Gjykata e Tiranës ka caktuar masën e sigurisë “arrest në burg” për 4 të rinjtë dhe ish-efektiven e burgjeve, të arrestuar për trafik armësh nga Shkodra drejt Tiranës.
Kujtojmë se në kuadër të operacionit të koduar “Repishti” u vunë në pranga Sabian Hasaj, 22 vjeç, Redi Nika, 18 vjeç, Denis Hasaj, 18 vjeç, Denisa Halilaj, 22 vjeçe (ish-efektive e policisë së burgjeve) dhe Mirjan Hasaj 26 vjeç, të gjithë banues në Malësi të Madhe.
Të rinjtë u kapën nga uniformat blu në një parking në Rrugën e Rinasit dhe brenda automjetit ku udhëtonin iu gjetën 9 armë me krëhër e municion luftarak.
Mësohet se ata kishin vendosur 4 automatikë dhe 5 pushkë në një valixhe në bagazhin e mjetit tip BMW, që drejtohej nga Mirjan Hasaj. Dyshohet se pasi i kishin siguruar armët në Shkodër, i kishin sjellë në Tiranë për ti shitur tek persona të tjerë.
“Shërbimet e Policisë kanë lokalizuar automjetin tip “BMW” me drejtues shtetasin M. H. Gjatë kontrollit të automjetit dhe në një valixhe në bagazh, u gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale 9 armë zjarri (4 automatikë dhe 5 pushkë) me krëhër e municion luftarak.
Nga verifikimet e kryera ka rezultuar se këta shtetas pasi i kishin siguruar armët në Shkodër, i kishin sjellë në Tiranë për ti shitur tek persona të tjerë”, raportoi policia.