Kryesore

“Kjo Shqipëri thyen këdo”, ish-mesfushori Kukeli: Silvinjo ka sjellë energji pozitive, kalimi i grupit nuk është… (E PLOTË)

20:46 - 07.12.23 E.P
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Tashmë 39 vjeç dhe i tërhequr nga futbolli më 1 korrik 2021, Burim Kukeli, një nga “regjisorët” e mesfushës në Europianin e 2016-s në Francë dhe tani ndihmëstrajner te Grasshopers, është kthyer të flasë në një intervistë ekskluzive për “Panorama Sport”.




Kukeli jep mendimet e tij në lidhje me kualifikimin e Shqipërisë për herë të dytë në Europian, teksa ngacmohet edhe se cila biletë për në Euro ishte më e lehtë për tu prerë, kjo apo ajo e kohës së tij. Ai gjithashtu ka një koment edhe për shortin, Amir Abrashin, të cilin e ka si lojtar te ekipi zviceran, si dhe për mesfushën aktuale të Shqipërisë.

Burim, është më e vështirë të jesh lojtar apo trajner?

Mendoj se si lojtar, ashtu edhe si trajner kanë vështirësitë e veta. Si lojtar duhesh të jesh shumë i përgatitur fizikisht, por edhe mendërisht. Ndërsa kur vjen puna si trajner, je më shumë i ngarkuar psikologjikisht.

Si po shkon eksperienca juaj te Grasshopers?

Është një punë intensive çdo ditë. Po shkon mirë dhe jam i hapur që të mësoj dhe të përmirësohem çdo ditë.

Dikur ndaje mesfushën me të, tani je ndihmës trajneri i tij. Çfarë thotë Amir Abrashi këto kohë?

Është një situatë interesante si për mua e sigurisht edhe për Amirin. Për mua është nder të jem trajner i dytë i një lojtari me eksperiencë dhe personalitet kaq të fortë si ai.

Duke qenë se ju e keni në stërvitje çdo ditë Abrashin, por keni parë edhe Kombëtaren e këtij viti. Mendon se është mundësia që Abrashi të shkojë në Europian, për herë të dytë me ekipin, për vetë faktin e eksperiencës që ka, apo është histori e mbyllur sipas teje?

Patjetër që është e mundur që Amiri të jetë pjesë e ekipit në Europian. Me eksperiencën e tij dhe vullnetin që ai ka do të ishte shumë i vlefshëm për Kombëtaren.

Si ju është dukur Kombëtarja me Silvinjon?

Mendoj se trajneri ka bëre një punë të mrekullushme dhe Kombëtarja ka rezultate të merituara. Kombëtarja ka qenë në të gjitha ndeshjet shumë kompakte në fazën mbrojtëse dhe në kundërsulm shumë efikas. Vërehet solidariteti i ekipit dhe fokusi i tyre i përbashkët për fitore.

Përveç frymës së grupit që është krijuar, çfarë ka sjellë tjetër sipas jush, trajneri i ri në këtë ekip?

Duhet të them se edhe kur ishte Eduardo Reja ka qenë një frymë e mirë te Kombëtarja, por Silvinjo ka krijuar një grup me një mentalitet shumë të mirë dhe fitues. Normalisht që në situata të vështira tregohet shpirti i ekipit dhe Kombëtarja po tregon me të vërtetë harmoni të mirë në ekip dhe energji pozitive.

Nuk po krahasoj ekipin e këtij viti me atë të 2016 që shkoi në Europian, por po ju pyes, cilat kualifikuese kanë qenë më të vështira?

Çdo arritje ka shumë punë mbrapa. Ne ishim në një grup shumë të fortë me kundërshtarë si Portugalia, Danimarka, Serbia dhe Armenia deri diku. Por, kundërshtarë të lehtë për mua nuk ka. Secila kombëtare ka anët e veta të forta.

Nëse do t’i shtoje kësaj Kombëtarje një futbollist nga brezi yt, cili do të ishte?

Kombëtarja ka ende lojtarë me të cilët kam luajtur në vitin 2016. E kanë merituar të jenë edhe tani pjesë e ekipit. Kështu që…

Një koment për mesfushën, Ramadani, Asllani dhe Bajrami po funksionojnë shumë mirë…

Një treshe shumë e disiplinuar. Lojtarë me karakteristika të ndryshme, por që përshtaten shumë mirë së bashku.

Me aq sa i keni ndjekur edhe kombëtaret e tjera aktualisht, a mund të përballet me këdo skuadër dhe pa frikë kjo Shqipëri?

Mendoj se kemi bërë shumë progres si Kombëtare. Ndoshta për momentin nuk jemi në pozita për të dominuar çdo kundërshtar, por kemi aftësinë të fitojmë kundrejt çdo kundërshtari.

Shorti, si ju duket në një grup me Spanjën, Italinë dhe Kroacinë?

Një grup me kombëtare shumë të forta, do të jetë e vështirë, por jo e pamundur. Në këtë grup nuk jemi favoritë, kështu që nuk do të kemi shumë presion dhe do të jenë ndeshje të bukura. Nuk do doja ta kishim Serbinë në grup dhe ashtu shkoi.

A do të shkoni në Gjermani, për të ndjekur nga afër Shqipërinë në ndonjë ndeshje?

Do të mundohem të jem prezent në ndonjë ndeshje. Për mua është gjithmonë kënaqësi t’i shikoj ndeshjet e Kombëtares sonë dhe i gëzohem shumë çdo suksesi, siç ishte edhe kualifikimi i arritur.

Ish-mesfushori

Me Kombëtaren 27 ndeshje në pesë vite

Burim Kukeli luajti 27 ndeshje me Kombëtaren shqiptare. Mesfushori i qendrës i cili shquhej për ndërtimin e lojës dhe me një aftësi teknike shumë të lartë, debutoi nën drejtimin e Xhani De Biazit më 7 shtator 2012, në një ndeshje kualifikuese për Botërorin e 2014-s ndaj Qipros, e cila u fitua 3-1 nga kuqezinjtë. Më pas ai pësoi një dëmtim të rëndë duke thyer këmbën, për tu rikthyer 2 vite më vonë me ekipin përfaqësueses, titullar në fitoren e famshme ndaj Portugalisë në transfertë. Ndërkohë ai luajti nga minuta e parë edhe në Europian, në ndeshjet ndaj Francës dhe Zvicrës. E mbylli ndaj Maqedonisë së Veriut në shtator 2017.

KRISTI SEJATLLARI – PANORAMASPORT.AL

 


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.