DOSSIER

“Nik Ndreka nuk është vrarë nga diversantët, por…”- Si u manipulua ngjarja për 70 vite për “Heroin e Popullit! Zbulohet dokumenti me mashtrimin

12:17 - 29.02.24 a.d
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

NGA DASHNOR KALOÇI/ Plot 72 vite më parë, apo më saktë në pasditen e 20 qershor të vitit 1952, në skajin më verior të Shqipërisë, diku në zonën e Vermoshit, fare pranë kufirit shtetëror me Jugosllavinë e asaj kohe, një fëmijë 13-vjeçar, i quajtur Nik Pjetër Ndreka, i cili ishte si çoban që ruante bagëtitë e familjes së tij në bjeshkë, rrëshqet dhe rrëzohet e bie nga shkëmbi, duke humbur jetën, si rezultat i plagëve të shumta që kishte marrë në kokë dhe në trup.




Pas disa orë kërkimesh nga bashkëfshtarët e tij dhe disa barinj të tjerë që ndodheshin diku aty afër me bagëtitë, u bë e mundur gjetja e trupit të tij të pajetë, diku në një vend të thepisur, i njohur nga vendasit si “Shkëmbi i Jashnicës”. Pas kësaj, trupin e pajetë të Nikës, e kanë vendosur në një vig dhe e kanë dërguar në një shtëpi të fshatit Vermosh, te të afërm të tij, (pasi babai i Nikës, Pjetër Ndreka me gjithë familjen e tij, banonin në fshatin Mali Kolaj të Velipojës), ku u kryen të gjitha ritet mortore dhe një ditë më pas, u bë dhe varrimi i tij, në varrezën familjare pranë asaj shtëpie, siç ishte dhe zakoni në atë kohë.

VDEKJA AKSIDENTALE E NIK PJETËR NDREKËS

Edhe pse në momentin e humbjes së jetës në mënyrë aksidentale dhe tragjike të 13-vjeçarit Nik Ndreka, (i njohur ndryshe dhe si Nik Deda), ishin prezentë edhe disa bashkëmoshtarë të tij dhe fshatarë të tjerë të asaj zone që ruanin bagëtitë, të cilët të pyetur për ngjarjen, dëshmuan se Nika ishte rrëzuar nga shkëmbi, që pasditen e 20 qershorit, si dhe të nesërmen e varrimit të tij dhe gjithashtu në ditët në vijim, u hap fjala se, Nik Dedën e kishin vrarë me thikë diversantët e ardhur nga Jugosllavia, të cilët më pas, e kishin hedhur në greminë nga një shkëmb i lartë. E gjitha kjo, pra akuza se, ai fëmijë 13-vjeçar, ishte vrarë me thikë nga diversantët, e kishte bazën sa tek intrigat për qëllime përftimi personal, aq dhe tek indoktrinimi i tejskajshëm dhe fryma që ekzistonte kryesisht tek ata banorë të asaj zone kufitare, se çdo e keqe atyre, iu kishte ardhur dhe iu vinte nga armiku që kishin në anën tjetër të kufirit shtetëror, pra konkretisht, nga UDB-ja jugosllave.

Nisur nga sa më sipër, edhe njoftimi i parë zyrtar që u bë nga ana e Komandës së Batalionit të reparteve të kufirit që mbulonin zonën e Vermoshit, të cilat më datën 22 qershor (një ditë pas varrimit të Nik Ndrekës), në njoftimin nëpërmjet linjës telefonike, dërguar eprorëve të tyre në Degës e Punëve të Brendshme të Shkodrës, midis të tjerash u bënin me dije se: “Pioneri 13-vjeçar, Nik Ndreka, ishte vrarë me thikë nga diversantët dhe ishte hedhur në greminë prej tyre”! Në bazë të këtij njoftimi, po atë ditë, Dega e Punëve të Brendshme e Shkodrës, sa më sipër, njoftonte Komandën e Kufirit pranë Ministrisë së Punëve të Brendshme, e cila gjithashtu, në komunikatën ditore për ngjarjet e jashtëzakonëshme, që kishin ndodhur atë ditë në të gjithë kufirin shtetëror të Shqipërisë, midis të tjerash kishte shënuar se: “Në zonën e Vermoshit, diversantët kishin vrarë me thikë dhe hedhur më pas nga shkëmbi, pionerin 13-vjeçar, Nik Pjetri”.

VERSIONI ZYRTAR: “NIK NDREKËN E VRANË DIVERSANTËT”

Në këtë kontekst të zhvillimit të ngjarjeve, një javë më vonë, organet kompetente përkatëse shtetërore, si Këshilli Popullor i Bashkuar i zonës së Vermoshit, organizata bazë e Partisë dhe Dega e Punëve të Brendshme e Shkodrës, etj., e thirrën babain e Nik Ndrekës, Pjetër Ndrekën, që banonte familjarisht në fshatin Mali Kolaj të Velipojës, të cilit i komunikuan zyrtarisht se, i biri Nika (apo siç njihej ndryshe edhe si Nik Deda), ishte vrarë dhe masakruar me thikë nga diversantët, të cilët më pas e kishin hedhur nga shkëmbi. Sipas tyre, kjo gjë kishte ardhur për arsye se dy-tre ditë më parë, Nika kishte pikasur një bandë diversantësh të dërguar nga UDB-ja jugosllave, me në krye Mark Pashkun dhe Pjetër Gjekën (Hysaj), (ish-banorë të Vermoshit, të arratisur në Jugosllavi që në vitin 1949), të cilët rrinin fshehur në ato anë dhe Nika kishte shkuar menjëherë në Postën e Kufirit, duke ua treguar kufitarëve vendndodhjen e tyre.

Pjetër Ndreka, me, apo pa dëshirën e tij, ishte i detyruar dhe e pranoi versionin e vrasjes së të birit, (“fjala e Partisë ishte ligj”), që ia komunikuan zyrtarisht “shokët e Partisë dhe Pushtetit”, të cilat gjithashtu, nisur edhe nga e kaluara patriotike e asaj familje, i bënë të ditur Pjetrit, se i biri, Nik Deda, do të shpallej “Dëshmor i Atdheut”. Dhe pas kësaj, pa humbur kohë, kufomën e djalit të tij, Nikës, e nxorrën nga varret familjare dhe e varrosën me ceremoni zyrtare dhe nderimet e rastit, te shkolla e fshatit, ku ishin varret e fshatit Vermosh. Që nga ajo ditë, Nik Deda u konsiderua dhe shpall zyrtarisht si “Dëshmor i Atdheut” dhe me vendim të Komitetit Ekzekutiv të rrethit të Shkodrës, shkollës së fshatit Vermosh, ku ai kishte qenë nxënës për dy-tre vjet, iu dha emri Shkolla “Nik Ndreka”.

PROPAGANDA ZYRTARE PËR “AKTIN HEROIK” TË NIK NDREKËS

Në vijim të popullarizimit të emrit dhe figurës së tij, si “Dëshmor i Atdheut”, filloi një propagandë e madhe në shtyp dhe në “Radio Tirana”, me shkrime dhe reportazhe të ndryshme në gazeta, revista, libra shkollorë dhe artistikë, ku midis të tjerash, thuhej se: “Pioneri 13-vjeçar, Nik Pjetër Ndreka, dha jetën e tij, i vrarë me thikë nga diversantët, duke u përleshur me ta në mbrojtje të kufijve shtetërorë të Republikës Popullore të Shqipërisë dhe akti heroik i tij, do jetë burim i madh frymëzimi për të gjithë pionerët e Shqipërisë dhe brezat që do vijnë”.

Në këtë kuadër, pra në në vijim të popullarizimit të emrit dhe figurës së pionerit “Hero”, Nik Pjetër Ndreka, në vitet që pasuan, për çdo 20 qershor, në shkollën e fshatit Vermosh që tashmë mbante emrin e tij, zhvilloheshin mitingje përkujtimore ku mbanin fjalime, titullarë të lartë partiakë dhe shtetërorë të rrethit të Shkodrës, si: Bilal Parruca, Prokop Murra, etj., apo dhe funksionarë të lartë të ardhur nga Tirana si: ministri i Punëve të Brendshme, gjeneral-lejitnat, Kadri Hazbiu, apo dhe zëvëndasat e tij, gjeneral-major Rexhep Kolli, Mihallaq Ziçishti, Feçor Shehu, kryetari i Degës së Punëve të Brendshme të Shkodrës, gjeneral-major Hilmi Seiti, etj.

Disa vjet më vonë, me dekret të veçantë nga Presidiumi i Kuvendit Popullor të Republikës Popullore të Shqipërisë, Nik Pjetër Ndrekës, iu akordua dekorata me e lartë, duke u nderuar me titullin “Hero i Popullit”, dhe menjëherë pas kësaj, eshtrat e tij i hoqën dhe nga varrezat e fshatit Vermosh, duke i dërguar në “Varrezat e Dëshmorëve” të rrethit të Shkodrës, ku iu bënë të gjitha ceremonitë përkatëse nga autoritetet partiake dhe shtetërore, siç parashikonte protokolli, për çdo person që mbante titullin e lartë “Hero i Popullit”.

Pas dhënies së titullit “Hero i Popullit”, për të përkujtuar “aktin heroik të pionerit 13-vjeçar Nik Pjetër Ndreka, që dha jetën e tij në luftë me diversantët në mbrojtje të kufijve shtetërorë të Republikës Popullore të Shqipërisë”, përveç shkrimeve në gazeta, libra dhe revista, si dhe reportazheve e radio-dramatizimeve në “Radio Tirana”, në atë kohë janë realizuar edhe disa kinoditarë dhe dokumentarë televizivë, si dhe filmi artistik i Kinostudios “Shqipëri e Re”, me titullin “Lugina e Pushkatarit”, ku në të gjitha, përjëtësohej emri dhe figura e tij.

Po kështu, në muzeun e Ministrisë së Punëve të Brendshme në Tiranë, në një stendë të veçantë, pasqyrohej me fotë dhe relike, “akti heroik i pionerit 13-vjeçar, Nik Pjetër Ndreka, ‘Hero i Popullit’”, si dhe babai i tij, Pjetër Ndreka, apo familjarë e të afërm, ftoheshin dhe ishin prezentë në presidiumet e mledhjeve dhe aktiviteteve përkujtimore me rastin e “vrasjes” së Nik Ndrekës, apo për 5 majin “Ditën e Dëshmorëve” dhe “Ditën e Forcave të Kufirit”, që zhvillohej në çdo vit, në datën 25 prill. Emri dhe figura e Nik Pjetër Ndrekës, u propagandua dhe popullarizua aq shumë, saqë edhe në Kampin e Pionerëve “Qemal Stafa”, te “Plepat e Durrësit”, një kompanie pionerësh iu vu emri “Nik Ndreka” dhe u ngrit një bust i tij, duke e barazuar atë me Ylbere Bylykbashin dhe Met Hasën, dy pionerë të tjerë, “Heronj të Popullit”, që ishin vrarë në Luftën Nacionalçlirimtare.

Përveç propagandimit dhe popullarizimit të emrit dhe figurës së pionerit “Hero”, Nik Pjetër Ndreka, regjimi komunist tregoi një kujdes të veçantë edhe për familjen e tij, të cilën e hoqën nga fshati Mali Kolaj i Velipojës (fshati i origjinës së tyre) ku ata kishin banuar brez pas brezi dhe i transferuan në qytezën e Milotit të Kurbinit (në atë kohë dhe deri në vitin 1992, nën juridiksionin e rrethit të Krujës), ku Pjetër Ndrekës me familjen e tij, i dhanë vilën e Abaz Kupit, (e sekuestruar nga shteti komunist që në vitin 1945), një ndërtesë dykatëshe, me shumë dhoma e me oborr, mjaft komode. Po kështu, edhe të gjithë fëmijt e Pjetër Ndrekës, u dërguan me bursa shtetërore apo të drejta studimi në shkolla të larta, ku ata u diplomuan si oficerë, mjekë, ekonomistë, etj., dhe bënë emër të mirë, kudo ku ata shërbyen, para dhe pas viteve ’90.

VRASJA E PJETËR GJEKËS DHE FATI TRAGJIK I FAMILJES SË TIJ

Ndryshe nga “fati” që përndoqi familjen e Nik Pjetër Ndrekës, gjatë gjithë periudhës së regjimit komunist të Enver Hoxhës dhe pasuesit të tij, Ramiz Alia, të cilët deri në vitin 1990, u nderuan dhe vlersuan si “familje dëshmori”, duke pasur disa favore dhe privilegje, një fat krejt tragjik, pati familja e Mark Pashkut dhe Pjetër Gjekës (Hysaj), të cilët që nga 20 qershori i vitit 1952, u akuzuan zyrtarisht nga shteti shqiptar, si vrasësit e pionerit Nik Pjetër Ndreka. Ndërkohë që ata ishin të arratisur në Jugosllavi që nga viti 1949, pasi ua sekuestruan të gjitha shtëpitë, pronat dhe pasuritë, familjet e tyre, me gra, pleq e fëmijë, vetëm me rrobat e trupit, u dërguan në internim në kampin e Tepelenës, kurse disa të tjerë nga familjet e tyre, u pushkatuan apo përfunduan kampeve dhe burgjeve të regjimit komunist.

Por, jo gjithçka do përfundonte me kaq për ata dhe familjet e tyre, pasi plot tre muaj pas ngjarjes ku humbi jetën Nik Ndreka, më 18 shtator të vitit 1952, Marku Pashku me Pjetër Gjekën (Hysaj), kaluan kufirin shtetëror dhe hyjnë fshehurazi në zonën e Vermoshit, me qëllim për të marrë dy fëmijë jetimë, që jetonin në mjerim të madh, (pasi prindërit e tyre ua kishte pushktuar regjimi komunist), dhe për t’i marrë me vete në Jugosllavi. Por, Marku me Pjetrin, nuk mundën t’ia arrinin dot qëllimit të tyre, pasi ata i diktuan nga forcat e kufirit të asaj zone dhe Pjetër Gjeka mbeti i vrarë, kurse Mark Pashku, mundi që të çante rrethimin dhe të kalonte përsëri kufirin, duke u kthyer në Mal të Zi, andej nga kishte ardhur. Nisur edhe nga akuza që Pjetër Gjeka (Hysaj), mbante mbi shpinë, si: “vrasës i Nik Ndrekës”, pas vrasjes me breshëri plumbash, fillimisht kufomën e tij e kanë varur në një pemë, e më pas e kanë përçudnuar, duke e tërhequr zvarrë dhe goditur me gurë, e pasi e kanë zhveshur, duke ia marrë rrobat e trupit, e kanë groposur në një përrua, për të mos u gjetur më kurrë.

Vrasja e Pjetër Gjekës në ato rrethana, ku thuhej se atë e kishte dërguar UDB-ja jugosllave si diversant me mision sekret në Shqipëri, e rëndoi akoma më tepër situatën e familjes së tij, e cila edhe pse pas disa kohësh, u lirua nga internimi i kampit të Tepelenës, pjestarëve të saj, nuk do t’u ndahej për asnjë çast persekutimi, mes vuajtjesh në punët më të rënda dhe nëpër kampe dhe burgje. Një fat të tillë të trishtë, apo më saktë tragjik, pati dhe Nikoll Hysaj (djali i Pjetër Gjekës), i cili për t’i shpëtuar arrestimit dhe presioneve të shumtë të njerëzve të Sigurimit të Shtetit, u detyrua që të arratisej nga Shqipëria (më 26 korrik 1979) dhe pasi një qëndrimi të shkurtër në Jugosllavi, Belgjikë dhe Itali, ai do fitonte azilin politik, duke u vendosur në SHBA, ku jeton edhe sot.

TENTATIVAT E TË BIRIT TË PJETËR GJEKËS PAS VITEVE ’90 PËR TË ZBARDHUR NGJARJEN

Menjëherë pas rënies së regjimit komunist të Enver Hoxhës dhe pasuesit të tij Ramiz Alia, që në vitin 1991, Nikoll Hysaj, erdhi në Shqipëri dhe gjëja e parë që bëri, ishte ajo e zbardhjes së të vërtetës së ngjarjes së vrasjes të Nik Pjetër Ndrekës, për të cilën ishte akuzuar babai i tij, Pjetër Gjeka dhe Mark Pashku. Për këtë gjë, Nikolla shkoi në Vermosh, ku në bazë të zakonit, mblodhi burrat e fshatit para kishës dhe u kërkoi atyre, të shpreheshin publikisht, lidhur me sa ata dinin për atë ngjarje. Por, edhe pse pjesa më e madhe e atyre burrave, (mes tyre dhe të afërm të Pjetër Ndrekës), pranuan se ajo ngjarje ishte sajuar nga Partia dhe Sigurimi i Shtetit në atë kohë, pra, që vdekja e Nik Ndrekës, ishte aksidentale dhe Pjetër Gjeka e Mark Pashku, nuk kishin asnjë lidhje me atë ngjarje, ajo akuzë që ata mbanin padrejtësisht prej katër dekadash, nuk ishte e lehtë që t’ju hiqej.

Edhe pse Nikoll Hysaj që nga ajo kohë, ka ardhur disa herë në Shqipëri, duke mos reshtur për të kërkuar të vërtetën, sa nëpër arkiva apo me shkrime dhe intervista në shtyp e emisione televizive (si p.sh., në “Tv Klan” te “Histori me Zhurmues” me autor Pandi Laço, në vitin 2011, apo “Opinion” të Blendi Fevziut, në 2022), përsëri ajo akuzë, të paktën zyrtarisht, nuk mund të hiqej, përderi sa nuk kishte një dokument arkivor, që ta vërtetonte të kundërtën e versionit zyrtar, që kishte dhënë regjimi komunist!

ZBULIMI I DOKUMENTIT NGA HISTORIANI KASTRIOT DERVISHI NË DHJETOR 2023

Gjë e cila paradoksalisht, vazhdonte të mbetej “në fuqi”, edhe pas viteve ’90, madje deri në dhjetorin e vitit të kaluar, kur gazetari, studiuesi dhe historiani i njohur, Kastriot Dervishi, gjeti dhe publikoi dokumentin arkivor, ku thuhet e zeza mbi të bardhë, se: “Në lidhje me komunikatën tonë nr.173, datë 22.6.1952, ky Sektor njofton se sipas analizës së bërë në vend nga Komanda e Batalionit dhe shokët e Zbulimit, rezulton se pioneri Nik Pjetri, nuk është vrarë me thikë nga diversantët, por është gremisur vetë nga shkëmbi”. Në fund të dokumentit, (siç duket dhe nga faksimilja përkatëse), është firma e Komandantit të Kufirit pranë Ministrisë së Brendshme, nënkolonel, Ndreko Rino.

Ky dokument, që historian i njohur Kastriot Dervishi publikoi, (ashtu siç ka bërë dhe po bën prej prej vitesh), duke hedhur dritë mbi një ngjarje të manipuluar dhe të mbajtur të fshehtë nga regjimi komunist që nga viti 1952, mendojmë se mbart vlera të mëdha, jo thjesht për ngjarjen në fjalë, e cila zbardhet plotësisht pas 70 vitesh, por se ajo tregon qartazi, se si është manipuluar historiografia e para viteve ’90, siç ka ndodhur edhe me ngjarje të tjera madhore të historisë së Shqipërisë, të cilat tashmë dihen dhe nuk është vendi që t’i përmëndim këtu. Por, për të qenë korrekt deri në fund, për sa më sipër, duhet thënë se, nga të gjitha kërkimet që janë bërë nëpër arkiva deri më sot, lidhur me ngjarjen në fjalë (pra, atë të Nik Ndrekës, nuk ekziston asnjë dokument, që të thuhet se Nik Pjetër Ndreka, u vra nga diversantët.

Po kështu, edhe në dokumentet arkivore që kemi publikuar në shtyp, me relacionet e Sigurimit të Shtetit, për arratisjen e Nikoll Hysaj nga Shqipëria, (apo survejimi që i është bërë atij në shtetet ku ai ka qenë, nga viti 1979, deri në 1990-ën, nga ana e Drejtorisë së Zbulimit Politik, pranë Ministrisë së Punëve të Jashtme; Arkivi i Ministrisë së Punëve të Jashtme, Dosjet me “Veprimtarinë e emigracionit reaksionar në Perëndim”), në asnjë rast të vetëm, nuk thuhet se babai i tij, Pjetër Gjeka, është akuzuar për vrasjen e Nik Pjetër Ndrekës. Pra si duket, autoritetet përkatëse shtetërore dhe partiake të asaj kohe, kanë qenë seriozë në këtë pikë dhe janë treguar tepër të kujdesshëm, apo janë mjaftuar vetëm me anën propagandistike të asaj ngjarje dhe çdo gjë është mbyllur aty.

Dokumenti me komunikatën e komandantit të Kufirit të Ministrisë së Brendshme, nënkolonel Ndreko Rino, mbi vdekjen e pionerit Nik Pjetër Ndreka.

REZERVAT SERIA “B” KOMUNIKATË OPERATIVE E KOMANDËS SË KUFIRTIT, NR.176 DATË 25/6/1952 ORA 8:00 HARTA: 1.50.000

SEKTORI i I-rë, KORÇË: Njofton më 24/6/1952, ora 5 e 30, dy kompani monarko-fashiste, punonin në kodrat e Koroficatit (8906) dhe (8806). Në orën 7 e 30, erdhën nga Mali i Zeligradit (7899) në Kodrat e Gerlanit, 36 ushtarë monarko-fashistë, me 62 kafshë të ngarkuara me drurë. Kemi të dhëna nga Seksioni i Degës së Punëve të Brendshme në Pogradec, se në përpjekjen që u bë më 17/6/ 1952, në Postën e Tushemishtit (2878), një nga diversantët është plagosur rëndë, i cili është tërhequr nga shoku i tij dhe strehuar në Alarup të Potgories. Jemi në ndjekje të kësaj informate

SEKTORI I II-të, KUKËS: Asgjë të re. SEKTORI I III-të, SHKODËR: Njofton se më 23/8/1952, ora 20:00, në Sektorin e Postës së Hotit (8870), u dorëzua civili Vasil Kola nga katundi Vuksan Lekaj Potgoricë, i datëlindjes 1931. Ky doli me not nëpër liqen. Në bregun e liqenit, ishte organizuar shërbimi me përgjegjës ushtar Pilo Vangjelin, e diktuan para daljes në tokë, e lanë sa të dilte nga uji dhe e kapën. Ai kishte pasur me vete një automatik gjerman dhe dokumente personale, të cilat i kishte humbur në ujë.

Në lidhje me komunikatën tonë nr.173, datë 22.6.1952, ky Sektor njofton se, sipas analizës së bërë në vend nga Komanda e Batalionit dhe shokët e Zbulimit, rezulton se pioneri Nik Pjetri, nuk është vrarë me thikë nga diversantët, por është gremisur vetë nga shkëmbi.

SEKTORI I IV-të, DELVINË: Njofton se prej datës 17/ 6/1952, vazhdojnë të vijnë anije luftarake në Portin e Korfuzit; qëllimi i tyre nuk kuptohet, ka mundësi që të bëjnë lojë ushtarake, por mund të kenë edhe qëllime të tjera provokuese. Më 22/6/1952. Monarko-fashistët në Sektorin e Batalionit Konispol, kanë qëlluar me pushkë forcat tona. Sikurse kemi njoftuar në komunikatën e ditëve të fundit, konstatohet se monarko-fashistët kanë aktivizuar veprimtarinë e tyre në drejtimet Jorgucat dhe Konispol, ndërsa nga ana e detit, lëvizin vaporë ushtarakë. Për këtë, Komanda e Sektorit të IV-të, u urdhërua që të përforcojë ruajtjen e kufirit, në Batalionin Jorgucat, Konispol dhe Himarë.

KOMANDANTI I KUFIRIT

N / K O L O N E L

Ndreko Rino

Fjalori Enciklopedik Shqiptar i vitit 1985: “Banditët e torturuan dhe trupin e Nik Pjetër Ndrekës e hodhën në humnerë”

Deda Nik Pjetër. (Nik Pjetër Ndreka 1939-1952). Pioner, shembull i lartë patriotizmi dhe besnikërie për mbrojtjen e atdheut dhe fitoret e revolucionit popullor, Hero i Popullit. Lindi në fshatin Mali Kolaj (Velipojë) të Shkodrës, në një familje fshatare me ndjenja atdhetare. Nxënës i zellshëm në shkollën fillore të fshatit Vermosh të Shkodrës, u shqua për dashurinë ndaj atdheut, popullit e Partisë, urrejtjen e pakufishme për armiqtë e popullit. Shpejt u bë njeriu më i afërt i kufitarëve. Me ndihëm e tij, u zbulua dhe u asgjesua nga forcat e kufirit, një bandë e rrezikshme diversantësh. U kap befasisht nga bandidët te “Kërshi i Djegur”, afër Jaçiçës kur kthehej në shtëpi me bagëtinë. Banditët e torturuan dhe trupin e tij, e hodhën në humnerë, më 20.6.1952. (A.Z. – R.P.) Memorie.al


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.