashë me një ton të ashpër; ik ti dhe iku ai. Më të nesërmen, foli Feçor Shehu për vigjilencën, aty neve dualëm në pushim dhe Mehmet Shehu, ishte mbas tij dhe Kadri Hazbiu, po unë nuk e dija, nuk e pashë, as Mehmet Shehun dhe as Kadri Hazbinë, duke bërë muhabet atje, ishte atje Thanas Gaba dhe disa shokë të tjerë tanët, që nuk na pëlqente kjo gjë, na dukej si një gjë e keqen ne, pa na thënë gjë këta, llafosesha me Spiro Panon unë dhe i thashë; pse juve shoku Spiro, flisni në emër të organizatës së Partisë, neve flasim si delegatë këtu, se flisnin shumë atje, që Partia, organizata, më ka porositur kështu, kështu, ky s’u ndje ai, Mehmet Shehu, – tha kupton që të mungon vigjilenca, tyja dhe tyja, i tha atija.

Më bëri përshtypje, se gjatë Konferencës së Tiranës, jo dinamik, ashtu si gjithnjë, dhe që na porosiste të tilla ne këtej, nga Ministria, Kadri Hazbiu rrinte si të thuash, as mish dhe as peshk, një gjë ashtu, herë kështu, herë ashtu, deri sa erdhi shoku Enver. Mbasi erdhi shoku Enver, u interesua dhe na thirri neve disa dhe na caktoi detyrat, lidhur me ata elementët, se u ndesh Komandanti me një atje, me Iliaz Ahmetin. Feçor Shehu më tha, se ish Drejtor i Tiranës atëhere, do të kesh kujdes Ibrahim Xverkun, atij i ra të fikët, mbas një gjysëm ore, pa mbaruar. Neve pritëm se mos na thoshin ndonjë gjë për Konferencën, e ku e di unë se ça, hiç gjëkafshë, nejse aty u dhanë konkluzionet. Kam ardhur pas ca ditësh te zëvendësministri, atëhere ishte Mihallaq Ziçishti, kërkova ndonjë material, ndonjë shembull, si komandant i Shkollës që isha unë, më tha nuk kemi, këto gjëra të t’i japë Partia. Kaq di, përsa i përket Konferencës së Tiranës.

Kryetari: Çështja e dytë, atë për heqjen e rojeve në Bllok.

Fetiu: Unë kam qenë komandant i Gardës dhe zëvendësdrejtor i Drejtorisë së Dytë dhe rojat janë hequr në Bllok, më datën 11 gusht 1967, unë isha me shërbim në Skrapar, u ktheva në darkë aty, kur më thotë ai shefi i Stërvitjes që ishte atje, një Lili Kulari, që janë hequr rojet – thotë. Nga kush janë hequr? Nga kryeministri, nejse, unë i fola atij se kryeministri është kryeministër, mund të urdhërojë ndërmjet ministrit të Punëve të Brendshme, edhe ishin hequr rojet të gjithë, me përjashtim, vetëm të një roje që e kish hequr ai vetë nga vendi, po e kishte lënë aty te porta e hyrjes, si këtu p.sh., e shokut Enver, vetëm atë. Bile Mehmet Shehu me Fiqrete Shehun, kishin dale, siç më thanë oficerët, atje, ata grupi i atija, deri nga “Iliria” e tutje dhe i kishin thënë popullit, që të shkonte tej e këtej, që në Bllok atje, e deri tek Shtëpia e Oficerëve e Ministrisë së Punëve të Brendshme, edhe më tej akoma.

Unë si komandant i Gardës, i dhashë urdhër se kjo ishte kompetencë e ime dhe unë patjetër duhej të dija për këtë, nuk më bjen ndërmend, atëhëre, pllanin e skemën që kishim ne atje, e kish afirmuar Niko Çeta, ne e kishim bërë si Gardë, a ishte Llambi Peçini drejtor, a ishte Nikua, nuk më bie ndërmend, por më duket se Nikua, por asnjëri nga këta, ishin në Pogradec, se dhe Komandanti, ishte në Pogradec atëhere. Vete në shtëpi, në ora 7 e 30, më të nesërmen i veshur civil, bile pa qenë ora 7 e 30, në kohën që do vinte në zyrë Kadri Hazbiu, edhe më priti mirë, më nxori aty në atë verandën e tija, se aty e takova, porosit për kafe dhe më dha edhe cigare, piva cigaren atje, dhe i raportova për shërbimet që kisha qenë andej, edhe për rojet, – më tha; më kanë thënë shokët. I thashë shoku ministër, meqenëse juve ini ministër dhe i ka hequr kryeministri rojet, unë kam ardhur që t’ja thoni juve atija, të vini vetë ju atje, për arsye se ju e dini se në dhjetor, ai mua më zbriti dhe nuk do të më shikojë, se me tërmend nuk më donte dhe këtë e di vetë ai, po të dojë të thotë. Më zbriti në dhjetor në Qafë të Llogorasë, mua nga makina, sepse as unë nuk e di sepse atë arsye. Jo tha – u nxeh njëherë ashtu dhe ja bërë njëherë atyre flokëve, kështu përpjetë, dhe tha; ti je Komandant i Gardës dhe të vesh e t’i thuash ti. Mirë thash do vete, ta mban – tha dhe ma bëri dhe kështu me dorë, i thash, po detyra është detyrë.

Të vesh atje – tha – t’i thuash, – por jo me atë vulgaritetin që flet ti, po një çikë urtë, – tha – se është sëmurë pak nga nervat – tha shoku Mehmet – plus asaj, do t’i thuash tha – dhe për atë vajtjen në Mallakastër. Unë nuk e dija se do të vinte ai në Mallakastër atëhere. Do të vej në Mallakastër tha – ka kërkuar një motor, ka kërkuar makina tha, nga ato që rrinë shtabet zakonisht, do shumë ushtarë, për këto tha, thuaj ashtu me të urtë, mire? Ika unë dhe vajta atje, kërkova takim me anë të Gilo Lames, nuk më pranoi herën e parë ai, bile as nuk e dinte se ku isha unë efektiv. Unë i thashë Gilos, kur erdhi aty, thuaj se jam komandanti i Gardës dhe kam ardhur kryesisht për rojet që ka hequr, na rojet i keshëm vendosur që në darkë, në të vërtetë, me përjashtim të atyre rojeve që i kishim veshur civilë, nja dy roje që futeshin, kishte shtëpinë ai andej. Radhën e dytë më pranoi Mehmet Shehu brenda, veshur me rrobat e banjës, kish dhe një filxhan me qumësht përpara atje.

I thashë, shoku kryeministër, jam filani dhe ju paraqitem sipas rregullores ushtarake, për dy probleme, njërën që e kisha këtu dhe tjetrën që se dija se, ma ngarkoi Kadri Hazbiu këtu. Po më tha Kadri Hazbiu, se mos i thoj se të thashë unë, për këtë problemin e Mallakastrës, se ishte punë ajo për njerëz, për disa makina, ku ta di unë, se çfarë dhe unë nuk ia thashë siç ma tha ai këtë. Rojet – tha – s’ka nevojë të jenë këtu, e nejse ato llafet e tij dhe u ngrit në këmbë. Unë i thashë jam unë komandant i Gardës. Se do hiqesh bashibozuk ti – tha, s’dini as të nderoni, as të respektoni, prandaj të mos i shikoj brenda 12 orëve, na kini mbyllur në tela – tha – flasin radiot e huaja. Me thënë të drejtën, unë kisha djersitur një çikë, se me atë presionin që flisnin kështu, dhe nuk më la gjë pa thënë ai. Dhe i thashë unë, ne nuk do bëjmë si thonë radiot e huaja, do bëjmë si thotë Partia, si thoni dhe juve, – thashë, si thotë Komandanti i Përgjithshëm. Ai vrap, një të ngritur bëri dhe thashë se mos ma fuste me ndonjë pëllëmbë aty, edhe i thashë unë shoku kryeministër, juve kur keni caktuar shefin e Degës së VI-të, më kini thënë se; ti varesh me gjithë familje, në qoftë se pëson gjë, qoftë dhe një kandidati të Komitetit Qendror, – thashë, prandaj unë jam duke zbatuar urdhrin.

U tërhoq. Unë nuk dua 12 orë sa thatë juve, por 6 orë po të doni edhe i heqim rojet neve. Atëhere u ftoh dhe tha; po pse 6 orë, unë i thashë 6 orë, për arsye sa të vete te Komandanti i Përgjithshëm, i thashë unë, se për atë janë rojet këtu në radhë të parë, – thashë dhe neve kemi një skemë këtu. Enver Hoxha tha, është në Pogradec, atje po të duash (nuk tha as shoku Enver), ço një divizion – tha. Kur të bëhesh ti fekale, (po kur them fekale, në atë gjuhën, d.m.th., kuptohet këtu), kryeministër dhe anëtarë i Byrosë Politike, atëhere, hajde e mbaj një regjiment të tërë këtu – tha, në Durrës. Qërohu – më tha mua. Si urdhëron, këtë desha unë, të ikja. Kur vajta te dera, më të kthyer, – tha po atë të dytën, çfarë e kishe, thashë kjo e dyta, s’ka rëndësi, këtë ta them si anëtar partie, këtë mora vesh, kështu, kështu, do të vini në Mallakastër, meqenëse ju jini djalë i vendit atje, i thashë, ne nuk kemi forca shumë të bëjmë një togë, një makinë që kemi thashë, dhe ju do të flini te xhaxhai juaj.

Këtë unë nuk e dija, por ma kish thënë Kadri Hazbiu, tha – po kur të vesh ti në Smokthinë, merr ca të duash, – tha, unë dua topa dhe të gjitha masat t’i siguroni, -tha, të pëlcisni trutë – thuaj dhe kujt të duash këtë – tha. Si urdhëron, ika andej, ika po isha një çik me thënë të drejtën, nuk e dija as unë se si isha, ata shoqëruesit që ishin atje, më thanë të pish një kafe, unë kujtova se mos do të pija kafe atje, mos më thanë për të vajtur në kuzhinën e atij, dhe i thashë; jo nuk dua kafe, më mori Gilua me gjithë një Dilaver Toska që ish atje, të cilin Mehmet Shehu, e përdorte për bisedat që bënin oficerët andej këndej, këtë e dija unë dhe ja thosh ai, deri te ai klubi që ishte atje, stabilimenti i thoshin neve, deri në atë kohë që s’kishim filluar kafen, vjen centralisti, e më thotë; të do ministri.

Unë gjithnjë duke pasur atë frikën e kryeministrit, kupton, thashë – por tani dola more djalë, – i thashë atij, – jo tha, të do ministri nga Tirana. Vij aty, më flet Kadri Hazbiu, me atë stilin e tij që kishte, pseudo masovik, më pyeti – vajte? Po i thashë, – vajta, si urdhëron, po paske vajtur rrufe fare, – më tha, sepse unë atëhere, sapo dola nga shtëpia, vajta atje, si urdhëron, u bë pishman ai, – tha se ti, i kishe thënë dhe atë të fundit, – tha, po megjithatë, unë – tha, jam dakord ashtu si ke vepruar ti atje, i vendosët rojet. Si urdhëron, – i thashë unë, ato janë vendosur që mbrëmë, edhe kam veshur dy civilë, i thashë unë, se nuk kemi rroba të tjera. Nuk më bje ndërmend, po tha, a do thërras Hajron, a e kam thirrur Hajron, këtë nuk e mbaj mënd me saktësi, të bëj dhe nja 12 palë rroba civile, dhe të vishen një pjesë civilë, andej nga neve, nga ana e atija.

Edhe kur erdha këtu, ja raportova të gjitha, ja thashë dhe këto që them përpara gjyqit, të tëra një për një, kështu. Kështu e ka – tha ai, ti e di tha, – po s’ka asgjë në zëmër, më tha mua, edhe u mbyll kjo histori. Në atë gjyqëzimin, unë isha sekretar organizate, dhe më ftuan, kur dëgjoj atje ato që tha Kadri Hazbiu në Byronë Politike, që ai u bë pishman, e ku ta dinë unë se çfarë, por nuk tregoi, se i bëri një pyetje shoku Enver, dhe tha kupton se kaluan rojet, apo jo, ky menjëherë e ndryshoi këtë, edhe për këtë, unë u detyrova të them këto, kështu. E vërteta kjo është origjinal.

Kryetari: Kadri Hazbiu, ke pyetje?

Kadri Hazbiu: Kam.

Kryetari: Hajde.

Kadri Hazbiu: Unë jam dakord në përgjithësi, me ç’thotë Fetiu. Ajo që deshja të pyesja unë përpara, i përket çështjes së Konferencës së Tiranës, nëse mban mënd mirë ky, se pozicioni imi, ka qenë që në fillim, kupton, që delegatëve unë u thosha; ngrihuni dhe folni kundër, dhe kjo vërtetohet edhe nga të tjerët, përsa i përket kritikave, unë mund t’i kem thënë ato, që thoshin ata, se ata thoshin dhe për mua ata, siç thoshin edhe për të tjerët, që do flasën. Po, përsa i përket pyetjeve dhe qëndrimit, kështu unë shumë kujt, mund të mos i kem thënë Fetiut, i besoj karakterit të tij dhe ndërgjegjes së tij, por shumë kujt i kam thënë, ngrehuni dhe kundërvini këtyre.

Fetiu: As më ka thënë hiç fare, përkundrazi, më ka thënë këto që thashë unë, edhe gënjen.

Kadriu: Kam përsa i përket çështjes së rojeve. I kujtohet mirë që unë kam thënë vetëm kaq që shko, apo i kam thënë që ti shko dhe vendos rojet sipas skemës, pastaj shko tek Mehmet Shehu…?!

Fetiu: Unë kam vajtur dhe i kam raportuar në mëngjes dhe më ka pritur në shtëpinë e tij, atje në atë. Kështu nuk më ka thënë, më ka thënë kemi skemë, po dhe ja thashë Mehmet Shehut, e thashë dhe këtu kupton, këtë po, nuk ma tha ec drejt, dhe tha thuaj për rojet, i vendosëm që nesër, le t’i heqë sot ai, kështu tekstualisht…!

Kryetari: Mund të largohesh.

Fetiu: Faleminderit. Memorie.al


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.