Kosova

Kosovë: UNDP-ja dhe BE-ja pezullojnë punimet për restaurimin e shtëpisë së zyrtarit të lartë të…

21:17 - 08.02.22 K.K
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Programi për Zhvillim i Kombeve të Bashkuara në Kosovë dhe zyra e Bashkimit Evropian, thanë të martën se kanë pezulluar punën në projektin për restaurimin e shtëpisë së Xhafer Devës, një zyrtar i lartë i qeverisë shqiptare, që bashkëpunonte me nazistët gjatë Luftës së Dytë Botërore.




Njoftimi për pezullimin e punimeve pasoi reagimet pas fillimit të restaurimit të shtëpisë që ndodhet në Mitrovicë.

Në një komunikatë të përbashkët, UNDP-ja dhe BE-ja thanë se i kanë ndjekur me vëmendje shqetësimet pas njoftimit “për restaurimin e një trashëgimie kulturore në Mitrovicë, që lidhet me pronarin e mëparshëm Xhafer Deva, e kaluara e të cilit si bashkëpunëtor i nazistëve është komentuar shumë gjatë ditëve të fundit”.

Të hënën ambasadori gjerman në Kosovë reagoi me shqetësim ndaj planeve për restaurimin e shtëpisë së Xhafer Devës, duke theksuar se nuk duhet të shtrembërohet “e vërteta rreth Holokaustit apo krimeve të luftës të kryera nga nazistët dhe bashkëpunëtorët lokal”.

UNDP-ja dhe BE-ja thanë të hënën se synimi i projektit të përbashkët me ministrinë e Kulturës së Kosovës, “ka qenë gjithmonë të bashkojë komunitetet dhe të kontribuojë në kohezionin social duke përdorur trashëgiminë kulturore si instrument për dialog ndërkomunitar dhe duke rivendosur trashëgiminë kulturore në shfrytëzim të komuniteteve. UNDP-ja dhe Bashkimi Evropian shprehin keqardhje të sinqertë për çdo ofendim të paqëllimshëm të shkaktuar përmes njoftimit për fillimin e punimeve, por duke mos e cekur sfondin historik të Xhafer Devës”.

Të dyja organizatat thanë se e “dënojnë fuqishëm antisemitizmin, ksenofobinë dhe manifestimet e tyre, duke përfshirë rritjen e jotolerancës dhe fanatizmit ndaj pakicave etnike dhe komuniteteve të cenueshme. Ne jemi të përkushtuar të mbrojmë të pambrojturit, të promovojmë të drejtat themelore të njeriut dhe të mbështesim lirinë, dinjitetin, dhe të luftojmë dezinformimin”, thuhet në komunikate në të cilën njoftohet pezullimi i punimeve.

“Ne jemi në kontakt me të gjitha palët e përfshira dhe po e rivlerësojmë rolin dhe kontributin tonë, duke përfshirë mundësinë e shfrytëzimit të polemikës aktuale si mundësi për të shqyrtuar hapur të kaluarën përmes diskutimeve dhe këshillimeve me të gjitha komunitetet përkatëse”, thuhet në komunikatë.

Më herët gjatë ditës, edhe Raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola von Cramon, shprehu shqetësimin rreth restaurimit, duke nënvizuar se “nuk duhet të ketë vend për revizionimin e historisë së Luftës së Dytë Botërore dhe mohimin e Holokaustit”.

Ministri i Kulturës në qeverinë e Kosovës, Hajrulla Çeku shkroi se “restaurimi i monumenteve bëhet për t’i shërbyer komunitetit, jo për revizionizëm historik apo rehabilitim figurash”.

Në një postim më të gjatë në rrjetet sociale, ministri Çeku tha se “monumenti është pronë publike, ka vlera të mëdha estetike dhe për nga tipologjia e ndërtimit paraqet ndër shembujt e parë në Kosovë të kalimit në arkitekturën moderne evropiane. Është pjesë e kujtesës kolektive të banorëve të Mitrovicës dhe së fundmi edhe simbol i rezistencës qytetare karshi betonizimit”.

Më tej ai shpjegon se shtëpia e ndërtuar në vitin 1930, është në listën e ‘Trashëgimisë Kulturore’ dhe si pronë publike kë shërbyer edhe si shtëpi shëndeti.

“Emri që mban monumenti është shënjuesi më i parëndësishëm krahasuar me funksionet publike dhe vlerat që përfaqëson kjo ndërtesë për qytetin dhe qytetarët”, shkroi ai, duke nënvizuar se pas restaurimit, “monumenti është planifikuar t’i shërbejë komunitetit dhe përveç akomodimit të Qendrës Rajonale për Trashëgimi Kulturore Mitrovicë do të ketë hapësirë për galeri arti, funksion muzeal dhe ngjarje të tjera kulturore…Monumenti i restauruar le të shërbejë edhe si hapësirë e ballafaqimit me të kaluarën, ku mund të dokumentohet dhe ekspozohet edhe ana e errët e historisë sonë”.

Ministri Çeku shkroi se “përpjekja për ta zhvendosur debatin në rrafshin e narracionit mbi personalitetin përkatës historik dëmton rëndë përpjekjet për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore. Për më keq, kjo qasje legjitimon dhunën ndaj arkitekturës dhe artefaktit. Askush nuk është kundër fakteve historike, ato duhen thënë zëshëm dhe pa asnjë rezervë, para se gjithash nga profesionistët. Mirëpo, kundërshtimi i restaurimit duke u thirrur në narracionin historik është në kundërshtim me konventat botërore dhe praktikat e përparuara europiane për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore”.

Xhafer Deva ishte ministër i Brendshëm i qeverisë shqiptare që bashkëpunonte me nazistët në vitin 1944. Pas Luftës së Dytë Botërore, Xhafer Deva emigroi në Shtetet e Bashkuara ku vdiq në vitin 1978.

Restaurimi i shtëpisë së tij ishte pjesë e programit “Trashëgimia kulturore si nxitëse për dialogun ndër-komunitar dhe kohezionin social”, që bashkëfinancohet nga Zyra e Instrumentit për Stabilitet dhe Paqe i BE-së dhe, Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit dhe UNDP-ja.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.