Këngëtari Sidrit Bejleri ka reaguar me anë të një postimi në rrjetin social ‘Facebook’, pas ndarjes nga jeta të kompozitorit të njohur Aleksandër Lalo.
Mungesa e yjeve të ‘Showbizit’ siç e cilëson Bejleri në postimin e tij, në homazhet e kompozitorit Lalo, ka bërë që ai të shfryje dhe të nxjerrë mllefin kundrejt tyre.
Këngëtari i ka quajtur ‘çapaçulë’ të gjithë ata, të cilët sipas tij pretendojnë se po bëjnë ‘muzikë’ dhe ‘art’.
Në reagimin e tij Bejleri kujton se artistët e vërtetë nuk u pasuruan kurrë, por lanë pasuri pas vetes, pasuri e cila nuk vdes kurrë.
Postimi i plotë
Sot në drekë, tek po prisnim të përcillnim trupin e të ndjerit, mjeshtrit Aleksandër Lalo, vura re me keqardhje, por nuk u surprizova, se mungonin shumë “yje” të “showbizit” shqiptar. Nuk e kam për ata që e kishin të pamundur të vinin nga largësia dhe varet sa e njihnin. E kam për ata që rendin kush e kush të shkojë sa më shpejt në “dasmat vip”, ftuar e pa ftuar…
E kam për ata që pretendojnë se po bëjnë “muzikë” dhe “art” në këto kohë të “arta të muzikës”.
E kam për “çapaçulët” që nuk dinë dhe s’kanë për ta kuptuar kurrë sa vlerë dhe peshë ka për t’u bërë Arti i Vërtetë.
Mjeshtrat po ikin një nga një dhe vështirë të zëvendësohen e për më tepër Arti që na dhuruan. E di që kohët ndryshojnë, por të zezës nuk i them dot e bardhë.
E kam sërish me “çapaçulët”
Kush nuk respekton rrënjët dhe baballarët e vet nuk i mbetet gjë pas, e vërtetuar kjo. Si të hash “plehra” po “plehra” do prodhosh.
Kam mllef, po po, kam mllef sepse e di mirë çfarë arti na dhuruan Kujtim Laro e Aleksandër Lalo me shokë.
Se “çapaçulët” janë bërë të pasur dhe harrojnë se baballarët ikën të varfër, por pasurinë e lanë prapa.
…dhe “çapaçulët” vazhdojnë të qelbin ajrin dhe realitetin që me aq mund e sakrifica na e lanë të pastër baballarët tanë…
TURP!!!
Kujt t’i djegë le ta mbajë!