EKONOMI

INTERVISTA/ “Nuk dihet si do të përdoren paratë e taksave të shqiptarëve”, Buxheti 2024, kreu i Konfindustrisë: E keqja që vjen nga shmangia e debatit

15:22 - 27.11.23 a.d
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

VALENTINA MADANI/ Gjergj Buxhuku, kreu i Konfindustrisë denoncon ashpër miratimin në Kuvend brenda 5 minutave dhe pa oponencë të buxhetit për vitin e ardhshëm.




Buxhuku tregon për gazeta “Panorama” të keqen që vjen nga shmangia e debatit, gjë e cila sipas tij, nuk ka ndodhur kurrë më parë. Këtë rast, ai e quan pasojë të kalbëzimit të plotë të politikës në vend. Buxhuku hedh dyshime nëse ky buxhet i shërben interesit publik apo qëllimeve politike.

Ai shpreh shqetësimin se më e keqja që sjell shmangia e debateve për buxhetin, është radiografia e munguar e ekonomisë shqiptare, burimeve të financimit të saj, shkallën e konkurrencës dhe qëndrueshmërinë dhe rreziqet e rritjes. “Mbi të gjitha – thotë Buxhuku – të mënyrës së përdorimit të parave të taksave të shqiptarëve, të përzgjedhjes së projekteve, që do të financohen dhe cilët do të jenë përfituesit”.

Z.Buxhuku, buxheti i vitit 2024 u miratua në një gjendje pothuajse lufte në Kuvendin e Shqipërisë. Si e vlerësoni mënyrën e miratimit të tij pas asnjë debat?

Mënyra e miratimit të buxhetit 2024 mund të quhet një arritje historike negative, që të lë shije mjaft të hidhur, por ka edhe një të mirë të madhe. Zbuloi shkallën e vërtetë të demokracisë të paqenë në Shqipëri dhe njëkohësisht kalbëzimin e plotë të politikës së tashme. Krejtësisht të pabesueshme për qytetarët. Pozitë dhe opozitë bashkë, pa përjashtim. Është rasti i parë, mesa unë mbaj mend, që miratimi në Kuvend i aktit më të rëndësishëm i vitit kalon me 5 minuta. Zero debate politike. Zero debate me grupet e interesit. Dhuratë e madhe për qeverinë nga opozita. Me qëllim apo ra në grackë, nuk e di, por ngjashmëri ka vetëm me braktisjen nga opozita të Kuvendit, që u shoqërua me braktisjen e zgjedhjeve të vitit 2019.

Cilat mund të jenë disa nga pasojat në këtë rast?

Buxheti është radiografia e ekonomisë së një vendi dhe njëkohësisht edhe qëllimeve të politikës vendimmarrëse. Qëllime të cilat tregojnë nëse i shërbejnë interesit publik, mirëqenies së qytetarëve dhe zhvillimit të vendit në afatgjatë apo individëve dhe grupeve të caktuara. Debatet e hapura për buxhetin bëhen pikërisht për ta kuptuar dhe bërë të tejdukshëm për publikun dhe grupet shoqërore të interesuara sa më sipër. Në demokraci mund të ketë edhe përmirësime të projektit të qeverisë. Në rastin shqiptar më e shumta bëhen të njohura qëllimet. Dhe nuk është pak.

Cila është e keqja që sjell shmangia e debatit për buxhetin?

Më e keqja që sjell shmangia e debateve për buxhetin është radiografia e munguar e ekonomisë shqiptare, burimeve të financimit të saj, shkallën e konkurrencës dhe qëndrueshmërinë dhe rreziqet e rritjes. Mbi të gjitha, të mënyrës së përdorimit të parave të taksave të shqiptarëve, të përzgjedhjes së projekteve, që do të financohen dhe cilët do të jenë përfituesit. Publiku apo oligarkët? Do të rritet mirëqenia e shqiptarëve në tërësi apo do të ketë humbës? Dhe radiografia e ekonomisë shqiptare tregon se në të gjitha drejtimet e mësipërme, gjendja është pak të përcaktohet si shqetësuese.

Konkretisht cilat janë disa shqetësime kryesore lidhur me buxhetin e vitit të ardhshëm?

Buxheti 2024 është buxheti më i madh i planifikuar me 6,6 miliardë euro afërsisht. Në vlerësimin tim, objektivi i më sipër është i mundshëm. Por, jo i sigurt parë mënyrën e ndërtimit, të financimit dhe funksionimit të ekonomisë shqiptare. I mundshëm, sepse informaliteti është mjaft i lartë, deri në 50% të PPB, që jep hapësirë për të ardhura buxhetore. Gjithashtu, Shqipëria ka potenciale të mëdha zhvillimi, që shprehen jo vetëm në sektorin e turizmit në lulëzim. I rrezikshëm, sepse një pjesë e madhe e financimeve të ekonomisë shqiptare janë nga burime me natyrë të “zezë”, që varen nga vendimet e shteteve ku në shumicë këto të ardhura sigurohen.

Aq e vërtetë është kjo sa mund të themi, se bursa e realitetit ekonomik shqiptar dhe vetë fuqia e Lekut shqiptar ndikohen nga numri i hyrjeve ose i kapjes së sasive dhe grupeve të drogës dhe korrupsionit shumë më tepër, se vendimmarrjet e çoroditura të Bankës së Shqipërisë! I rrezikshëm, sepse shkalla e korrupsionit është e lartë, vendimmarrjet ekzekutive nuk mbështesin industritë dhe prodhimin vendor, por grupimet monopol dhe kartel, që ulin ndjeshëm konkurrueshmërinë dhe efektivitetin e ekonomisë. Mjafton të përmendim se pothuaj 150 milionë euro në buxhetin 2024 do të shkojnë për financimin e koncesion eve dhe PPP ose 2, 3 herë më të lartë se arsimi dhe shëndetësia dhe bujqësia.

Dhe si mund të përmirësohen?

Projektbuxheti 2024 paraqet problematika që mund të përmirësoheshin, në të paktën 5 shtylla kryesore: Së pari, problematike paraqitet mënyra e sigurimit të shtimit të të ardhurave buxhetore. Përpjekjet e qeverisë duhet ta përqendrohen në uljen e nivelit të lartë të informalitetit në nivel ekonomie, luftës kundër korrupsionit dhe mirëmenaxhimit të burimeve financiare buxhetore si dhe kompanive publike dhe jo vetëm në shtim të barrës fiskale si bizneset, profesionistët e lirë, qytetarët etj.. Informalitet i lartë paraqitet në sektorët më të rëndësishëm të ekonomisë si karburantet, ndërtimi, energjia, telekomunikacioni, lojërat e fatit etj.. Vetëm në sektorin e karburanteve me vlerësime krahasimore me shtetet fqinj përllogariten mbi 200 milionë $/vit.

Së dyti, vazhdon problematika shqetësuese e vendimmarrjeve të politikës përsa u përket shpenzimeve të të ardhurave buxhetore. Mënyra e përzgjedhjes së projekteve dhe zbatimit të shpenzimeve duhet t’i nënshtrohet parimit të “efektivitetit ekonomik” dhe mbështetjes së industrive dhe prodhimit vendor në shkallë kombëtare dhe afatgjatë dhe jo tërësisht dhe vetëm vendimmarrjeve politike.

Së treti, mendoj se duhet të përmirësohet domosdoshmërish menaxhimi i kompanive publike. Para së gjithash në sektorin e energjisë.

Së katërti, qeveria ka nevojë për ndryshime thelbësore të portofoleve ministrore për të siguruar zbatim të suksesshëm të buxhetit 2024. Është domosdoshmëri krijimi i Ministrisë së Ekonomisë si portofol i veçantë nga Ministria e Financave, krijimi i Ministrisë së Energjisë dhe Burimeve Natyrore, ndarja e Ministrisë së Mjedisit nga Turizmi etj.. Sot ministritë më të rëndësishme në mënyrë të qartë kanë përplasje të forta interesash në pjesët brenda tyre. Deri në mungesë të plotë logjike qeverisje, fatkeqësisht. Mbi të gjitha duhen ndryshuar tërësisht politikat e sotme ekonomike të PPP, koncesioneve dhe korrupsionit në prokurimet publike, që sjellin shpërdorim masiv të buxhetit, ulje të efektivitetit dhe konkurrueshëmrisë dhe krijim me ligj të monopoleve. Monopole, që shkatërrojnë jo vetëm ekonominë, por edhe nuk lejojnë duke mbytur në rrënjë ndërtimin e vetë demokracisë në vend.

Së pesti, buxheti duhet të rrisë të paktë paktën shpresat për mirëqenie. Sidomos të kategorive më të dobëta të shoqërisë. Si psh., shtresës së pensionistëve. Asnjë rritje reale e parashikuar. Ndërkohë, që edhe nga vetë shifrat jo të besueshme të INSTAT inflacioni i shportës në Shqipëri është shumë më i lartë se mesatarja e BE. Gjithashtu, nuk është e shpjegueshme, sesi është e mundur, që buxheti 2024 për bujqësinë është pothuaj 10% më i ulët se vitin paraardhës. E gjithë kjo kur dihet, se janë ndaluar fondet IPARD të BE për shkak të skandalit të korrupsionit. Për më shumë kur është e domosdoshme dhe plotësisht e mundshme të shfrytëzohet rritja e industrisë turistike.

Sa do të rëndojnë problematikat?

Për shembull do të ishte e palejueshme, që të përsëritet kalimi në krizë energjetike i vitit 2021 dhe / ose rritje të çmimit të energjisë në kushtet kur prodhimi vendor tejkaloi me mbi 6% nevojat e vendit. Duhet shpjegim publik, se përse pikërisht 2 ditë para reshjeve të dendura dhe përmbytjeve masive të pritshme në muajin nëntor 2023 KESH bleu mbi 14 milionë euro energji elektrike dhe menjëherë filloi shitjen duke humbur të paktën 10 milion euro? E njëjta gjë mund të thuhet për metodikat e vlerësimit për financimin e PPP dhe koncesioneve. Si është e mundur psh., që Rruga e Arbrit nuk mbaron kurrë duke u shtyrë deri tani në të paktën 3 vite, duke gllabëruar pothuaj dyfishim të buxhetit fillestar qindra milionë euro? E njëjta gjë edhe për rrugën e Kardhiqit, të Qafë Plloçës, etj.. Ndërkohë vetëm për më pak se 10 milionë euro dhe vetëm 7 km gjatësi rruga strategjike për industrinë e turizmit Përmet-Çarshovë është shumë e vështirë dhe e rrezikshme, duke nxjerrë pothuaj jashtë loje gjithë pjesën juglindore të vendit.

Ose psh., rruga e rëndësishme Thumanë – Fushë Krujë për shumë pak km gjatësi të njërit nuk bëhet kurrë, duke favorizuar koncesionin etj.. etj.. Si është e mundur që të mburremi për industri turistike, ndërkohë që mungojnë investimet për impiante të pastrimit të ujërave të zeza. Ujëra të zeza, që derdhen pa kursim në lumenj, dete dhe liqene turistike. Që vetë Tirana, kryeqyteti i vendit “kampion” në turizëm i derdh ujërat e zeza në Lanë si në shekujt e Mesjetës?!

Për djegës të mbeturinave, që paguhen pa fund edhe pse janë vetëm në letër?! Si është e mundur, që parashikohen të financohen me dhjetëra miliona euro shkolla të ndërtuara vetëm pak vite më parë, në zona kur numri i nxënësve ka rënë në mënyrë të ndjeshme dhe nuk mendohen mënyra të tjera shumë më efektive dhe jo korruptive?! Por, sa më sipër janë vetëm pasoja të debatit të munguar të buxhetit 2024. Thënë ndryshe: të buxhetit fantazmë “të faktit të kryer” të qeverisë, por jo Kuvendit!


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.