Teksa Florida po përballet me shkatërrimet dhe dëmet si pasojë e uraganit “Michael”, Europa po kërcënohet nga stuhia post-tropikale “Leslie”.
Spanja dhe Portugalia janë dy vendet e goditura deri tani nga uragani, teksa i gjithë rajoni do të përballet me erëra të forta dhe rreshje shiu.
Uragani “Leslie” ka goditur pjesën qendrore dhe veriore të Portugalisë, duke lënë 300,000 shtëpi pa energji elektrike.
Zyrtarët e mbrojtjes civile thanë se 27 persona pësuan lëndime të lehta, teksa qindra pemë u rrëzuan, disa rrugë u bllokuan dhe shumë fluturime u anuluan.
Rreth 1,900 incidente u raportuan në shërbimet emergjente, megjithëse komandanti i mbrojtjes civile Luis Belo Costa tha se “rreziku më i madh ka kaluar”.
Agjencia Meteorologjike në Spanjë deklaroi se “Leslie” po lëvizte në veri-lindje të vendit, dhe pavarësisht dobësimit, rreshjet e shiut dhe erërat e forta do të ishin prezente deri mbrëmjen e së dielës.
Katër departamente në Francën jugore gjithashtu janë vënë në gatishmëri për stuhitë dhe përmbytjet.
Uragani “Leslie” u formua më 23 shtator, por u zvogëlua në një stuhi tropikale përpara se të godiste Portugalinë.