Kryesore

Itali-Shqipëri, spektakli jashtë fushe në Dortmund/ Shou në tribuna, nga bukuroshet tek… “avujt e alkoolit”

08:06 - 18.06.24 I K
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Ndonëse Shqipëria nuk mundi të dilte me rezultat pozitiv nga ndeshja debutuese në “Euro 2024” ndaj Italisë, e shtuna e 15 qershorit do të mbahet mend gjatë. Një ditë e shoqëruar me emocione të forta dhe spektakël, duke nisur nga dallga kuqezi që pushtoi rrugët e Dortmundit dhe deri te shou magjik në mbrëmje tribunat e stadiumit “Signal Iduna Park”, me mbi 50 mijë tifozë shqiptarë.




Siç parashikohej, Gjermania “u pushtua” nga mijëra tifozë që vinin nga të gjitha trevat shqiptare, duke krijuar një atmosferë të jashtëzakonshme shumë ora para nisjes së ndeshjes, imazhe që tërhoqën vëmendjen e mediave më të mëdha botërore. Por le të shikojmë disa prej momenteve më të bukura që dhuruan shqiptarët në Dortmund.

 

Një video që bëri xhiron e rrjetit ishte gjesti i një tifozi shqiptar me makaronat ndaj një grupimi “axurrësh”. Fansi kuqezi mbante në duar një pako me spageti, teksa i theu para italianëve, të cilët madje “u përgjëruan”, duke ulur deri në gjunjë që mos ta bënte diçka të tillë.

 

Një veprim që konsiderohet si “sakrilegj” për një prej ushqimeve më tradicionale në vendin fqinj. E gjitha ishte në kuadrin sportiv, ndërsa në fund u shoqërua me duartrokitje dhe përqafime, duke dhënë një leksion të vërtetë se si mund të bëhen “talljet” e shëndetshme në botën e sportit, larg dhunës dhe gjuhës së urrejtjes. Ndërkohë duke kaluar në shkallët e tribunave, si zakonisht nuk munguan bukuroshet shqiptare, të cilat shkëlqyen me sharmin e tyre.

Gjithashtu tërhoqën vëmendje edhe tifozë të tjerë kuqezi të të gjitha moshave, të cilët paraqiteshin me veshje nga më të ndryshmet, duke sjellë folklorin e Shqipërisë në “Euro 2024”.

Një tjetër moment epik ishte edhe fokusimi nga kamerat gjatë takimit i një tifozi të Shqipërisë me plis në kokë, i cili me sa dukej kishte kthyer ndonjë gotë më tepër dhe shfaqej disi i turbulluar nga avujt e alkoolit. Në këtë speciale ju pasqyrojmë disa nga imazhet më të bukura të ndeshjes Itali-Shqipëri, takim i vlefshëm për Grupin B, i fituar 2-1 nga “axurrët”.

ARTIN LLESHAJ – PANORAMASPORT.AL


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.