Kryesore

Nga lavdia me Barçën, te heroi i Shqipërisë / Artikulli për Silvinjon, trajnerin që i ka bërë të gjithë për vete

11:30 - 06.12.23 a.d
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Patjetër që kualifikimi në Europian dhe shortimi në një grup me Spanjën, Italinë dhe Kroacinë, ka tërhequr vëmendjen e spanjolles “El Mundo Deportivo”, e cila i ka kushtuar një artikull trajnerit Silvinjo, i cili ka udhëhequr kuqezinjtë drejt këtij suksesi.




Për ish-lojtarin e Barcelonës që ka fituar 8 trofe, shkruhet: “Tiranë , 12 tetor 2023. Mijëra tifozë shqiptarë festojnë në rrugë fitoren 3-0 të skuadrës së tyre ndaj Çekisë, e cila e çon Shqipërinë shumë pranë kampionatit të dytë europian në historinë e saj. Një 2-0 ndaj Bullgarisë, një 1-1 ndaj Moldavisë dhe 0-0 ndaj Ishujve Faroe, lejuan që ëndrra të plotësohej.

Një ish-lojtar i Barcelonës, Silvinjo, fitues i 8 titujve si lojtar i Barçës, përfshirë 2 tituj të ‘Champions League’, një nën drejtimin e Frenk Rajkardit dhe një tjetër nën drejtimin e Pep Guardiolës, është ‘arkitekti’ i kësaj skuadre shqiptare, të cilën e ka drejtuar në ‘Gjermani 2024’. Shorti i së shtunës së kaluar i bashkoi ata me askënd tjetër përveç Spanjës, Italisë dhe Kroacisë në fazën e grupeve.

Silvio Mendes Kampos Xhunior, shkurt Silvinjo ka lindur në vitin 1974 në Sao Paulo dhe luajti për Barcelonën nga viti 2004 deri në 2009. Mbrojtës i majtë, bëri kapërcimin në Europë te Arsenali në 1999 nga Korinthiansi, ku ishte më parë.

Në vitin 2001 ai u largua nga ‘Premier League’, për t’iu bashkuar futbollit spanjoll, te Selta, fanellën e së cilës e mbrojti deri në vitin 2004, kur nënshkroi për Barcelonën. Ai e përfundoi karrierën e tij si lojtar te Mançester Siti në vitin 2010. Në karrierën e tij me kombëtaren ai numëron 6 paraqitje për Brazilin, teksa si trajner i parë, e filloi te Lioni, për të vazhduar te Korinthiansi.

Nga janari 2023 është trajner i Shqipërisë, me shokun e tij te Siti, Pablo Zabaleta, lojtar i Argjentinës me 58 paraqitje, që tashmë luan rolin e asistentit. Silvinjo mori vendin e Edoardo Rejës, i cili u largua nga posti në nëntor 2022.

Ashtu si lojtarët e tij, Silvinjo tashmë është bërë një hero shqiptar. Madje, ai u dekorua me “Shqiponjën e Artë”, një nderim që ia dorëzoi kryeministri i vendit, Edi Rama. Nëse Xhani De Biazi ia doli ta çonte skuadrën në Europianin e parë, “Francë 2016”, ish-lojtari i Barcelonës e ka çuar në të dytin.

Më 24 qershor Shqipëria do të përballet në fazën e grupeve me Spanjën. Në rekordin e Silvinjos si lojtar në futbollin europian ka një ‘Community Shield’ të fituar me Arsenalin (1999) dhe 8 tituj me Barcelonën, 2 ‘Champions League’ (2005- 06 dhe 2008-09), 3 kampionate (2004-05, 2005-06, 2008-09), një Kupë (2008-09) dhe 2 Superkupa Spanjolle (2004-05 dhe 2008-09)”, shkruhej në artikullin e medias së njohur spanjolle “El Mundo Deportivo” për trajnerin e Kombëtares shqiptare, Silvinjo.

PANORAMASPORT.AL


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.