Kryesore

“Mësuesi do të jetë në qendër të reformave tona”- Xhixho flet për programin e PL dhe rritjen e pagave në arsim

12:51 - 19.06.24 I K
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Zv.presidentja e PL-së, Erisa Xhixho ka dalë në një deklaratë për mediat ku ka folur mbi prioritetet e kësaj partie duke theksuar dhe rëndësinë e rritjes së pagave për mësuesit .




“Partia e Lirisë e ka vënë arsimin në qendër të njërit prej 5 prioriteteve për Shqipërinë”, theksoi ajo, duke shtuar se “buxhetimit do të jetë sa 5% e GDP-së”.

“Investimi në kapitalin njerëzor është parësor për mbështetjen e arsimit. Mësuesi do të jetë në qendër të reformave tona, për t’u trajtuar me pagë dyfish më të lartë, duke u mbështetur me bonuse, sipas modelit të vendeve nordike, ndërsa mbështetja me bursa për studentët do të dyfishohet”, u shpreh deputetja e PLD-së.

 

Deklarata e Erisa Xhixhos:

Programi për Vlerësimin Ndërkombëtar të Studentëve (PISA), ka ngelur sërish në klasë arsimin shqiptar, duke e renditur Shqipërinë të fundit në botë për mendim krijues dhe kritik, të nxënësve tanë. Nxënësit 15-vjeçarë në Shqipëri, janë të fundit ndër 64 vende të botës.

Me vetëm 13 pikë, jemi të fundit duke mbetur pas Republikës Domenikane, Marokut, Uzbekistanit, etj.

Ky klasifikim bën ngelëse në radhë të parë qeverinë shqiptare, Ministrinë e Arsimit dhe politikat e tyre të dështuara arsimore.

Fatkeqësisht, cilësia e arsimit në Shqipëri ka rënë dhe po bie në mënyrë progresive. Nuk është për t’u habitur pse nxënësit tanë, janë të fundit për mendimin krijues, kur teza e provimit të maturës shtetërore shpërndahet jashtë sallave sapo nis provimi.

Nuk habit më askënd, një rënie e tillë drastike e cilësisë së arsimit, kur vetëm pak ditë më parë, rezultatet e provimit të gjuhës së huaj të Maturës Shtetërore, nxorën ngelës 952 nxënës, gati dyfishi i një viti më parë, çka tregon rënien drastike të cilësisë së mësimdhënies.

Nuk suprizohet më askush nga dështimi i arsimit shqiptar, kur vetëm pak muaj më parë, sërish rezultatet e testit PISA, treguan se nxënësit shqiptarë janë në nivelin më të ulët të edukimit, të rrezikuar nga analfabetizmi funksional masiv.

Testet PISA na treguan edhe njëherë, se arsimi sot është shumë më keq, dhe më keq se 20 vite më parë. Duke qenë se nuk pati asnjë analizë për arsyet e këtij dështimi, kam kërkuar interprelancë urgjente me ministren e Arsimit zonjën Ogerta Manastirliu, e cila nuk vjen në Kuvend të japë llogari përpara qytetarëve.

Para rezultateve të testit PISA, dështimin e qeverisë në arsim, e tregojnë 202 shkolla të mbyllura në të gjithë vendin, në vetëm 5 vite (2017-2022).

Mungesa e mësuesve po e thellon krizën e arsimit. Në të gjithë vendin ka 222 vende vakante për mësues matematike dhe mësues të gjuhës dhe letërsisë, dy lëndët që bashkë me shkencat, i renditën të fundit nxënësit shqiptarë.

Nuk mund të kesh nxënës të përgatitur nëse nuk ke staf pedagogjik të përgatitur. Sot 47.5% e mësuesve, zotërojnë njohuri të pamjaftueshme për çështje që lidhen me mësimdhënien, 94% e trupës mësimore nuk kanë aftësi dixhitale.

Ndaj, për t’iu përgjigjur këtij dështimi dramatik, Partia e Lirisë e ka vënë arsimin në qendër të njërit prej 5 prioriteteve për Shqipërinë.

Baza e strategjisë së re për arsimin që ne do të bëjmë, do të jetë para së gjithash, një analizë e thellë e sistemit, për të ndarë nevojat akute të arsimit, dhe buxhetimit, e cila do të jetë sa 5% e GDP-së, njësoj si vendet e BE-së.

Kërkimi shkencor dhe inovacioni, do të buxhetohen mbi mesataren e vendeve të BE-së. Pa investuar fort në arsim, nuk mund të ngrihet Shqipëria, dhe pa ngitur arsimin, padyshim këto janë të lidhura në mënyrë shumë të bashkuara.

Nga ana tjetër, reformimi i kurrikulave shkollore, nga ekspertët, jashtë ndikimi, çdo përfitimi në kurriz të cilësisë së teksteve, është domosdoshmëri.

Investimi në kapitalin njerëzor është parësor për mbështetjen e arsimit. Mësuesi do të jetë në qendër të reformave tona, për t’u trajtuar me pagë dyfish më të lartë, duke u mbështetur me bonuse, sipas modelit të vendeve nordike, ndërsa mbështetja me bursa për studentët do të dyfishohet.

Ne duhet ta kthejmë arsimin në një arenë ku edukohen dhe përgatiten qytetarë të angazhuar, me njohuri të plota për shtetin ligjor, demokracinë, të drejtën për referendum.

Ne duhet ta bëjmë shkollën institucionin që formon qytetarë që mendojnë në mënyrë kritike, që janë të vetëdijshëm për të drejtat e tyre,dhe i mbrojnë, ato me çdo mjet demokratik përballë padrejtësisë.

Arsimi është sot në emergjencë kombëtare, ndaj duhet të veprojmë sot, jo nesër! Vetëm duke e ringritur arsimin, do të mund të ringremë Shqipërinë, për ta bërë atë vendin që u jep mundësinë të gjithëve e jo vetëm disave!

 


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.