Tashmë aktivistët e LGBT-së do të mund të zhvillojnë lirisht fushatat e tyre sensibilizuese nëpër shkollat dhe gjimnazet e vendit.
Është Aleanca Kundër Diskriminimit LGBT dhe Pro LGBT e cila ka publikuar një vendim të Këshillit të Ministrave, që iu jep të drejtën atyre për fushata sensibilizuese nëpër ambientet e shkollave të mesme të Tiranës.
“Çfarë na shqetëson në këtë histori është fakti se si Ministria e Arsimit refuzon të marrë anën e saj dhe përpiqet me çdo kusht të tërhiqet nga debati, ndonëse është në fakt institucioni kryesor për zbatimin e Planit Kombëtar të Masave për luftën ndaj diskriminimit të LGBT sanksionuar me vendimin e Këshillit të Ministrave nr. 390, datë 25.5.2016. i kujtojmë Ministrisë së Arsimit se ne nuk hyjmë as natën e as vjedhurazi nëpër shkolla, por këto takime zhvillohen në kuadër të Planit Kombëtar të Veprimit për Personat LGBTI në Shqipëri, strategji e miratuar nga qeveria shqiptare në qershor 2016. Qëndrimet mohuese të MAS në këtë rast tregojnë edhe njëherë se qeveria ka dështuar të përmbushë angazhimet që vetë ka ndërmarrë që prej dy vitesh”, thuhet në deklaratën e këtyre shoqatave.
Kujtjomë se një veprim i tillë solli reagime të forta në rrjetet sociale, të politikanëve dhe shoqërisë civile, ku nuk mungoi as një përplasje mes ish-Ministrit Ylli Manjani dhe aktivistit Kristi Pinderi.