Fatmira Nikolli
Ministrisë së Kulturës për vitin 2018 i është dhënë një buxhet prej 2 miliardë lekësh të rinj, me një rritje prej vetëm 200 milionësh nga viti i kaluar. Edhe kjo, sipas vetë raportit për projektbuxhetin, prezantuar dje nga ministrja Mirela Kumbaro në Komisionin e Medias, është një rritje që vjen si rrjedhojë e rritjes investimeve me lekë.
ANKESA E SHQETËSIME
Së pari, Ministria e Kulturës thotë se në përllogaritjet për zërin paga e sigurime shoqërore, janë kryer mbështetur në numrin e punonjësve sipas organikës se re të Ministrisë së Kulturës, miratuar më 5 tetor 2017, e megjithëkëtë, vihet në dukje se ka një diferencë midis fondit të pagave dhe sigurimeve shoqërore sipas strukturës se aprovuar dhe projektbuxhetit 2018 në programet Trashëgimi Kulturore dhe Muzetë dhe Art&Kulture të cilat, thotë raporti i paraqitur para komisionit, “i kemi paraqitur dhe në relacionin e dërguar pranë Ministrisë së Financave. Besojmë se kjo diferencë do të plotësohet padyshim nga Ministria e Financave, sikurse u bë përgjatë vitit 2017”. Ministria bën me dije se fondi pagave dhe sigurimeve shoqërore në totalin e buxhetit të Ministrisë së Kulturës përben 46.6% të buxhetit, çka do të thotë se pothuaj gjysma e buxhetit shkon për rroga e sigurime.
Në po këtë pikë, një tjetër shqetësim i ngritur ka të bëjë me shpenzimet korrente. Raporti i MK-së për projektbuxhetin e 2018-ës, thotë se “nuk është reflektuar rritje në buxhetin e ministrisë si rrjedhojë e VKM-së për rritjen e pagave për rojet, duke vënë në vështirësi Ministrinë e Kulturës në kryerjen angazhimeve të tjera që ka marrë në këtë fushë”. Shtohet se kërkesat e Ministrisë së Kulturës me qëllim realizimin e misionit dhe objektivave të saj në drejtim të rritjes së buxhetit kanë qenë konstante. “Fondi i cili kërkohet të shtohet në realizimin e prioriteteve dhe detyrave të saj, për sa më sipër, është në vlerën e 19 milionë lekëve për të siguruar këtë shërbim të domosdoshëm për institucionet e artit”. Të njëjtin shqetësim ndan kjo ministri edhe për fushën e artit dhe kulturës, duke shënuar se “është mëse e nevojshme shtesa për shpenzimet korrente kryesisht për shërbimin e sigurimit dhe të ruajtjes, me një fond prej 13 milionë lekë, nevojë e domosdoshme”.
Kumbaro bëri me dije se nga trashëgimia dhe arti: të ardhurat në vitin 2013 kanë qenë 61 milionë lekë ndërsa në vitin 2017 149 milionë lekë. E megjithëkëtë, “Ministria e Kulturës përballet me një problem në përdorimin e këtyre të ardhurave nga ana institucioneve të varësisë, pasi tavanet që na vendosen nga Ministria e Financave, janë kundrejt të ardhurave të vitit 2013, ndërkohë që të ardhurat tona nga sektori i biletarisë janë rritur ndjeshëm që nga 2013”. Në vijim të ankesës, thuhet se sikurse edhe në kërkesat e mëparshme, “kërkojmë si ministri të rregullohet kjo anomali duke na u rritur tavani buxhetor për shpenzimet korrente sipas udhëzimit të përbashkët të të dyja ministrave të Financës dhe të Kulturës të vitit 2015, për përdorimin e biletave”.
Sipas Kumbaros, për buxhetin e vogël të Ministrisë së Kulturës, kjo nuk është një shumë e pakonsiderueshme, por bëhet fjalë për rreth 26,6 milionë lekë nga të cilat në programin e trashëgimisë 22,4 milionë lekë dhe në programin e Art&Kulturë 4,2 milionë lekë, shuma me të cilat Ministria e Kulturës ka për objektiv të ndërhyjë në mirëmbajtjen e këtyre objekteve dhe në përmirësimin e shërbimeve dhe të produksioneve artistike, në mënyrë që të gjenerojnë të ardhura akoma më të mëdha në vijim.
INVESTIMET
Ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro ka përmendur dje në komisionin kantieret për restaurimin e 3 kishave të rëndësishme që do të përfundojnë vitin e ardhshëm, Shën Maria e Kosinës, Fjetja e Shën Marias e Sopikut, Shën Maria e Bënjës si edhe ka bërë me dije se janë gati projektet e do të fillojë, në bashkëpunim më Agjencinë turke TIKA, restaurimi i 5 xhamive – trashëgimi kulturore, konkretisht:
Xhamia e Ethem Beut në Tiranë, Xhamia Mbret, Xhamia e Beqarëve, Teqeja e Helvetive në Berat dhe Xhamia e Pazarit në Gjirokastër. Problem paraqet xhamia e Plumbit në Shkodër, për shkak të përmbytjes që vjen prej kolektorëve të bllokuar në vite nga ndërtimet e paligjshme.
Pas shpalljes monument kulture të Kuvendit të Troshanit, Kumbaro tha se është vendi i përshtatshëm për një memorial për At Gjergj Fishtën.
Në kuadrin e vitit të Skënderbeut, ministria synon restaurimin dhe rikualifikimin e Memorialit të Skënderbeut në Lezhë, restaurimin e statujës së Skënderbeut në Krujë, si vende simbol i Heroit Kombëtar dhe rikualifikimin e muzeut të vogël të Dibrës, ndërtuar në vendin e origjinës së Skënderbeut. Në mesin e investimeve për vitin 2018 u përmend përfundimi i teatrit të ri “Turbina”, rikonstruksioni i Teatrit të Operas dhe Baletit, ndërsa u bë me dije se konkretizohet në 2018-ën, puna për përgatitjen e konkurseve ndërkombëtare për të realizuar projektet për rikualifikimin, rehabilitimin dhe rifunksionalizimin e Muzeut Historik Kombëtar, të Galerisë Kombëtare të Artit si një Muze i Historisë së Artit dhe të rikonstruksionit të Bibliotekës Kombëtare.
Përparësitë
Tek arti dhe kultura, sipas ministres investimet kulturore do të kenë prioritet riorganizimin e kapaciteteve profesionale dhe rikonceptimin e programeve të Institucioneve Qendrore të Artit dhe Kulturës. Programi Kombëtar “Edukimi përmes Artit” do të jetë vijimi i një reforme të thellë dhe të qëndrueshëm në institucionet e artit dhe politikat kulturore. Ndërkaq, Ministria e Kulturës do të ofrojë paketa dhe shërbime kulturore të përqendruara kryesisht në vijën bregdetare në shërbim të turizmit kulturor.
Në sajë të motos, ‘Kultura si pasaporta jonë më e mirë’, ajo tha se do të realizohen një rrjet aktivitetesh, që synojnë në konsolidimin e vlerave artistike dhe zhvillimit të diplomacisë kulturore në nivele të larta ndërkombëtare, promovimit e artit shqiptar në arenën ndërkombëtare (Viti Skënderbeut, Creative Europe, Traduki, Kalendari Shqipëri-Kosovë, Kalendarin artistik me Maqedoninë, Bienalja e Venecias e arkitekturës, panairet ndërkombëtare të librit).
‘Parku i artit’ është një tjetër projekt që do të realizohet në bashkëpunim me rajonin e Puljas e që konsiston në rikualifikimin e hapësirës së parkut të Kinostudios, duke restauruar dhe përdorur instalacione artistike dhe arkitekturore të skulpturave të oborrit të GKA.
Buxheti 2018 do të shërbejë edhe në mbështetjen e aktiviteteve kulturore në mbarë vendin nëpërmjet thirrjeve për aplikime në fushën e trashëgimisë kulturore, artit dhe kulturës, librit, përkthimit, krijimtarisë se re në dramaturgji dhe muzikë, këtyre të fundit do t’u kushtohen edhe konkurse kombëtare të dedikuara. Synim mbeten projektet e qëndrueshme e afatgjata, që integrojnë kulturalisht Shqipërinë në axhenda ndërkombëtare. Përparësi është viti kulturor Austri-Shqipëri, që do të mbështetet nga Ministria e Kulturës me një kalendar tashmë të konsoliduar midis dy vendeve, që starton javën tjetër në Vjenë, por do të kulmojë në vitin ardhshëm.
QENDRA KOMBËTARE
E LIBRIT DHE LEXIMIT
Theks prej kohësh është leximi dhe libri. Ndërsa prej dy vitesh mbahet muaji i leximit, Kumbaro ka njoftuar dje se për një politikë sa më të qëndrueshme dhe të decentralizuar në fushën e librit, synohet ngritja e Qendrës Kombëtare të Librit dhe Leximit, që ka si objektiv themelor mbështetjen dhe promovimin e letrave shqipe brenda dhe jashtë vendit, hartimin dhe zbatimin e projekteve në ndihmesë të rritjes së kulturës së leximit, krijimin e një rrjeti bashkëpunues dhe mbështetës mes shkollës, familjes, institucioneve librare e bibliotekare për edukimin nëpërmjet leximit.
Buxheti në zëra
Planifikim, Menaxhim 160,276,000
Trashëgimi Kulturore dhe Muzetë 635,072,000
Art & Kulturë 1,214,549,000
Shuma 2,009,897,000
SHPENZIME E INVESTIME
Paga+Sig. Shoqërore 937,500,000
Shpenzime korrente 396,237,000
Shpenzime nga të ardhurat 26,160,000
Investime me financim të brendshëm 650,000,000
Shuma 2,009,897,000