DOSSIER

Si u vendos lirimi nga burgu i djalit të Mehmet Shehut në mars ’91! Zbardhen diskutimet e Presidiumit! Ramiz Alia: Ta mbash në burg kot, ose s’e falim hiç, se…

13:13 - 15.03.24 a.d
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Kjo është pjesa e dytë e debateve të mbledhjes së Presidiumit të Kuvendit Popullor e datës 13 mars 1991, që mes të tjerave ka marrë në shqyrtim lirimin e partisë së fundit së të burgosurve politikë. Materiali është transkriptim i incizimeve audio të kësaj mbledhjeje, ku merrnin pjesë edhe ministrat e Drejtësisë dhe ai i Brendshëm si dhe kryetarë të Komiteteve Ekzekutive në rrethe. Në pjesën e parë debatet kishin në epiqendër diskutime refraktare për lirimin ose jo të atyre të burgosurve, që veç akuzave politike, kishin edhe akuza ordinere.




Kryesuesi i mbledhjes, Ramiz Alia, me atributet e Kryetarit të Presidiumit të Kuvendit Popullor, del veçanërisht kundër lirimit të kësaj kategorie të dënuarish, me argumentimet se atyre u duhej falur vetëm pjesa politike e dënimit, por në disa raste edhe krejt kundër, duke argumentuar se akuzat politike te kjo kategori kanë qenë inekzistente, të montuara. Në këtë pjesë të dytë vijon i njëjti debat, ndërkohë që në shqyrtim merret kërkesa për lirimin e djalit të Mehmet Shehut. Një moment që shoqërohet me batuta të forta, ku dallohet veçanërisht mosbindja për të bërë lëshime, duke argumentuar se djali i ish-kryeministrit nuk vuante burg më shumë për akuza politike sesa për terrorizëm.

******

Kore: Jo nuk do të ketë më persona që qëndrojnë në burg për propagandë dhe tentativë arratisje.

Alia: Politikë, këta janë. S’ka më.

Kore: Pra nuk do të ketë më persona, me këta që janë sot, nuk do të ketë më persona që rrinë në burg për politikë.

Alia: E pra. Pra neve sot në mbledhjen, se do jepet komunikimi, sot duhet të jepet komunikimi, që d.m.th, Presidiumi i Kuvendit Popullor liroi edhe grupin e fundit të burgosurit e të dënuarve politikë. Pikë.

Kore: Në qoftë se ka raste një që është dënuar për sabotim e për diversion…

Alia: Sabotim, diversion, spiunazh, nuk janë politikë.

Kore: …të dënuar njëkohësisht edhe për agjitacion e propagandë. Kjo pjesë i zbritet, sot.

Alia: Nuk më lot rol ajo mua. Se po qe spiun, nuk është për politikë.

Kore: Do qëndrojë brenda, do qëndrojë për arsye të tjera, jo për këto.

Alia: Dëgjo spiuni, spiuni është njeri i paguar, është mercenar. Mercenari nuk është politikan…

Kore: Kryen një shërbim të caktuar…

Alia: Terroristi është njeri i paguar, nuk është politikan. E ka paguar dikush: vrit këtë. E ka paguar dikush: Saboto këtë. Pikë. Nuk janë njerëz politikanë. Politikan është ai që është kundër regjimit. Kundër regjimit me një fjalë është me organizim, me dhunë, nxit dhunën etj, etj. Spiunazh në favor të një fuqie të huaj? Je i paguar me para. Këtu s’ka asnjë problem. (ndërhyrje nga salla).

Alia: Ministri i Drejtësisë duhet t’i qëndrojë këtij vendimi këtu edhe pikë. T’i thotë nuk ka më. Jo, jo. Ata që janë dhe kushdo që mbetet, mbetet për krime ordinere. Kupton, diversioni, spiunazhi, terrorizmi nuk hyjnë në kuadrin e politikës, nuk janë krime politike, janë ordinere që dënohen në tërë botën dhe jo, nuk dënohen si krime politike. Mirë çfarë keni në faqen e parë? Se ja shiko, merreni në faqen e dytë, numri pesë. I dënuar më parë, që se dimë përse është dënuar më parë, i dënuar përsëri me 5 vjet e 8 muaj heqje lirie për tentativë arratisje jashtë shtetit dhe për vjedhje të pasurisë. Po pra, të tjetrit. Por i dënuar më parë! Përse është dënuar më parë?

Kore: Atë dënim e ka vuajtur ai, e ka mbaruar…

Alia: Jo, jo. Po përse është dënuar më parë?

Kore: Për krime politike, por mund të jetë edhe për vjedhje.

Alia: Jo, jo. Por mund të jetë për vjedhje. Pra atëherë, pse duhet ta bëj unë këtë njeri politik?

Kore: Jo, nuk është politik.

Alia: Po këtu je. Këtu ke, se do kesh më poshtë gjashtë herë i dënuar. Faqe dy, keni vërejtje? Faqe 3. Ja përvetësim i pasurisë socialiste. Faqe 4. faqe 5. Shiko tashti, ky numri 21. Thotë dënuar më parë. Përse është dënuar më parë nuk e dimë. Dënuar përsëri me 8 vjet për tentativë arratisje. Ka vuajtur 1 vit e 5 muaj e ne e falim. Pse e quajmë politik. Po kjo tentativë arratisje është, por ka qenë i dënuar edhe më para ama.

Zë nga salla: Po e ka mbaruar…

Alia: Jo, skam gjë. Lëre të iki. Të iki. Faqe 6. ja ke faqe gjashtë, atë të fundit fare. I dënuar më parë thotë, tani është dënuar prapë në kushtet e vuajtjes së dënimit për tradhti ndaj atdheut, në formën e arratisjes jashtë shtetit. Pra duke qenë në burg, ka tentuar të arratiset. Kështu duhet të jetë kjo.

Kore: Po, kështu është.

Alia: Kështu? Ja këtu është ai defekti ligjor. Se kur tenton nga burgu të arratisesh, nuk është akuzë themelore, tentativë për arratisje, akuza kryesore është kryengritje në burg. Arratisje nga burgu, tentativë për të thyer burgun, kupton, kjo është akuza themelore. Nuk është arratisja. Ti e kape atje. Por ai bëri krimin se iku nga burgu. Theu ligjet e burgut, theu rregullat. Pra është diçka administrative, nuk është politike. Nuk e di. Por këtu është gabimi i gjykatave tona… Jo nuk është kuptim i ri, është kuptim i drejtësisë edhe i vjetër qoftë. Nuk niset drejtësia… Çfarë e dënon më shumë këtë njëri. Drejtësia niset çfarë krimi ka bërë? Ai krim që ka bërë, për atë dënoje. Për arratisje nga burgu mund të dënohesh edhe me vdekje. Unë nuk e di sa parashikon ligji.

Kore: Është largim pa leje, largim nga vendi i vuajtjes së dënimit. Alia: Kush tha? Po ta kishte parë roja i këtij qëllonte dhe e vriste dhe s’ka përgjegjësi roja. S’ka përgjegjësi roja hiç. Prandaj nuk është dënimi aq i lehtë sa thua ti. Është dënim shumë i rëndë. Sepse nuk është largim nga vendi i dënimit, por ai ka hapur tunel, ai mund të ketë prerë telat, e ku di unë se çfarë ka bërë.

Zë nga salla: Mund të ketë vrarë rojën..

Alia: Mund të ketë vrarë rojën. Goditur rojën. Por është parë ajo tjetra. Se arratisja, shkon deri me vdekje. Pra është marrë ai nen dhe këto të tjerat janë lënë pas dore. Kurse mund ta dënosh tamam për këtë, kupton. Nuk e di! Se gjashtë muaj burg vuan ky njeri vetëm për faktin se ky tentoi të arratisej nga burgu. Pse 6 muaj dënohet ky që tentoi të arratiset nga burgu? Nejse e lëmë, se s’kam ndonjë gjë. Faqe 7. Faqe 8. Ja keni këtë numrin 38, shikojeni. I dënuar katër herë më parë. Edhe e bëjmë politik këtë neve. Kjo e fundit, po, por katër herë që është dënuar, çfarë është ky, o është hajdut, o është… dhe neve e bëjmë politikan këtë. Ku di unë, u veshin ca rroba këtyre njerëzve. Këtë nuk e kuptoj, pa dakord, ik, le të shkojë. Faqe 9. Provokim lufte. Çorbë fare. Ja, faqe 10 shikojeni. Pajtim K., i dënuar 6 herë, 49-ta, pesë herë. 51-shi, i dënuar më parë. Nuk e di. Siç duket skedat nuk janë në rregull.

Kore: Ato dënime i ka bërë, i ka mbaruar ato.

Alia: Po mirë dakord. Unë e kam këtu mor, për të krijuar figurën e këtyre personave Kore: Figurën e kanë negative këta. Jo, jo. Po a kanë figurë politike, apo figurë kriminale të vjedhësit? Po ne po u japim medalje këtyre! Ne po i fusim në një kategori. Politikanë. Këta janë vjedhës, ne i bëjmë politikanë. Po dale tashti. Ne e kemi diskutuar. Ne kemi disa herë që e kemi diskutuar këtë. Atëherë këto që bëjmë muhabet këtu, hyjnë në një vesh, dalin në një tjetër. Por, po të jeni dakord… Se ç’po bëjmë këtu ne, muhabet po bëjmë kot. Unë nuk kam garancinë kështu, që pas këtyre, këta shokët nuk do vazhdojnë të mendojnë kështu. Bile të na thonë prapë se kemi të tjerë politikë këtu brenda.

Kore: Jo politikë këta e kanë deklaruar. Ministria e Brendshme dhe Ministria e Drejtësisë e kanë kontrolluar një më një dhe nuk ka më të dënuar politikë këtu brenda.

Alia: Jo, unë tashti do ta shpall. S’rri më. Shihni faqen 11. Numrin 54. 54 dhe 55, dënuar për spiunazh, vepra terroriste, provokim lufte. Politikan është ky mo? Ky është i shitur, është mercenar. Unë nuk e kuptoj, pse kështu këto? I ka vënë edhe agjitacion e propagandë dhe bëhen politikanë. Me kë e provokoi luftën? Epo hajde, ka thënë: Poshtë Greqia! Mirë, tjetër faqe 12. të tërë dënuar më parë, dënuar më parë. Këtu, Presidiumi mendon tu falet dënimi i mbetur këtyre. Edhe këtij, ushtrim kurvërie edhe pornografi. Pse? Ka bërë agjitacion kundër shtetit. Edhe këtë e falim ne. E shikoni? Si dhe përvetësim të pasurisë me anë të shtrëngimit.

D.m.th, ushtrim kurvërie, pornografi, përvetësim pasurie me anë të shtrëngimit dhe vetëm pse ka agjitacion dhe propagandë, e bëjmë politikan. Aman! Ose ministër i Drejtësisë, po aman, ore! Çfarë janë more këta, politikan është ky? Ky është kurvar, kupton. Unë nuk e marr vesh këtë. Për nder nuk e marr vesh. Unë se kuptoj këtë. Në mënyrë kategorike nuk e kuptoj. Kjo është me të vërtetë një gjë krejt formale. Pse ekziston termi agjitacion e propagandë, po jo mor, ti vetë e ke thënë: pornografi, përvetësim pasurie me anë të shtrëngimit. Çfarë politikani është ky njeri? Jo unë ju them të paktën në deklaratat që bëni. Në deklaratat që bëni, mos u bëni formalë. Këta nuk janë politikanë. (reagime)

Alia: Jo, jo unë e kam këtë se mos na dali prapë ky problem. A jeni të bindur njëherë për këto që po themi? Amani, këtë ta di. Apo do na prisni në besë? Mos t’ju vijë keq hiç. Këtu duhet të na vijë keq si shtet. (reagime)

Kore: Pasi u liruan të burgosurit politikë, na dolën probleme se kishte të dënuar me të njëjtat akuza në burgje.

Alia: Nuk janë.

Kore: U thamë nuk kemi. Na thanë: Ja ku është Sazan H., i dënuar 20 vjet për agjitacion e propagandë. (reagime)

Alia: Ai brenda do jetë. Ka thyer monumentet. S’është politik.

Terezina Marubi (Kryetare e Komitetit Ekzekutiv të Shkodrës): Të Stalinit. Njëri del sot, një ka mbetur. Atë e trajtojnë politik… Ai vërtet i tillë është…

Alia: Është akt terrorist. Apo do ti themi ne: “Tentativë për akt terrorist”. S’është punë politike ajo.

Terezina: Kush do i sqarojë?

Alia: Ja Ministria e Drejtësisë do i sqarojë. Në qoftë se e trajton politik këtë problem gabon. Ç’domethënë ajo: Unë dua ta thyej këtë. Është politike kjo, se kjo ka ardhur nga borgjezia. Është kështu? Ky është akt, kupton, shkatërrimtar, terrorist. Asgjë tjetër. S’ka politikë këtu. Motivi le të niset nga të dojë, por akti është terrorist. (reagime)

Alia: Po mirë, faqe 14. Terror. I dënuar më parë, përsëri me 11 vjet për terror. Neve tashti i themi këtij… nejse. Sabotim tjetri. Përvetësim socialist, propagandë kundër shtetit. Mirë, faqe 15. Tashti nuk do rri më ti shikoj. Tashti s’bëj më vërejtje. Faqe 16. Faqe 17. Faqe 18. Faqe 19. 20, 21,22. Këtyre thotë: Tu falet dënimi i mbetur. Edhe këta, iku. Tashti 23. E shikon ti që më fole. E shikon si e ke nënvizuar këtë të 23-shit? Tu falet pjesa e dënimit që u takon për agjitacion e propagandë kundër shtetit. Pra e ke këtu tani atë. Ose tentativë arratisjeje të këtyre të dënuarve. Po pse duhet ta bëjmë këtë. Unë se marr vesh, për nder. Mirë. Dënuar gjashtë herë më përpara! Mirë dakord. Keni gjë 23-shin? (reagime)

Terezina: Vështirë ti ndash nga ata të parët.

Alia: Po i kanë ndarë këta.

Kore: Kanë ndarë pjesën që ju takon për agjitacion e propagandë..

Alia: Çfarë agjitacioni dhe propagande. Se mos e dinë këta që i kanë dënuar. Më thertë mua njeri nëse e di ai që i ka dënuar. Po pse drejtësia me mbledhje e zbritje bëhet, ë? Pëësst!

Terezina: Nëse shkohet në drejtësi, unë do të dënohem njëherë për atë që është krimi më i madh që kam bërë unë. Ai që peshon më shumë në fajin tim. Pastaj do të më shtohet mua edhe një vit, se kam thyer rregullat e qarkullimit rrugor për shembull.

Alia: Mirë, mirë dakord tashti. Faqe 23. Faqe 24. Hajde tani më. Faqe 25. (reagime). Faqe 24. Shtata. Sejfulla. Teta.

Kore: Aktualisht është i rrezikshëm… si terrorist.

Alia: Epo dy vjet i falen këtij. Terroriste është. Prandaj pra. Ç’hyn politika në terrorizëm. Unë s’marr vesh pse lehtësohen? Pëëh ç’bela, bela!. Pse ka fjalën agjitacion e propagandë brenda. (reagime) E mo le të rrijë atje, megjithatë, kupton? Zëreni ato tetë vjet që ka mbaruar, ka mbaruar të agjitacion e propagandës. Tashti po kryen të tjerat. Faqe 25. Shiko, ky, djali i Qazim Thansait është ky mo?

Kore: Ai është.

Alia: Ai që ishte në Çekosllovaki.

Kore: tashti për këtë ne kemi mendimin që të shtohet pak ajo.

Alia: Pëëshppp. 25 vjet është dënuar! Urdhëro?

Nga salla: Ka edhe 15. Kore: Kemi mendimin shoku Ramiz që këtij t’i shtohet një çik ajo.

Alia: Ti shtohet burgu?

Kore: Jo, jo falja. Ti ulet me një fjalë.

Kore: Këtij i mbeten 15 vjet e 9 muaj. Propozimi është për 5 vjet. Ne kemi ti falem mbi 10 vjet.

Alia: këtë na e dorëzuan çekët neve, apo u dorëzua vetë?

Zë nga salla: E dorëzuan çekët.

Alia: Domethënë ky nuk u dorëzua vetë ky?

Kore: Iku, bile bënte edhe karshillëk te ambasada jonë.

Alia: Po mirë. Çfarë ti falim më tepër thua ti?

Kore: Propozimi jonë është për falje 10 vjet.

Alia: 10 vjet. Po mirë, faleni 10. Faqe 26. U Deda! Dedën e ke të fortë. Ti ulen 5 vjet edhe këtij? (reagime)

Kore: Këto ulje janë të gjitha. S’lirohet asnjë.

Alia: Të ulet 5 vjet. Të ulet 5 vjet, po ik. I hiqet ajo. Diversion konsiderohet. Hajt se e ke për hatër atë. 27.

Terezina: Më fal shoku Ramiz. Kisha dhe një student… Ka ardhë kërkesa nga do studentë. Si shokët e tij, por këtë e zuri lapsi. Ç’është e vërteta ka pasur shokë këtu në Shkodër, kemi diskutuar disa raste që kanë qenë të diskutueshme, ky ka qenë një nga ata tre shokët. Shokët u liruan se ishin, kush ishin, dhe ky mbeti. As e njoh as e di. Nuk është nga Shkodra. Student në Institut është.

Alia: Peka, andej duhet të jetë… nga Kruma. Zë nga salla: Ç’farë është ky? Si është dënuar ky kështu?

Terezina: Në ngjarjen e 13 tetorit.

Kore: Është tjetër, s’ka lidhje fare me këtë.

Alia: E po ja. Djali i Muhos u lirua, ky nuk u lirua, thotë kjo, me fjalë të tjera. Ishin bashkë.

Terezina: E di e gjithë Shkodra.

Alia: E pse e mbajmë atëherë?

Kore: Atëherë kemi thënë që s’ka qenë djali i Muhos. Kështu që…

Alia: Si?

Kore: Atëherë kanë thënë që s’ka qenë djali i Muhos. Në plenum. U lutem shumë. Kryetari i Gjykatës së Lartë, Prokurori i Përgjithshëm, Hetuesi i përgjithshëm, në korridor kanë thënë: Nuk vërtetohet të ketë qenë djali i Muho Asllanit. Tre kryesorët. Po qe ashtu të përgjigjen se kanë gënjyer.

Terezina: Nuk deshi polici dëshmitar. Kore: Është tjetër muhabet.

Alia: Epo s’deshi polici të dalë dëshmitar.

Kore: Atëherë s’ka qenë.

Terezina: Këtë nuk po e diskutoj. Unë po them një fakt. Ata shokë klase, kanë pasur edhe këtë, edhe këtë. Ky i ikuri u bë bashkë me djalin e Serafinit, ky tjetri…

Alia: Po djali i Serafinit është në burg?

Terezina: Jo, a liru.

Alia: Edhe djali i Serafinit ishte, ë?

Terezina: Ky ishte nga Kukësi, duhesh kap dikush edhe kapën këtë. Kore: Shoku Ramiz kjo bëhet me propozim. Bëni propozimet…

Alia: E ke ti propozimin e këtij mo, a e ke këtu? E po na thuaj që e ke. Pse na lë të bëjmë muhabet. Mirë vazhdojmë, kur të vijmë te materiali na thuaj.

Kore: Në faqen 27 për këtë të parin…

Alia: Sokolin?

Kore: …ne jemi dakord për 2 vjet, jo për 5 vjet që ka propozuar presidiumi. Si terrorist dhe diversionit.

Alia: Terrorist prapë ky? Ku i di unë pse i futën këto! Po ik mor… Dakord, dakord. Të rrijë atje. Terroristë, këta nuk mi fut në politikan ti ministër.

Kore: Si fus unë shoku ministër

Alia: Jo or jo se do të vijë ty Arben Putua. Se e ke edhe nga Gjirokastra. Do të vijë e do të thotë: Janë për tentativë arratisje jashtë shtetit dhe janë prapë në burg. Jo, jo. Është për vepra terroriste. Terroriste. Terrorizmi nuk është për këtë punë thuaji. Nuk hyn në këto kategori.

Kore: Ashtu është me Arbenin jemi sqaruar ne. Arbenin e ngatërrojnë këta të tjerët. Ai ka ardhur, i kemi thënë dhe ka rënë dakord. Që këto krime… se i thamë, ti je profesor, ti na ke dhënë mësim. E i themi se këto janë vepra terroriste që gjithë bota i dënon. U bë një bisedë e madhe atje. Iu lëshuan tërë ata kuadrot tanë. Tha: Jo po se kemi për ata. Po kur se ke për ata, thuaja atyre atje. Ne e dimë. Kështu që ne e kemi sqaruar dhe do ta sqarojmë se kjo është e drejtë. Sepse ata spekulojnë me këtë dhe i quajnë të tërë ashtu, si…

Alia: Juve që të jeni të qartë… shiko ti Dashamir, që të jesh i qartë, unë kam këtë xhepin këtej, mbaj copa letrash që më duhen, i kam të shkruara. Këtë xhepin këtej e kam për letra bosh. E kupton? Pse e bëj këtë? Që të mos harroj. Dhe ato që duhen mos harruar, i shënoj këtu. Ahere juve duhet të shënoni e që të mos harroni, që 108 veta janë politikë. 50 janë terroristë dhe spiunë. 75 janë kriminelë ordinerë. Kaq janë në burg, more vesh? Këtë ja thua Arbenit, këtë ja thua Gramozit, këtë ja thua Ramizit këta ja thua kujt të duash, këtë e thotë çdo njeri në Ministrinë e Drejtësisë, këtë e thotë çdo njeri në Ministrinë e Brendshme. Pa Arben Puto pastaj le të thotë si të dojë. Po të dojë Arben Puto, ne mund ta fusim në burg Arbenin dhe ti themi: Rri aq ditë sa të duhen verifikuar këto. E do të duhen 6 muaj në burg të vijë e të rrijë Arbeni. E kupton? Të rrijë 6 muaj në burg, atje brenda. Se dosjet nuk ti japim jashtë, brenda ti japim. Shko po deshe ti verifikosh. A e kupton?

Por të paktën ti kemi të qartë ne. Unë këtë dua nga ti edhe nga ministri i Brendshëm. Që të mos bini në kontradiktë ju, pa ç’thotë Arben Puto, ai le të thotë ç’të dojë, atij, ai më hyn këtej, më del andej. Ai mund të sajojë. Unë di ç’kemi ne si ligj, si shtet. Dhe ne ta kemi të vërtetuar me ligj. Këtë kam hall unë të kemi të qartë. Edhe këtu, edhe organet e presidiumit, të jetë një shifër, të rakordojnë në të tria. (Reagime aprovuese) Pastaj të tërë të kemi një mendje, të tjerët le të bëjnë ç’të duan. Ai do të thotë: Shiko, tashti po bëjmë priftin me barrë. Kupton? Të gjitha po i bëjnë. S’ka rëndësi hiç ajo për mua. Mirë, faqe 27. faqe 28, (ndërhyrje).

Alia: Vepër terroriste prapë, ja ku e ke. Lëreni aty siç e kanë propozuar. Faqe 29. 30.

Kore: Jo Gloxheni, Gjordeni.

Alia: Si është? Jo Gloxheni, Gjordeni? E po nejse. Këtë e falni fare juve, ë? Për vepra terroriste. Duhet të lejohet ajo… të mbetet ajo e Ministrisë së Brendshme. Vepër terroriste e ke vetëm. Faqe 31, 32,33,34,35,36. Këtu janë tani këto: Për shkak të moshës së kaluar tu falet dënimi këtyre të dënuarve. Këtyre u falet e tëra? (reagime). Mirë, mirë. 36, 37. Ju paska mbetur edhe greku brenda në burg, ë? Kemi thënë që i kemi nxjerrë të tërë grekët. 38: Tu falet dënimi, ose një pjesë, këtyre të dënuarve. Këta janë ato. Ja për këta është politika që bëhet. Mirë e tha ai, Kristaq Rama. Po të lirojmë këta, tha, s’flet më njeri për politikë. Efektivisht, ë? (reagime) Prandaj po them unë. Jemi fut në një vend ne, ku s’po merret vesh ku futemi. (reagime). Mirë tashti, i dimë këto. I dimë. I kanë nenet, por janë nenet…

Kemi gjë në 38-ën? 39. Andon Sh., në burg qenka akoma ky? Po mirë, kush më tha mua për këtë djalin e Beqirit (Balluku red.) që është liruan nga burgu? Jo, mo jo, çne.. jo. Në faqen 39 s’keni gjë? Mirë, 40. Beqir A., gjallë qenka ky? Jo mo, e di, e di. Beqir Amerika është ky. U vra ai vëllai i tij? Vdiq? U mbyt. Ibrahimi. Bimi. Me Prokopin, po. Faqe 41. Po ç’është ky Myniri? (reagime) Dy vjet, dy vjet i falni, ë? Edhe 10 vjet të tjera. Këta të naftës, për mendimin tim, ata janë një çikë… Beqir A., është ndryshe, por ky Myniri, ka qenë bashkë me atë, ç’është ai, me Xhaçkën. Po ata, i liruam ata ne? (reagime) Edhe Erikua në burg është? Ë? Ku i ke o, si kam. Si shoh këtu unë, as njërin, as tjetrin. As Enrik, as Xhaçkë. Edhe P. Xhaçka. (reagime) Si njoh tani, si njoh. Po nejse, i shikojmë më vonë ata. I ke edhe ata të tre. Të gjithë bashkë janë ata, një kategori. (reagime) Si njoh, se di. T’ja bëjmë 5 të paktën. Ta bëjmë dyshin, dhjetë. Unë se njoh fare, xhanëm, se di kush është. Po mirë bëjeni dhjetë meqë e do ky. E do dhjetë ti?

Kore: Dhjetë, dhjetë… E shikojmë bashkë me ata të tjerët (reagime) Alia: Ta shikojnë edhe ata. Po ja radhën tjetër ta shikojnë. Tashti… Ta shikojnë ata. Këtë tjetrin, këtë djalin e këtij, Mehmetit, ça i bëni këtij juve? I falni një vit, e lini 10 muaj. Ë?

Zëra: Të falet.

Zë nga salla: Janë të dy.

Alia: Të dy vëllezërit. Njërin vëlla e liruam, po ky tjetri. Për 10 muaj ta mbash kot këtë tashti? Se o se falim hiç, se zihemi te ajo vepra e terrorit, prgatitje vepër e terrorit. Ku e di unë se ç’është? Sabotim. Ta falim fare?

Zëra: E falim.

Alia: Iku edhe ky. Ti e ke edhe nga Tepelena, ti Gramoz.

Ruçi (Gramoz Ruçi, Ministri i Brendshëm red.): Jo s’është nga Tepelena ky!

Alia: E kap Tepelena një çik se ka atë…

Ruçi: Jooo…

Alia: Ka nënën, nënën. E ka nga fshati i këtij këtu.

Ruçi: S’ka lidhje fare. Në qoftë se ka gjyshja.

Alia: Qysh?

Ruçi: Ka gjyshja. Nga gjyshja, nga nëna, jo njëherë.

Alia: E po nga gjyshja. A jo, nëna, nëna, lëre se e ngatërrova. Nëna është nga Berati. Nga gjyshja, gjyshja.

Zëra: Gjyshja është nga Shkoza.

Alia: Gjyshja, nga Shkoza.

Ruçi: Atëherë prapë është nga Vlora shoku.

Alia: Ha ha, se kap Tepelena.

Tozaj: Është miku im.

Ruçi: Ta mbajë shoku Sihat.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.