KULTURË

Louise Gluck, një poete amerikane fiton Nobel 2020

14:18 - 09.10.20 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Çmimi Nobel në Letërsi 2020 iu dha poetes amerikane Louise Gluck, “për zërin e saj poetik të pagabueshëm, që me një bukuri të rreptë, ekzistencën individuale e bën universale”. Poetja amerikane, Louise Gluck lindi në 1943 në New York dhe jeton në Cambridge, Massachusetts. Përveç krijimtarisë, ajo është profesoreshë e gjuhës angleze në universitetin “Yale”, New Haven, Connecticut. Ajo bëri debutimin e saj në 1968 me “Firstborn” dhe shumë shpejt u vlerësua si një nga poetet më të shquara në letërsinë bashkëkohore amerikane. Ka marrë disa çmime prestigjioze, mes tyre çmimin “Pulitzer” (1993) dhe “National Book Award” (2014). Gjyshërit dhe baballarët e babait të Gluck, hebrenjtë hungarezë emigruan në Shtetet e Bashkuara. Babai i Gluck ishte i pari anëtar i familjes së tij i lindur në Shtetet e Bashkuara. Që në moshë të re, Gluck mori nga prindërit e saj një arsimim në mitologji greke dhe histori klasike. Nga 1963 deri më 1965, ndoqi Shkollën e Arsimit të Përgjithshëm të “Universitetit Columbia”, e cila ofroi programe për studentë jotradicionalë. Si një nga poetët më të shquar amerikanë të brezit të saj, ajo ka fituar shumë çmime të mëdha letrare në Shtetet e Bashkuara, përfshirë Medaljen Kombëtare të Shkencave Humane, Çmimin Pulitzer etj. Ajo mori mësime në “Sarah Lawrence College” dhe “Columbia University”, por nuk mori një diplomë. Përveç karrierës së saj si autore, ajo ka pasur një karrierë si mësuese e poezisë në disa institucione universitare. Në punën e saj, Gluck është përqendruar në aspektet ndriçuese të traumës, dëshirës dhe natyrës. Në eksplorimin e këtyre temave të gjera, poezia e saj është bërë e njohur për shprehjet e sinqerta të trishtimit dhe izolimit. Studiuesit janë përqendruar gjithashtu në ndërtimin e saj të personazheve poetikë dhe marrëdhënies, në poemat e saj, midis autobiografisë dhe mitit klasik. Nga librat me poezi duhet përmendur: “Descending Figure” (Figura në rënie); “The Triumph of Achilles” (Triumfi i Akilit), (1985); “Ararat”, (1990); “Vita Nova” (1999); “Faithful and Virtuous Night” (Nata besnike dhe e virtytshme), (2014) etj.




REAGIMI

“Teksa në Shqipëri vazhdon edhe më fort refreni ‘poezia nuk shet’, ja ku vjen një Nobel pikërisht për atë që nuk shet, poezinë. Proza s’është më e keqe se poezia, por, ndoshta, edhe te bulemia e prozës duhet parë shkaku i prozaizmit të mendjeve shqipmendonjëse, shqipfolëse dhe shqipshkronjëse. Që të dal në temë pa pikë modestie, ekzistonte një herë e një kohë një periodik letrar me emrin ‘Mehr Licht!’, ku si ndonja 13 vite të shkuar patëm botuar, përkthyer në shqip, ca poezi nga nobelistja e sotshme”, shkruan Sokol Çunga, studiues, paleolog dhe përkthyes, duke prurë edhe kontributin e tij.

Në prag të mbrëmjes,

Si tani,

Një burrë përkulet mbi tryezën e punës.

Ngre kryet ngadalë; shfaqet

Një grua, në duar mban trëndafila.

Fytyra e saj lundron në fytyrën e pasqyrës,

Shenjuar nga kërcejtë jeshilë të trëndafilave.

Është një formë

Vuajtjeje: gjithmonë fleta e tejpashme

E çuar kah dritarja, derisa venat e saj shfaqen,

Më në fund, si fjalë të mbushura me bojë.

Fati im është të kuptoj

Ç’i mban bashkë

Apo çfarë i lidh me shtëpinë e ngulur në vend nga muzgu

Sepse duhet të bëhem pjesë e jetëve të tyre:

Është pranverë, dardha

Cipërohet me lule të bardha, të brishta.

(Poezi e Gluck përkthyer nga Sokol Çunga)


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.