Kryesore

“Rreziku për sulme nga Serbia, permanent”- Shqipëria do të dërgojë trupa shtesë në Kosovë, ja sa do të jetë numri i ushtarëve

10:03 - 24.12.23 E.P
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

 




Shqipëria do të dërgojë trupa shtesë në misionin paqeruajtës të NATO-s në Kosovë. Shtimi i trupave të KFOR-it në Kosovë po ndodh veçanërisht pas sulmit terrorist serb, më 24 shtator në Banjskë, ku u vra rreshteri policor Afrim Bunjaku.

Ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, Petrit Malaj, duke folur për situatën e sigurisë në Kosovë, thekson se rreziku për ndonjë sulm tjetër nga Serbia mund të jetë permanent.

Diplomati shqiptar thekson për KosovaPress, se vitin tjetër do të sjellin edhe 40 trupa shtesë në kuadër të KFOR-it. Ambasadori Malaj ka thënë se aktualisht numri i ushtarëve të Shqipërisë në kuadër të misionit të NATO-s, në Kosovë është mbi 100.

“Ne kemi një numër të caktuar të ushtarëve, në fakt kemi mbi 100 ushtarë në Pejë dhe në komandën e KFOR-it. Kam pasur takim me komandantin e KFOR-it dhe Shqipëria gjithmonë i ka qëndruar mendimit që KFOR-i duhet të forcojë praninë e tij dhe të jetë i pranishëm kudo në Kosovë për të realizuar misionin e tij që ka për siguri dhe të paqes për të gjithë qytetarët në Kosovë. Mendoj se KFOR-i po e bën këtë, ka rritur forcat dhe prania e tij në veri të Mitrovicës ndjehet më shumë, pikërisht duke parë edhe rrezikun, por nga ana tjetër edhe duke pasur idenë e tyre për të zbatuar sa më mirë misionin që ata kanë në Kosovë. Ne do të sjellim sërish trupa vitin tjetër. Kështu Shqipëria edhe në vitin tjetër do të sjellë trupa shtesë në kuadër të KFOR-it për të qenë gjithmonë brenda detyrimeve të saj që ka si një shtet anëtar i NATO-s dhe aleat i fuqishëm i perëndimit. Ne në vitin tjetër do të sjellim edhe 40 forca”, deklaron Malaj.

Diplomati Malaj ka komentuar edhe deklaratat e presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani se “Serbia po planifikon sulme të reja”.

“Përderisa flet presidentja e Kosovës dhe strukturat e tilla të një shteti i cili është mirë i organizuar, padyshim që ata kanë informacionin e duhur dhe i dinë shumë mirë këto gjëra. Unë nuk kam informacionin e duhur, ndoshta për detaje, por di që rreziku mund të jetë permanent. Prandaj, duhet bëhen disa hapa. Nuk mund të shkojmë askund duke pasur vetëm konflikte. Patjetër që dialogu ka sjellë marrëveshje, ato kërkojnë zbatim të dyanshëm. Në rastin konkret Kosova ka bërë atë që duhet dhe po bën hapat e duhur për këtë gjë”, thekson Malaj.

Krerët shtetëror kosovarë vlerësojnë rrezikun që vjen nga Serbia për paqen dhe sigurinë në vend dhe rajon.

Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani ditë më parë në takimin e samitit të BE-së me Ballkanin Perëndimor ka informuar liderët evropianë, siç ka thënë ajo, mbi rrezikun që vjen nga Serbia për paqen dhe sigurinë në vend dhe rajon.

Gjeneral gjerman Ralf Hammerstein, ka thënë këto ditë se siguria në Kosovë po përkeqësohet dukshëm dhe NATO po e shton praninë e saj në pranverë.

Po ashtu edhe Instituti amerikan Robert Lansing ka shprehur shqetësime për sulme të reja nga Serbia në Kosovë, veçanërisht pas incidentit të 24 shtatorit.

E kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, të shtunën tha se Milan Radoiçiq po planifikon një sulm tjetër në Kosovë.

“Pas sulmit terrorist, Radoiçiq u lirua ga gjykata serbe në kohë rekorde, ai tash po vazhdon përgatitjet për sulme tjera në Kosovë bashkë disa pjesëtarë të organizatës terroriste “Mbrojtja Civile”. Radoiçiq po mban takime të rregullta me zyrtarë të lartë të BIA-s. ambientet e firmës në Rashkë, si ato të Novi Pazar Put, po përdoren për strehimin dhe ruajtjen e automjeteve dhe mjeteve eksplozive për sulmet e ardhshme nga Radoiçiq dhe grupi i tij. Në këtë ndërtesë strehohen disa anëtarë të “Mbrojtjes Civile” që instruktor e kanë Uglesha Jaridiq”, ka thënë ai në një konferencë./KosovaPress


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.