Pas incidenteve të panumërta në prag të finales midis Boka Zhunios edhe River Plejt, përballja midis dy ekipeve është zhvendosur të “luhet” në zyra. Në bashkëpunim me “Conmebol” të dy klubet kanë vendosur që sfida të luhet më 8 ose 9 dhjetor, por drejtuesit e skuadrave nuk kanë kursyer polemikat me njëri-tjetrin gjatë orëve të fundit.
Kjo ka ndodhur pasi presidenti i Bokas ka dashur që të fitojë ndeshjen në tavolinë 0-3, pas trazirave të shkaktuara nga tifozët e ekipit të Riverit. Gjithsesi nuk mund të mungonte reagimi i presidentit të Riverit, D’Onofrio që është shprehur: “Mjaft u morët me fjalë. Bëhuni burra, duhet të vini për të luajtur. Duhet të mbani fjalën dhe të luani futboll, qoftë edhe sikur të shkojmë për të luajtur në hënë”. Presidenti i Riverit ka dashur të shmang kështu rastin e ndodhur në vitin 2015 ku pas hyrjes në fushë të tifozëve të Riverit, ekipi i Bokas e mori ndeshjen 3-0 në tavolinë.