AKTUALITET

BIRN: Studentët e Mjekësisë ndërprenë bojkotin! Çfarë ndodhi gjatë takimit me Arben Gjatën

14:10 - 30.10.23 E.D
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Rektorati i Universitetit të Mjekësisë ka pranuar kërkesat e studentëve, për të pritur vendimmarrjen e Gjykatës Kushtetuese mbi kontratën për punësim të detyrueshëm pas përfundimit të studimeve. Pas vendimit studentët ndërprenë bojkotin.




Studentët e mjekësisë ndërprenë të hënën pas një muaji bojkotin e vitit akademik, pasi rektori i Universitetit të Mjekësisë ka pranuar kërkesat e tyre të shprehura gjatë protestave dhe ka pezulluar zbatimin e ligjit që i detyron të nënshkruaj kontrata pune deri në vendimmarrjen e Gjykatës Kushtetuese. Studentët kanë paditur ligjin e miratuar në Parlament mbi punën e detyruar në vend pas diplomimit, si shkelje të kushtetutës.

“Sot është zhvilluar një takim midis studentëve të mjekësisë dhe rektoratit, ku studentët kërkuan të mos u paraqitet asnjë kontratë deri në një vendim përfundimtar të Gjyaktës Kushtetuese, kërkesë e cila është pranuar nga rektori i Universitetit të Mjekësisë, prof. Arben Gjata”, i tha BIRN Kristi Trako, përfaqësues i studentëve të mjekësisë në Senatin Akademik të UMT-së.

Protestat e studentëve të mjekësisë kanë nisur që prej muajit Qershor kur flitej për mundësinë e një projektligji që do i detyronte ata të punonin në Shqipëri të paktën pesë vite pas diplomimit, projektligj ky i cili më pas u miratua në Parlament më 21 Korrik 2023.

Pas pothuajse një muaji bojkot nga ana e studentëve, rektorati ka rënë dakord edhe për zëvendësimin e këtyre ditëve të humbura mësimi.

“Rektorati ka dhënë garanci se do të përgatitet një plan për zëvendësimin e orëve të humbura, dhe se do të këtë një takim me Ministrinë e Arsimit, por nuk ka akoma një datë të caktuar për këtë të fundit”, është shprehur më tej kryetari i Bordit Kombëtar Studentor Gevio Tabaku për BIRN.

Nga ana tjetër, studentët kanë pranuar t’i rikthehen auditorëve, por gjithmonë duke mbajtur nën vëmendje premtimet e rektoratit.

“Ka një lloj besimi në reagim institucional, por gjithsesi do mbahet nën vëmendje përgjatë gjithë kohës”, i tha BIRN Kristi Trako.

Edhe sipas Gevio Tabakut, nëse këto pika nuk do të respektohen, studentët do i rikthehen bojkotit dhe përshkallëzim të tij. /BIRN


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.