![GSH APP](https://gazetashqiptare.al/wp-content/uploads/2022/04/gshok.jpg)
![Download on Apple Store](https://balkanweb.com/wp-content/uploads/2019/01/ios.jpg)
![Get it on Google Play](https://gazetashqiptare.al/wp-content/uploads/2022/04/android-app.png)
Një tjetër skandal i politizimit të arsimit u regjistrua dje në Kavajë pasi nxënësit e gjimnazit “Aleksandër Moisiu” filmuan mësuesen e tyre duke i urdhëruar të marrin pjesë në takimin që u zhvillua sot me Edi Ramën.
“Nesër zhvillohet një aktivitet i kryeministrit Edi Rama me të rinjtë, e gjithë shkolla do të përfaqësohet me mësuesit e vet dhe nxënësit e çdo klase, nesër në takimin që organizohet…!”, dëgjohet në videon e publikuar nga GSH.al.
Ndërkohë, sot kryeministri Edi Rama ka bërë një postim në “Facebook” për takimin që do të mbajë sot në Kavajë.
MIRËMËNGJES
dhe ju uroj një ditë të mbarë më këtë imazh të Sheshit Demokracia në Kavajë më 2013 dhe sot
Shumë është bërë. Ende më shumë mbetet për t’u bërë. Por edhe shumë ka për të humbur nëse ndalemi sot. Prandaj këtë mbasdite do të jemi më shumë se kurrë tek ky shesh, me votuesit e parë dhe rininë kavajase, të bashkuar #PërKavajënQëDuam #PërShqipërinëQëDuam.
Reagon Nikolla
Pas videos së shpërndarë në media ditë e sotme, ku një mësuese bënte propagandë në shkollë, për vizitën e kryeministrit Edi Rama në Kavajë, ka ardhur reagimi i menjëhershëm i Ministrisë së Arsimit.
Ka qenë vetë, ministrja e Arsimit, Lindita Nikolla, e cila ka njoftuar shkarkimin nga puna të saj, që sipas saj, ka shkelur urdhrin për të mos bërë propagandë politikë në klasë.
“Keqardhje për mësuesen që ka shkelur urdhrin tim të prerë për të mos bërë propagandë politikë në klasë! Në zbatim të urdhrit, mësuesja do të largohet menjëherë, që sot, nga sistemi arsimor.
Mësuesit dhe nxënësit janë të lirë të aktivizohen politikisht, por jashtë mureve të shkollës.
Kam parë mësues dhe nxënës që marrin pjesë edhe në takimet televizive të Çadrës, po asnjë gjemb në këmbë nuk u ka hyrë dhe nuk do t’u hyjë për arsye politike.
Por, asnjë nxënës apo mësues/e që nuk dëshiron të marrë pjesë në takime politike, as nuk mund të urdhërohet ta bëjë këtë, as nuk do të cënohet kurrë pse nuk aktivizohet politikisht për këdo qoftë!”, -shprehet Nikolla.
Reagon Rama
Kryeministri Rama ka reaguar ne fjalën e tij nga foltorja e Kuvendit, se janë marrë masat për largimin nga sistemi arsimorë të mësues, e cila ka qarkulluar ditën e sotme me një video, ku i bën thirrje nxënësve që të jenë të pranishëm në mitingun e organizuar nga Partia Socialiste
“Sapo më ka informuar ministrja e arsimit se në media është publikuar një video ku mësuesja u thotë në klasë fëmijëve që të shkojnë në takimin që kemi në Kavajë. Ministrja e ka shkarkuar nga sistemi arsimor atë mësuese dhe unë dua ta them sot qartë dhe prerë… çdo mësues dhe mësuese ka lirinë të angazhohet politikisht me çdo forcë politike, të flasë me këdo, por është në shkelje flagrante jo vetëm të ligjit por edhe të etikës së shkollës që ne duam, nëse e bën në klasë.