Detaje të tjera janë zbardhur nga rrëmbimi dhe vrasja e 49-vjeçarit Jan Prenga, paraditen e 17 janarit, në Kamëz.
Siç vihet re dhe në fotot e siguruara, në orët e mëngjesit Jan Prenga shfaqet në një lokal, së bashku me një grua, ku më pas ngrihen dhe largohen. Ky ka qenë dhe momenti i fundit, kur Prenga është parë në lagjen ku banonte, pasi më pas ai është rrëmbyer në rrugën “London”, prej ku është torturuar deri në vdekje e më pas zhdukur, ndërsa nuk është gjetur ende trupi i tij.
Sipas policisë, rrëmbimi i Jan Prengës u krye me një automjet të vjedhur “Range Over” dhe ka mbërritur i vdekur në bodrumin e resorit “Golden”, në Shijak.
Tre persona janë shpallur në kërkim për këtë ngjarje të rëndë Gentian Doçi, Altin Hajri dhe Dritan Rexhepi, ku të tre rezultojnë emra të njohur për drejtësinë, pasi Doçi është pjesë e një prej bandave të Shkodrës, Hajri është pronar i resortit luksoz “Golden”, ku u mor peng Prenga, ndërsa Rexhepi është i burgosur në Ekuador për trafik ndërkombëtar droge, i cili dyshohet se ka dhënë dhe urdhrin për vrasjen e 49-vjeçarit.