Pas humbjes së Vllaznisë me Laçin ditën e premte, gjatë të shtunës dhe të dielës u luajtën dhe 4 takimet e tjera të Kategorisë Superiore. Në Durrës, Teuta mposhti me rezultatin minimal 1-0 Apoloninë, me golin e vetëm që u realizua nga Rustem Hoxha. Ndeshja nisi mirë për fierakët, por rasti më i rrezikshëm ishte ai i Teutës në minutën e 24 me Bregun, por portieri Harizaj reagoi mjaft mirë. 13 minuta më vonë ishte Levendi për Apoloninë që përfitoi nga një top i lënë aty nga Arapaj, por gjuajtja e tij përfundon jashtë. Pjesa e dytë ishte e gjitha e Teutës, të cilët kaluan në avantazh në minutën e 77-të, me Rustem Hoxhën. Gjuajtja e këtij të fundit nga goditja e dënimit ndalet nga muri, por topi i kthehet dhe ai nuk fal herën e dytë, duke e dërguar topin në trekëndësh. Me këtë fitore, “djemtë e detit” janë në vendin e katërt me 30 pikë, po aq sa Laçi. Vlen për t’u përmendur fakti se në 18 ndeshje, durrsakët kanë pësuar vetëm 8 gola. Pas ndeshjes, trajneri Edi Martini tha se e rëndësishmja për të janë pikët. Në një intervistë për emisionin “Gol pas goli”, ai u shpreh: “E kam thënë se të rëndësishme janë pikët, lufta është e egër. Me Apoloninë dhe Skënderbeun duhet të luash fort. Arritëm të shënojmë. Normalisht, po punojmë për të përmirësuar shënjestrën. Është e vërtetë që kemi probleme. Edhe Vila, Bregu dhe Krasniqi kanë kualitet, jam i sigurtë që do na shërbejnë në momente të rëndësishme”. Ndërkohë, në anën tjetër, trajneri i fierakëve, Fabricio Kamarata u shpreh i lumtur me performancën e lojtarëve. Në prononcimin e tij të shkurtër, ai tha se ka besim që skuadra nuk do të zbresë një kategori më poshtë. Duke u zhvendosur në Tiranë, bardheblutë arritën të merrnin një fitore të pastër 2-0 përballë Skënderbeut. Trajneri i ri i korçarëve, Migen Memelli nuk pati debutimin më të mirë të mundshëm. Ndeshja nisi mirë për të dyja skuadrat, por në minutën e 10-të, Taulant Seferi provon me një gjuajtje në hyrje të zonës, me topin që kalon ngjitur me shtyllën dhe përfundon në rrjetë. 4 minuta më vonë provoi Mara për korçarët, por topi prek vetëm rrjetën e jashtme. Mbrojtja e Skënderbeut ka hasur shumë vështirësi dhe kjo u vërtetua mjaft mirë në minutën e 18-të, kur Hoxhallari ishte krejtësisht i pambuluar brenda zonës dhe realizon mjaft thjeshtë golin e dytë. Pjesa e parë u mbyll me rezultatin 2-0. E dyta ishte e qetë në shumicën e kohës, me Skënderbeun më kërkues, por pa gjetur golin. Mensah shpërdoroi një rast të pabesueshëm në minutën e 86-të, me një goditje nga më pak se 11 metra, por topi u kontrollua nga Bekaj. Pas ndeshjes, trajneri Memelli tha se ka gjëra për të përmirësuar dhe se do të jetë e vështirë. Ai tha se në përgjithësi, loja ishte e balancuar, me përjashtim të rasteve që u shënuan golat. Në kampin tjetër, Orges Shehi u shfaq i lumtur për fitoren e skuadrës së tij. Ai tha: “Vinim pas një fitoreje në Fier, që na mungonte shumë. Ambienti ishte i vështirë. E nisëm mirë dhe më pas menduam të administrojmë avantazhin. Më pëlqen grinta dhe dëshira e lojtarëve, për t’u rikthyer lart, pasi jemi kampionët në fuqi. Nuk duhet të mendojmë për vendin e parë.” Në ndeshjen tjetër të ditës së shtunë, Partizani mposhti 1-2 Bylisin në Ballsh. Ndeshja ishte mjaft e bukur nga të dyja skuadrat. Raste të shumta që në fillimin e takimit me Ndrecën për Bylisin dhe Ҫinarin për Partzianin, por pa gjetur golin. Në minutën e 40-të, ballshiotët fituan një penallti me Brojën që rrëzon Harbën. Penalltinë e mori përsipër serbi Kojic, por gjuajtja e tij ishte për t’u harruar dhe Alban Hoxha e ndaloi me lehtësi. Edhe pjesa e dytë prodhoi thuajse gjithçka. Ishte Ҫinari, i cili bëri atë çka Kojic nuk arriti. Nga pika e bardhë, ai nuk fali megjithëse portieri Qirko për pak sa nuk e devijoi topin. Pak më vonë, në minutën e 73-të, Bylis mbetet me 10 lojtarë, pas daljes me të kuq të Ymeraliajt. 7 minuta më vonë, Partizani gjen edhe golin e dytë me Caran, që dribloi çdo lojtar që i doli përpara dhe dërgoi topin në rrjetë. Më pas, një përgjumje e mbrojtjes së “të kuqve”, i dha mundësinë Carkanjit që të shënonte. Kështu u mbyll dhe takimi, me Partizanin që i afrohet kryesuesve të Vllaznisë. I pakënaqur u shfaq pas ndeshjes trajneri Ilir Daja, që tha se mbrojtja gaboi në shumë raste dhe mund edhe ta kishin humbur ndeshjen. Surpriza ndodhi ditën e diel. Kastrioti shtangu Kukësin duke i rrëmbyer tri pikët me një lojtar më pak. Krutanët e filluan shumë më mirë lojën se verilindorët dhe patën një rast me Mehmetin, por gjuajta ishte shumë e dobët dhe mund të kishte bërë më mirë se aq. Në minutën e fundit të pjesë së parë, Rami kroson dhe Ҫela dërgon topin me kokë te Da Silva. Ky i fundit me gju shënon golin e avantazhit për Kastriotin. Pjesa e dytë u zhvendos në portën tjetër, me Kukësin që provon barazimin, por pa rezultat. Krutanët marrin një goditje në minutën e 73-të, kur Silvester Shkalla merr kartonin e dytë të verdhë. Gjithsesi, rezultati nuk ndryshoi dhe Kastrioti mori 3 pikët duke u larguar disi nga zona e ftohtë e renditjes. Mjaft i lumtur trajneri Ramadan Ndreu. Ai nuk i kurseu lëvdatat për sulmuesin Da Silva, por edhe për lojtarët e tjerë. Kështu, Vllaznia kryeson me 37 pikë, e ndjekur nga Partizani me 31.
Renditja pas javës së 18 Pikë
- Vllaznia 37
- Partizani 31
- Laçi 30
- Teuta 30
- Tirana 26
- Kukësi 26
- Kastrioti 24
- Apolonia 13
- Skënderbeu 12
- Bylis 12