Kosova

“Serbia u përpoq ta deformonte të vërtetën!”- Kurti dhe Osmani homazhe në 25 vjetorin e masakrës së Reçakut: Regjimi i Vuçiç-it e mohon krimin

10:09 - 15.01.24 gsh
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, së bashku me presidentet Vjosa Osmani, kanë nderuar sot viktimat e Masakrës së Reçakut, ku ka falënderuar ish-ambasadorin e misionit të OSBE-së në Kosovë, William Walker, i cili i tregoi botës se çfarë kishte ndodhur në këtë vend.




Ish-shefi i misionit vëzhgues të OSBE-së në Kosovë, ambasadori William Walker, e pati cilësuar asokohe Masakrën në Reçak si krim kundër njerëzimit.

Gjatë fjalës së tij, Kurti u shpreh se e vërteta është armiku më i madh i diktatorëve dhe shovinistëve andaj, ndaj edhe sot e kësaj dite “ambasadori William Walker vazhdon të jetë ndërkombëtari më i sulmuar edhe më i urryer në Serbi”.

“Masakra e Reçakut këtu e 25 vjet më parë, ku u vranë 45 civilë shqiptarë e tronditi si opinionin publik ndërkombëtar, gjithashtu edhe diplomacinë botërore dhe e bëri të domosdoshëm ndërhyrjen ushtarake të NATO-s për të ndalur gjenocidin e Serbisë në Kosovë. Kur ndodhi masakra e Reçakut, ambasadori William Walker si udhëheqës i misionit të OSBE-së në Kosovë erdhi këtu te fshatarët dhe e foli të vërtetën, tha kjo është masakër dhe krim kundër njerëzimit. E dimë që e vërteta është armiku më i madh i diktatorëve dhe shovinistëve andaj edhe sot e kësaj dite ambasadori William Walker vazhdon të jetë ndërkombëtari më i sulmuar edhe më i urryer në Serbi, ku vazhdon të dominojë një regjim autoritar me ç’rast ish-ministri i informatave të asaj kohe sot është president i Serbisë”, tha Kurti.

Kurti ka përkujtuar edhe 11 ushtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të cilët kanë rënë në betejë duke mbrojtur trupat e masakruar në këtë fshat.

Ai u shpreh se civilët e vrarë nuk u varrosën deri pas katër javësh, pasi kishte luftime, ndërsa theksoi se ky është tregues që Serbia është përpjekur ta deformojë të vërtetën dhe të justifikojë krimin.

“Më 15 janar në një dimër jashtëzakonisht të ftohtë pati ndodhur ky krim makabër, ndërkaq varrimi i 45 civilëve ka ndodhur vetëm katër javë më vonë sepse ka pasur luftë të madhe për Kosovën. I kemi edhe 11 ushtarë të UÇK-së që kanë rënë në betejë për mbrojtjen e trupave të masakruar nga Serbia dhe ato katër javë tregojnë se Serbia është përpjekur ta deformojë të vërtetën, ta justifikojë krimin dhe prandaj edhe një herë po e theksoj rëndësinë e të vërtetës të ambasadorit William Walker, të cilit i jemi mirënjohës që në një moment historik për popullin tonë e foli vetëm të vërtetën”, tha Kurti.

Mëngjesin e sotëm homazhe kanë bërë edhe presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani dhe të afërm e familjarë të viktimave, ku është shprehur se drejtësia i jep kuptim paqes e lirisë.

Ajo ka thënë se shqiptarët u masakruan duarthatë në mënyrë brutale nga regjimi i Sllobodan Millosheviçit, duke theksuar se ish-ambasadori William Walker ishte bërë zëri i viktimave të Kosovës.

“25 vjet pas luftës e pas Masakrës së Reçakut. Jemi këtu jo vetëm për të nderuar viktimat e regjimit gjenocidal të Millosheviqit, por për të përsëritur thirrjen tonë për drejtësi. Drejtësia i jep kuptim paqes, lirisë, e është e domosdoshme për pajtim. Edhe sot jemi këtu për të nderuar të rënët, të gjithë ata që duarthatë u masakruan në mënyrë brutale, duke kryer krime kundër njerëzimit nga regjimi i Millosheviqit. Jemi këtu për të falënderuar sërish ambasadorin William Walker që u bë zëri i viktimës kur në në një kohë s’kishim zë. Kur kishim nevojë për mbrojtjen e botës demokratike, Masakra e Reçakut ndërkombëtarizoi çështjen e Kosovës”, ka thënë ajo.

Presidentja Osmani ka theksuar se regjimi i presidentit serb, Aleksandar Vuçiç, pos që mohon masakrën, “po i arreston e torturon ata që vendosin lule mbi varret e fëmijëve të luftës”.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.