LAJMI I FUNDIT

A mund ta ndalim degradimin moral të shoqërisë?

11:53 - 18.06.24 GËZIM TUSHI
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

GËZIM TUSHI




Në shoqërinë tonë ka disa tregues evidentë që janë dëshmi e sigurt e devijimit të sjelljes sociale të njerëzve tanë, që ndikojnë në procesin e akseleruar të një lloj degradimi të shoqërisë. Madje, disa komponentë janë bërë shumë shqetësues për funksionimin normal të familjes, shkollës, komunitetit dhe shoqërisë shqiptare në tërësi. Në mënyrë evidente dhe me intensitet të lartë po përballemi me një zgjerim të rritur të amoralitetit, që flet për përkeqësimin e stabilitetit të shoqërisë shqiptare. Nuk është rastësi që tashmë janë rritur tonet e shqetësimit dhe mosbesimit për mënyrën e deformuar të sjelljes, për format asociale të shfaqjes së natyrës së njeriut, që shpesh herë dhe fare gabimisht justifikohen si “dukuri kalimtare”, që do kalojnë me “rrjedhje sociale të lirë”, apo ca më keq kur me mendjelehtësi konsiderohen të natyrshme, duke i vlerësuar si tregues organik të jetës bashkëkohore, si shfaqje të esencës së “njeriut modern”.

Në të vërtetë po të testosh qëndrimet e vërteta të njerëzve tanë, do të kuptosh menjëherë se të shqetësuar jemi që të gjithë në familje për të sotmen dhe të nesërmen e fëmijëve tanë, për zhvillimet morfologjike dhe problemet që kanë të rinjtë në shkollë, për situatën e martesës dhe problemet që kanë të martuarit, për gjendjen dhe shqetësimet sociale dhe familjare të të moshuarve, për zgjerimin e alkoolizmit, përdorimit të drogës dhe zgjerimin e përmasave të krimit dhe prostitucionit. Duket se ka ardhur koha që të kuptojmë më mirë, me koshiencë qytetare thelbin e asaj që ka ndryshuar apo deformimet që kanë ndodhur në jetën e strukturave sociale të shoqërisë. Duke parë kurbën, drejtimin dhe intensitetin e tyre, mendoj se ato të paktën nuk mund më të nënvlerësohen apo të konsiderohen si dukuri sociale rastësore. Në të vërtetë një mendje normale, një qytetar i shqetësuar për të ardhmen e shoqërisë do të mendonte seriozisht, nga që ato janë thelbësore dhe shqetësuese.

Padyshim në kohë tranzicioni, ndryshimesh dhe transformimesh radikale të tipologjisë së jetës sonë, është e natyrshme që shumë dukuri që ndeshim të duken të paqarta për t’u kuptuar dhe interpretuar, sepse nganjëherë ato janë të befasishme apo të paparashikueshme në dukje. Por në të vërtetë tani ne duhet të mendojmë ndryshe dhe të besojmë se ato që po ndodhin në familje, në martesë, në shkollë, në komunitet dhe në shoqërinë shqiptare, nuk janë as të papritura as rastësore. Përkundrazi ato duhen vlerësuar me seriozitet dhe përgjegjësi sociale sepse në thelbin e tyre janë tregues të ndryshimeve thelbësore që kanë ndodhur në karakterin e shoqërisë shqiptare dhe natyrën e njeriut modern dhe që herë duken sikur janë normale dhe kompatibile me kohën, dhe herë të tjera shfaqen në kundërsens me standardet e qytetërimit tonë.

Duhen kuptuar këto ndryshime që kanë ndodhur në tipologjinë e jetës sociale të shoqërisë, në mënyrë që pastaj të kuptojmë dhe pranojmë efektet dhe kundër efektet sociale që kanë ato ndryshime (për mirë apo për keq) që po ndodhin intensivisht tek njeriu dhe shoqëria e ditëve tona. Të cilat janë veçanërisht të thella, kontroversale, eruptive, me frekuenca sociale të pa rregulla. Nuk ka sens që si shoqëri, familje, shkollë apo media të qëndrojmë indiferentë përballë një realiteti moral dhe social që po përkeqësohet dhe degradohet, duke neglizhuar me menefregizëm gati kolektiv (kjo sindromë sociale është bërë patologji e frikshme për shoqërinë tonë) deformimet që shfaqen, ndryshimet regresive jo qytetëruese që po ndodhin në tipologjinë e sjelljes, në tipologjinë dhe natyrën e njerëzve, sidomos të të rinjve tanë.

Nuk është mirë për shoqërinë tonë që duket sikur është tulatur e mpirë nga ekspansioni social i “fenomeneve të reja” të jetës, nga komplikimet e natyrshme dhe turbulencat e papërballueshme që po sjell me tepri, në mënyrë fragmentare e të paparashikuar zhvillimet e modernitetit të jetës sociale. Politikanët, intelektualët, prindërit, edukatorët, media dhe shoqëria civile duhet të jenë mendjehapur për të kuptuar atë që po ndodh në shoqërinë tonë, duke vlerësuar koherencën me kohën, ndikimet në formimet dhe deformimet e trajtave të saj. Nuk duhet heshtur kur herë pas here por në mënyrë të “rregullt” dhe sistematike, në shoqëri shtohen njerëzit, veçanërisht të rinjtë që janë bërë protagonistë evidentë të shumë veprimeve amorale dhe sjelljeve brutale e asociale. Janë shtuar rastet e sjelljeve herë me natyrë vandaliste dhe shumë herë të tjera me karakter të qartë kriminal, që në një farë mënyre kanë një peshë të madhe sociale dhe që thelbësisht po dëmtojnë, degradojnë dhe deformojnë kulturën e bashkëjetesës sociale. Shoqërisë tonë po i “shqepen tegelat” social nga që po shtohen njerëzit eksentrikë, asocialë, me deformacione të thella të moralit dhe karakterit.

Përditë dëgjojmë për të rinj që braktisin shkollën, që vanitojnë në rrugë pa plane personale, që bullizojnë, grinden, shpesh edhe e vrasin njëri tjetrin, që përdorin intensivisht drogë dhe alkool dhe duke qënë nën efektin e tyre, humbasin vetëpërmbajtjen, kontrollin e vetes, nuk kanë dëshirë të ndjekin shkollën, ose e frekuentojnë atë formalisht, që konfliktohen me mësuesit dhe pedagogët dhe prindërit e tyre. Po përballemi përditë e më shumë me qytetarë dhe të rinj që janë bërë të dhunshëm në familje, të rebeluar në shkollë, të vrazhdë në ambientet publike dhe shoqëri, që kanë marrë revan seksual dhe nuk duan të dinë dhe të mbajnë përgjegjësi sociale për veprimet e tyre.

Janë disa dukuri që së pari kanë nevojë të njihen, të vlerësohen seriozisht dhe veçanërisht të interpretohen drejt, pa zmadhime artificiale apo zvogëlime subjektiviste, qoftë nga pikëpamja morale, psikologjike apo sociale dhe sociologjike. Padyshim çrregullimet sociale të njerëzve tanë, sidomos të brezit të ri, për shumë arsye sociale dhe shkaqe moshore, qoftë të natyrës imitative apo të modës, veçanërisht të efekteve të njohura që kanë “imperializmat imponues” të kohës moderne, janë bërë gati “çrregullime sociale” sistemike, të vazhduara, të përgjithshme dhe me karakter kolektiv. Ndaj ne nuk duhet t’i shikojmë dhe vlerësojmë ato si dukuri të shkëputura të jetës së përditshme, apo t’i vlerësojmë si fenomene sociale kalimtare, që me logjikë sociologjike infantile mund të mendohet se ato do të ndodhin nga që kanë “kohën e tyre të lulëzimit”.

Kjo logjikë reduksioniste ka dhënë boll efekte negative, e ka çuar shoqërinë tonë në këtë situatë sociale tejet shqetësuese. Ndaj përkundër qëndrimeve sociologjizante sempliste, është koha që seriozisht të mendojmë ndryshe, të fillojmë të përgatitemi në të gjithë institucionet më bazale të organizimit social (familje, shkollë, komunitet, shoqëri civile) se çfarë duhet të bëjmë, cilat janë rrugët që duhen ndjekur në mënyrë që të ndikojmë pozitivisht në dominimin e kulturuar të jetës sociale, në ndryshimin pozitiv të tipologjisë së jetës, mënyrës dhe stilit të jetuarit të njerëzve, veçanërisht të grupeve të të rinjve, çfarë do bëjmë që ata të rifitojnë motive të shëndosha individuale në mënyrë që të rivendosim parametrat e kohezionit qytetërues kudo ku ata janë, mësojnë, edukohen apo argëtohen.

Sipas mendimit tim, shumica e problemeve me të cilat përballemi shfaqen në trajtën e “shqetësimeve kulturore” dhe “problemeve edukative”. Por besoj se dukurinë e “degradimit moral” duhet ta shikojmë ca më thellë, duke menduar që të gjejmë shkaqet personale dhe sociale të kësaj situate. Situata e sjelljeve amorale, veprimeve anarkiste dhe kriminale në sjelljet e shumë njerëzve është “produkt social” që ka shkaqet e veta ontologjike. Ato lidhen natyrshëm me natyrën e qytetërimit modern, por edhe shumë arsye specifike, që janë të lidhura me të kaluarën tonë historike, defektet kulturore dhe edukative të shoqërisë tonë.

Por sidoqoftë në thelb shkaku, burimi kryesor i këtyre sjelljeve qëndron në faktin se shoqëria shqiptare ka një kohë të gjatë në tranzicion, që është “periudha e artë” e krizës së vlerave dhe e shfaqjes së dobësisë së institucioneve social-edukative sikurse janë familja, shkolla, shoqëria civile, media dhe institucionet fetare morale. Të cilat realisht kanë një kohë të gjatë që janë në “gjendje nokdauni”, sepse nga pikëpamja morale shoqëria jonë është në gjendje kaotike. Ajo po përballet me vështirësi serioze për të përcaktuar sistemin e vlerave kulturore, edukative, morale, sociale që duhet të respektohen nga njerëzit tanë, veçanërisht nga të rinjtë.

Në këtë kontekst është koha që jo vetëm të konstatojmë enumeracionin pa fund të sjelljeve jo adekuate me qytetërimin të njerëzve tanë, por na duhet së pari të “hetojmë” shkaqet e kësaj situate dhe njëherësh, të propozojmë rrugë sociale dhe ndërhyrje individuale për përmirësimin e sjelljes. Sepse qytetarët sidomos të rinjtë, janë bërë aktorë me ndikim social të dukshëm, qytetarë shumë të rëndësishëm, që kanë motivime dhe sjelljeje individuale dhe kolektive gjithnjë e më komplekse.

Në përgjithësi në shoqërinë shqiptare ka disa shfaqje që në kohën tonë janë dukuri universal, që me intensitetin me të cilin shfaqen i kanë tronditur sociologët e shoqërisë moderne dhe psikologët e natyrës së sjelljes së njeriut. Kjo do të thotë që shumë dukuri në jetën tonë sociale, nuk janë dukuri nuk shfaqen vetëm në shoqërinë tonë. Ato tashmë janë dukuri universale, të cilat të vlerësuara globalisht janë material i bollshëm social, për të vërtetuar tezën se në kohën tonë ka një proces që lidhet me shoqërinë dhe njeriun modern, të cilin filozofët e Shkollës së Frankfurtit Teodor Adorno dhe Max Horkheimer e kanë quajtur me mençuri si “rrënim të natyrës njerëzore që nuk mund të shihet i ndarë prej progresit shoqëror”. M. Horkehimer, T. Adorno, Dialektika e iluminizmit, f. 32

Unë mendoj se duhet të shqetësohemi nga që jemi duke bërë shumë pak punë në familje, në shkollë, në media dhe në shoqëri, për të ndikuar pozitivisht në përmirësimin e situatës. Është koha që sociologët, psikologët, mësuesit, pedagogët, gazetarët, prindërit tanë, më saktë të gjithë së bashku, duhet të mësohemi të punojmë ndryshe nëse duam rezultate sociale dhe edukative pozitive. Vetëm kështu do mundemi të gjejmë rrugën që të ndalim këtë degradim të frikshëm të natyrës të njerëzve tanë. Kjo do të thotë që duhet kapur “demi nga brirët”, duhen njohur së pari shkaqet dhe mbi këtë bazë të krijojmë modele të sakta të njohjes dhe interpretimit të shumë dukurive, që vërtetë kanë qenë “të panjohura” më parë në shoqërinë tonë. Pa këtë ndryshim konceptual nuk ka asnjë shpresë se do të kemi ndonjë përmirësim të situatës.

Kjo duhet vlerësuar, sepse deformimet e natyrës së njerëzve tanë nuk janë më probleme sporadike apo eksese të shkëputura individuale. Kjo është shqetësuese sepse deformimet e natyrës së njerëzve tanë kanë tendencë që të bëhen “fenomen kolektiv”, që ka filluar të shfaqet jo vetëm në individë, por edhe në grupe sociale të caktuara. Kjo natyrisht nuk duhet të na ngatërrojë radhën e punës, sepse edukimi i njerëzve tanë veçanërisht i të rinjve është i vështirë. Sidomos në se çështja trajtohet si proces kolektiv, duke mos vlerësuar atë si një proces të rifitimit të motiveve të shëndosha individuale të çdo njeriu për të qenë i aftë të krijojë në shoqëri kohezion social të qytetëruar.

Ndaj koha moderne e ka vënë shoqërinë shqiptare në pozitë të vështirë. Ajo kërkon nga të gjithë aktorët socialë, mediatikë dhe familjarë, që më shumë të merren me parandalimin dhe rregullimin gradualisht të deformimeve që po pëson kultura e njerëzve tanë (që nuk janë vetëm të rinjtë) nga njëra anë, dhe së dyti, të punojmë për të ndihmuar shoqërinë që të kapërcejë situatën shumë të vështirë të mungesës së besimit se gjërat mund të përmirësohen. Pikërisht nga që jeta jonë nganjëherë duket sikur është nën kthetrat e “shoqërisë së rrëmujshme” së cilës i mungon sistemi i vlerave, si kusht për rregullimin e natyrës së njeriut dhe të karakterit të jetës sociale në shoqërinë tonë.

Ky është kusht për të dalluar njerëzit, veprimet antishoqërore, të cilat nëse nuk kemi një “sistem vlerash” morale, kulturore, sociale të njohura të pranuara shoqërisht, është vështirë për “aftësinë parashikuese” të sjelljes së tyre nga shkolla, familja dhe shoqëria. Është i vështirë procesi i formimit dhe edukimit të njerëzve. Por nuk ka rrugë tjetër të frenimit të procesit të “degradimit moral” të shoqërisë, përveç rrugës së ndikimit përmes sistemit të ngulitur të vlerave të sjelljes. Qoftë kur ato vijnë “nga brenda” nga kultura, edukata dhe morali individual i njeriut, apo kur ato “imponohen nga jashtë”, nga mjedisi shoqëror, tradita familjare dhe shoqërore, etj. Natyrisht të gjitha këto bëhen duke e ndërtuar ditë për ditë dhe gradualisht personalitetin dhe natyrën e njerëzve tanë, sidomos të të rinjve. Por jo me moralizime, për të cilat koha është bërë shumë e vështirë…


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.