Është shuar në moshën 99-vjeçare ish-kryeministri i Greqisë, Konstandinos Mitsotakis. Ai ka ndërruar jetë në orët e para të mëngjesit të së hënës sipas një deklarate të familjes.
Mitsotakis ishte njeriu që forcoi lidhjet e Greqisë me Bashkimin Evropian. Ai u bë kryeministër në prill të vitit 1990 kur partia e tij Demokracia e Re fitoi të drejtën për të qeverisur pas 9 vjetëve në opozitë ose si partnere në koalicion.
Mitsotakis u dorëhoq në 1993 pasi humbi zgjedhjet. Gjatë 3 viteve të qeverisjes, ai konsolidoi anëtarësimin e Greqisë në BE, i njohur si Komuniteti Europian në atë kohë, duke siguruar pranimin e vendit të tij në Bashkim gjatë Samitit të Maastrichtit në dhjetor 1991.
Si ministër i jashtëm ai mbikëqyri hyrjen e Greqisë në BE një dekadë më parë. Konstandinos Mitsotakis bëri jetë parlamentare për 58 vjet, ndërsa u largua nga jeta politike në vitin 2004. Ai la trashëgimtarë të politikës së tij, fëmijët Dora Bakojanis (ish-ministre e Jashtme e Greqisë) dhe Kiriakos Mitsotakis (kreu i ND-Demokracia e Re).