AKTUALITET

Pas gjetjes së armatimeve në Banjskë, Policia e Kosovës kryen bastisje në Veri. Sekuestrohet një sasi e madhe municioni

21:25 - 14.10.23 E.D
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Policia e Kosovës bastisi të shtunën (14 tetor)  shtatë vende të ndryshme në dy komuna me shumicë serbe në veri të vendit, në kuadër të hetimeve lidhur me ngjarjet e 24 shtatorit në fshatin Banjskë ku u vra një oficer i policisë dhe tre sulmues të armatosur.




Në një njoftim të Prokurorisë së Posaçme dhe policisë së Kosovës thuhet se gjatë bastisjeve, “në një bodrum të njërit nga tre soliterët në Mitrovicën e Veriut, janë gjetur një sasi municioni”.

“87 copë eksploziv të tipit TM 100, 3 granata hedhës dore (zola), 1 armë automatike AK-47, 1 minë kundër këmbësorisë e tipit MRUD, 14 karikatorë, 63 detonatorë elektrik, 23 detonatorë mekanik, 1 orë për aktivizim, çanta, radiolidhje, antiplumba, pajisje medicionale, etj”, thuhet në njoftimin e policisë.

Policia tha se kontrollet janë kryer me urdhëresë të gjykatës dhe në bashkërendim me misionin e Bashkimit Evropian për sundimin e ligjit (EULEX) dhe forcat paqeruajtëse të KFOR-it.

Ministri i punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla tha se me aksionin e së shtunës po vazhdon siç tha “zbardhja e planit të strukturave terroriste të Serbisë për aneksimin e veriut të vendit tonë”.

Ministri Sveçla shkroi në rrjetet sociale se “granatahedhës dore, eksplozivë, mina kundër këmbësorisë, mina me sahat e teledirigjim, detonatorë e çanta me pajisje të ndryshme, prodhime të njëjta me ato që u sekuestruan në Banjskë dhe më herët në Zveçan, po qartësojnë për ne dhe për opinionin ndërkombëtar gjerësinë e planit të Serbisë për aneksimin e veriut përmes agresionit terrorist”.

Më 24 shtator një grup serbësh të armatosur sulmuan policinë e Kosovës në fshatin Banjskë në veri të vendit, ku mbeti i vrarë oficeri i policisë Afrim Bunjaku. Gjatë përleshjeve që vazhduan përgjatë asaj dite tre nga sulmuesit mbetën të vrarë në një ngjarje që ka ngritur shqetësime të shumta për qëndrueshmërinë në rajon.

Kosova akuzon Serbinë për organizimin e sulmit dhe zyrtarët në Prishtinë kanë paralajmëruar mbi rreziqet nga përsëritja e sulmeve të dhunshme nga siç thuhet “strukturat kriminale të Serbisë”, ngjashëm me sulmin e 24 shtatorit.

Beogradi zyrtar ka mohuar çfarëdo lidhje me grupin e armatosur duke paralajmëruar ndjekjen penale të ish zyrtarit lokal serb Milan Radoiçiç i cili mori përsipër përgjegjësinë për sulmin./VOA


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.