AKTUALITET

Zgjidhet Qeveria e re e Malit të Zi me kryeministër Milojko Spajiç! Votohet nga partitë pro ruse e serbe në këmbim të postit të kryetarit të Kuvendit

09:19 - 31.10.23 E.D
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Kuvendi i Malit të Zi zgjodhi Qeverinë e 44-të, pas seancës plenare që zgjati tërë natën. Kryeministri i ri i Malit të Zi do të jetë, Millojko Spajiç, kryetar i ‘Lëvizjes Europa Tani’. Pas javësh negociatash, parlamenti i Malit të Zi emëroi qeverinë e re, një koalicion partish pro-europiane dhe pro-serbe që pritet ta udhëheqin vendin në përpjekjen e tij për t’u bashkuar me Bashkimin Evropian.




Qeveria mori mbështetjen e 46 deputetëve nga partia e Spajiçit, nga partia pro-ruse Fronti Demokratik që është shpërbërë së fundi, Demokratët, Partia Popullore Socialiste dhe partitë shqiptare. 19 deputetë votuan kundër, 1 abstenoi dhe pesë deputetë munguan në seancë gjatë votimit.

Qeveria e re, e udhëhequr nga ekonomisti Milojko Spajiç, do të ketë 18 ministri dhe pesë zëvendëskryeministra. Ai do të përfshijë demokratët pro-evropianë të qendrës së djathtë, Partinë Popullore Socialiste pro-Serbe dhe pesë parti të pakicës shqiptare.

Në fjalën e tij para deputetëve, Spajiç tha se “anëtarësimi i plotë” në Bashkimi Evropian, anëtarësimi “aktiv dhe i besueshëm” në NATO, përmirësimi i lidhjeve rajonale dhe marrja e një roli më aktiv në organizatat multilaterale do të jenë katër prioritetet kryesore të ekzekutivit të tij.

Ai tha se politikat ekonomike do të synojnë të përmirësojnë standardet e jetesës së popullsisë së Malit të Zi prej vetëm 620,000 banorësh dhe përfshijnë reforma që mundësojnë më shumë të ardhura fiskale, investime, një klimë më të mirë biznesi dhe gjyqësor.

“Katër përparësitë tona kryesore të politikës së jashtme janë anëtarësimi i plotë në BE, anëtarësimi aktiv dhe i besueshëm në NATO, përmirësimi i marrëdhënieve të mira me fqinjët dhe forcimi i rolit të vendit në organizatat shumëpalëshe,” u tha Spajiç deputetëve.

Koalicioni i qendrës Evropa Tani fitoi zgjedhjet e parakohshme parlamentare të mbajtura në qershor, por nuk arriti të fitonte mjaftueshëm sa të krijonte vetë Qeverinë.

Votimi i Qeverisë së Malit të Zi vjen pasi aleanca pro-serbe dhe pro-ruse Për një Mal të Zi më të mirë, që udhëhiqet nga Andrija Mandiç, u pajtua të mbështeste zgjedhjen e Spajiçit, në këmbim që Mandiç të zgjidhej kryetar i Parlamentit.

Gjatë fushatës zgjedhore, Mandiç ka bërë thirrje për raporte më të ngushta me Rusinë, ka kritikuar anëtarësimin e Malit të Zi në NATO dhe ka folur kundër referendumit të vitit 2006 që çoi në shkëputjen e shtetit nga Serbia.

Qeveria e re e Malit të Zi i jep fund udhëheqjes së ekzekutivit me mandat teknik të Dritan Abazoviçit, Qeveria e së cilit u rrëzua përmes një mocioni të mosbesimit në gusht të vitit 2022.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.