LAJMI I FUNDIT

Drejtësia, kjo dramë me 5 akte

11:29 - 02.03.24 a.d
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play
Nga  LUTFI DERVISHI

Në Shqipëri salla e gjyqit është vetëm akti final i një drame me pesë akte, katër prej të cilave luhen jashtë godinës së gjykatës.




Gjyqi kafeneve

Mes aromës tunduese të kafesë që përzjehet mes mjegullës së tymit të duhanit, farkëtohet fati i njerëzve që një ditë do të përballen me drejtësinë në gjykatë.

Në Shqipëri kemi jo pak por 18 mijë kafene, mbase veç dosjet e mbetura stok në Gjykatën e Lartë ja kalojnë për rekord numrash.

Juristët e kafenesë, të armatosur me vite përvojë dhe eskpertizë që varion nga ligji ndërkombëtar për detin te thashethemet e lagjes, nuk hezitojnë të japin drejtësi të shpejtë.

“E di unë si do të mbarojë kjo punë,” thotë njëri, duke tymosur cigaren me pamje të Salomonit.

Çfarë provash, çfarë dëshmish, çfarë faktesh, e dinë të gjithë se çfarë ka bërë… Maskarai! Burg! Aty të kalbet! Nuk ka nevojë për asgjë, tashmë vendimi është dhënë dhe verdiktdhënësit janë po aq të sigurtë sa edhe shkuma mbi kapuçiono.

Gjyqi i Facebook-ut

Këtu drejtësia leviz më shpejt se në kafene. Vendimet jepen në seksionin e komenteve dhe provat paraprake shqyrtohen me like. Njëri shkruan fjalë që nuk i kupton as vetë, një tjetër fshin çfarë ka shkruar sepse gabimisht komenti i tij ka dalë pa asnjë gabim. Një tjetër shpërndan një meme. Verdikti bëhet viral, gjyqtarët janë globalë se nuk përtojnë të japin vendim edhe ata që ndodhen në anën tjetër të globit. Ushtria e prokurorëve të Facebook është e pamëshirshme!

Gjyqi i medias

Këtu vendimet ulërasin në formën e titujve me gërma të mëdha dhe pyetjeve retorike. Këtu “gazetari” është polic, oficer i policisë gjyqësore, prokuror, avokat, gjyqtar, noter, përmbarues.

Këtu rrëfimi merr nota tragjike, “gazetarë” dhe “komentatorë” flasin sikur gjithë jetën e kanë kaluar prapa kurrizit të akuzuarit dhe kanë parë edhe tekstet që ka shkruajtur në Whatsapp.

Nën dritat e studios, “ekspertët”, flasin me një autoritet hyjnor. Për hir të së vërtetës këtu qëllon që thuhet edhe ndonjë e vërtetë, por ajo përshëpëritet gjatë atyre minutave të bekuara të publicitetit.

Vendimi që jep media është i zhurmshëm në publik ku shpesh qëllon që gjatë këtij vendimi të harrohen disa vogëlsira si faktet apo provat.

Në këtë vend të zhuritur për drejtësi, kush ka kohë të lexojë dëshmi, apo të dëgjojë dëshmitarë. Koha është flori apo jo?

Gjyqi i politikanëve

Ndokush mund të mendojë gabimisht se Gjykata Supreme në Shqipëri është Gjykata e Lartë, apo Gjykatë Kushtetuese.

Ndonjë tjetër mund të mendojë se ka edhe më lart, duke menduar Gjykatën e Strasburgut. Por jo.

Gjykata Supreme këtu është gjyqi politik. Fajësia dhe pafajësia në këtë gjykatë janë po aq relative sa edhe teoria e relativitetit të Ajnshtajnit.

Politikani është i vetmi “gjykatës” që mbron djallin dhe sulmon shenjtorin. Në këtë gjyq nuk ka ëngjëj. Këtu të gjithë janë fajtorë dhe të pafajshëm në varësi nga fryn era dhe tufani i radhës. Kjo është “gjykata” që i bën gjyqin edhe vetë gjykatës.

Gjyqi në sallën e gjyqit

Mes zhurmës së vendimeve të dhëna në tavolinat e kafeneve, platformave të panumurta të rrjeteve asociale, lajmeve e emisioneve pa fund, kuvendeve të partive dhe sallës së parlamentit, më në fund mbërrihet në aktin final në sallën e gjyqit. Këtu është gjykatësi figura më e harruar në drejtësinë popullore. I veshur me solemnitetin e rrobës së tij, gjykatësi duhet vendosë bazuar mbi ligjin.

Në sallën e vërtetë të gjyqit, gjykatësi është arbitri i paanshëm mes mbrojtes dhe akuzës.

Ai është njeriu që shqyrton me rigorozitet, jo atë që dinë të gjithë, por atë që ai mund të provojë, është vendi ku dëshmitarët kryqëzohen, ku kushtetuta dhe ligji janë Zoti dhe precedentët ligjorë udhërrëfyes që vlejnë më shumë se postimet në facebook/instagram e konferencat për shtyp.

Salla duhet të jetë një domen ku sundon ligjit dhe ku kapriçot e opinionit publik nuk kanë asnjë fuqi.

Këtu gjykatësi përfaqëson parimet e drejtësisë dhe procesit të rregullt, duke u përpjekur të sigurojë që drejtësia jo vetëm të jepet, por të shërbehet në mënyrën e duhur, bazuar në fakte dhe ligje në vend të supozimeve, hamendësimeve,zhurmës dhe ulërimave.

Mjerisht, pëshpëritjet e kafeneve, britmat e internetit, ulërimat e titujve sensacionalë, predikimet e analistëve dhe konferencat e shtypit depërtojnë përmes dyerve të sallës së gjyqit duke sfiduar shenjtërinë e procedurës gjyqësore.

Dhe ndodh që gjykatësi harron që është gjykatës apo është në dilemë të madhe, para dhënies së vendimit: Cilës nga katër aktet e para duhet t’i kushtojë më shumë vëmendje?!


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.