Kryesore

EKSKLUZIVE/ UEFA rrit shpërblimet, ja sa përfiton Superiorja! Kampionia e Shqipërisë ka në xhep…

09:03 - 18.04.24 gsh
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Futbolli shqiptar ka nisur muajin e fundit të ethshëm të tijin, ku gara do të përcaktojë fituesit e trofeve, e sigurisht edhe pjesëmarrësit në Kupat e Europës të këtij edicioni.




Një garë që bëhet më e rëndësishme duke përllogaritur se fitimet financiare që vijnë nga Europa janë shpesh frymëmarrja e vetme që kanë klubet shqiptare në aspektin financiar, ku të ardhurat e tjera janë thuajse inekzistente.

Dhe tashmë, kanë një arsye më shumë për të synuar një vend në kompeticionet e UEFA-s, pasi kjo e fundit ka rritur përfitimet ekonomike për kompeticionet e saj edhe në raundet e para kualifikuese, ku marrin pjesë shpesh në mënyrë kalimtare klubet shqiptare. Me reformimin e sistemit të fazës në grupe të kompeticioneve të saj për klube, duke filluar nga sezoni i ardhshëm, UEFA ka bërë një ndryshim të vogël edhe sa i përket fazës kualifikuese të këtyre turneve, me rritjen e bonuseve financiare që u shpërndan pjesëmarrësve.

SKEMA

UEFA ka vendosur prej disa vitesh një sistem ku klubet paguhen me kuota fikse për çdo raund në të cilin marrin pjesë. Gjithashtu, klubet marrin edhe një kuotë fikse tjetër në varësi të atij raundi ku eliminohen në këtë turne.

Nëse arrijnë në fazën në grupe të cilitdo prej turneve, bonuset e UEFA-s për kualifikueset zërohen dhe përfitojnë shifra fikse, 3.17 milionë euro, është më e vogla që jepet në turneun e fundit për nga rëndësia, Ligën e Konferencës, objektivi i vetëm që mund të synohet realisht nga klubet shqiptare. Për çdo klub kampion që nuk shkon në fazën në grupe të turneut, jepet edhe një bonus solidariteti prej 260 mijë eurosh.

NDRYSHIMI

“Panorama Sport” zbulon se pikërisht kuotat fikse për pjesëmarrjen në çdo raund, janë ato të cilat kanë ndryshuar në bazë të vendimit të fundit që ka marrë UEFA, duke kaluar nga 100 mijë euro për raund, në 175 mijë euro për raund. Një “bonus” prej 75 mijë eurosh që në optikën e klubeve shqiptare bëhet e rëndësishme, duke llogaritur burimet e cunguara të tjera të të ardhurave.

E shumëfishuar në raunde të ndryshme, nëse klubet avancojnë në turne, shifra bëhet e rëndësishme, sidomos për klubin që shpallet kampion në Superiore. Ky i fundit, edhe nëse eliminohet menjëherë nga Liga e Kampioneve, kalon në Ligën e Konferencës dhe nëse eliminohet edhe aty, në krahasim me një vit më parë do të kishte direkt 150 mijë euro më shumë në arkat e tij.

Me pak fjalë, me skemën e re financiare, klubi kampion i Superiores, ka të garantuar minimalisht 1 milion e 110 mijë euro nga prania e tij në kompeticionet europiane, edhe nëse nuk arrin të kalojë asnjë tur. Ndërkohë, skuadrat e tjera që e nisin direkt nga turi i parë i Ligës së Konferencës, kanë të garantuar minimalisht 325 mijë euro, edhe nëse eliminohen menjëherë. Në edicionin e kaluar, klubi rekord për përfitimet ishte Partizani me 1 milion e 410 mijë euro.

ERMAL KUKA-PANORAMASPORT.AL


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.