Kronikë

Protestuan te Bashkia e Tiranës, dalin para gjykatës 4 të arrestuarit: Edhe rripin e pantallonave na e kanë hequr! Duam drejtësi

10:37 - 22.04.24 gsh
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Protestuesit të cilët u arrestuan dy ditë më parë pas protestës që u mbajt para bashkisë së Tiranës, kanë dalë sot para gjykatës, ku do të njihen me masën e sigurisë.




Ata kanë denoncuar për mediat dhunën e ushtruar nga policia. Një prej tyre pohoi pas kafazit prej xhami se familja e tij ishte terrorizuar.

“Na kanë trajtuar me rripin e pantallonave. Jam arrestuar nga Komisariati i Fierit, është terrorizuar familja, kam qenë në protestë si çdo qytetar, jam anëtar i kryesisë PD, jam i shkolluar jam biznesmen. Nuk kam qëlluar me molotov, pasi kam respekt për uniformën e policisë. Kërkoj drejtësi!”, tha ai.


Kujtojmë se pas prostestës janë arrestuar dy 18-vjeçarët Kevin Vidrica dhe Bernard Metaliaj për përdorim të molotovit, si edhe shtetasi Franci Kaloshi, banues në Lushnjë, për ushtrim dhune ndaj efektivëve. Për masë sigurie ka dalë edhe Artan Muçmata.

Në mbështetje te tyre kanë mbërritur në gjykatë disa qytetare dhe deputetë të Rithemelimit.

Policia po ashtu ka proceduar ne gjendje të lirë ish-deputeti Klevis Balliu, Tedi Blushi, dhe shtetasit me iniciale E. V., D. B.

Njoftimi i policisë: 

Në lidhje me protestën e organizuar ditën e djeshme, më datë 19.04.2024, në orën 11.00, përpara Bashkisë Tiranë, thirrur nga Aleanca për Teatrin, e cila filloi në orën 11.00 me fjalime dhe përgjithësisht e qetë, në momentin që ka marrë fjalën shtetasi B. K., në drejtim të portës hyrëse të Bashkisë Tiranë, janë hedhur sende të forta dhe lëndë piroteknike artizanale (molotov).

Pas kësaj një grup protestuesish, në drejtimin e shtetasve F. N., K. B., T. B., dhe të personave të tjerë, kanë tentuar të çajnë kordonin e Policisë, në portën tjetër të Bashkisë, nga krahu i sheshit “Skënderbej”, dhe gjatë këtij momenti ka patur konfrontim midis protestuesve dhe punonjësve të Policisë.

Pas përfundimit të protestës janë kryer veprimet procedurale, është këqyrur vendi i ngjarjes, ku janë sekuestruar në cilesinë e provës materiale objekte dhe sende të hedhura në drejtim të Bashkisë Tiranë, të cilat janë dërguar për ekspertime të mëtejshme kriminalistike.

Për përdorim të lëndëve piroteknike (molotov) janë arrestuar në flagracë shtetasit K. V., 18 vjeç, dhe B. M.,18 vjeç. Gjithashtu po punohet për identifikimin dhe kapjen e dy shtetasve, të cilët kanë hedhur dhe kanë përdorur lëndë piroteknike (molotov).

Për ushtrim dhune ndaj punonjësve të Policisë është arrestuar shtetasi F. K., banues në Lushnjë.

Janë proceduar ne gjendje të lirë shtetasit K. B., T. B., E. V., D. B. Po punohet për kapjen e shtetasve A. T., R. D., A. M., J. H., B. Z., B. Gj., E. P., dhe A. P.

Gjithashtu janë administruar pamjet filmike të protestës dhe vijon këqyrja e pamjeve për identifikimin e personave të tjerë të përfshirë në veprimtari kriminale.

Materialet procedurale do i kalojnë Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë për veprime të mëtejshme.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.