Një kamerier 17-vjeç është dhunuar brutalisht në ambientet e tij të punës. Ngjarja e rëndë ndodhi rreth orës 00:45 minuta, në ambientet e një picerie në qendër të qytetit.
Sipas burimeve policore në vendngjarje, 5 shtetas kanë rrahur kamerierin e picerisë, me grushte, shkelma e karrige, duke i shkaktuar plagë të shumta. Ende nuk dihen arsyet e këtij konflikti dhe autorët e ngjarjes, pasi pas sherrit shumica e klientëve u larguan me vrap. Deri më tani në polici janë shoqëruar rreth 12 shtetas, mes tyre 5 dyshuarit si autorë të ngjarjes, menaxheri i biznesit dhe disa klientë, që do të pyeten në lidhje me ngjarjen.
Mësohet se për zbardhjen e ngjarjes, janë sekuestruar nga policia edhe kamerat e sigurisë, nëpërmjet të cilave do të hidhet dritë mbi identitetin e saktë të autorëve.
I plagosuri B.D,17-vjeç është transportuar drejt Spitalit Rajonal Berat, ku ndodhet jashtë rrezikut për jetën nën kujdesin e mjekëve.